Çështja e parë e trajtuar vitet e fundit, më saktë në vitin 2015, është për ndeshjen e ndërprerë në Beograd, Serbi-Shqipëri. Natyrisht, vendimi final u prit me entuziazëm nga të gjithë shqiptarët, pasi Kombëtarja e futbollit edhe falë këtij triumfi u kualifikua më pas në Europianin e vitit 2016.
Rasti i dytë në KAS ishte ai i Skënderbeut, kur klubi korçar u dënua me një vit mospjesëmarrje në Europë. Kampionët e Shqipërisë humbën në të gjitha shkallët e gjyqësorit sportiv, përfshi edhe në KAS-in e Lozanës. Skënderbeu nuk luajti për një sezon në Europë.
Rasti i tretë sërish i takon klubit të Skënderbeut. Së shpejti pritet që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të shprehet në lidhje me titullin e hequr të vitit 2016 nga Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Këtë titull e kërkon edhe Partizani, që u rendit i dyti para dy vitesh.
Rasti i katërt është më i freskëti dhe ka të bëjë me zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit. Kandidati humbës Bashkim Fino e ka çuar çështjen në KAS, duke u bazuar në dy problematika të forta: Pjesëmarrja e shoqatave të paregjistruara në gjykatë dhe individëve pa të drejtë vote.
Dhe rasti i pestë në Gjyktaën e Arbitrazhit Sportiv që pritet brenda këtij viti është apelimi që pritet të bëjë Skënderbeu pas dënimit nga Komisioni i Disiplinës në UEFA, që ka kërkuar 10 vjet mospjesëmarrje në Europë për ekipin korçar dhe një gjobë prej 1 milion eurosh.
Përjashto çështjen e ndeshjes me Serbinë, të tjerat janë kryesisht për trukime ose manipulime, qoftë ky edhe procesi zgjedhor i vetë Federatës. Numri i madh i çështjeve në KAS nuk thotë gjë tjetër, përveçse futbolli shqiptar ka probleme të mëdha, që nga vetë Federata e më pas për të përfunduar te klubet dhe individët që kanë lidhje me futbollin.
d.gj/ Shqiptarja.com










