VELIPOJE - Një tjetër pushues mbytet në plazhet shqiptare. 

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të enjte në Velipojë, aty ku ka humbur jetën F.H, 35-vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. 

Nga deklarimet paraprake, është bërë me dije se ai ka hyrë në ujë për të shpëtuar bashkëshorten, por ka gjetur vdekjen mes dallgëve. 

Pesë të mbytur në dete në 5 ditë
35-vjeçari është viktima e pestë që shkaktohet në plazhet shqiptare vetëm javën e fundit. Të shtunën e kaluar, në Vlorë u mbytën 4 pushues, tre në Zvërnec dhe tjetri te Uji i Ftohtë për shkak të dallgëve të detit.

Një tjetër faktor që po merr jetë njerëzish në plazhet tona është mungesa e rojeve bregdetare, ndërsa institucionet luajnë ping-pong me njëra-tjetrën për mospërmbushjen e këtij standardi minimal por jetik për jetën e të gjithë pushuesve.

Ndërkohë, Report Tv arriti të intervistojë dje një të ri në Durrës, me profesion Roje Bregdetare i certifikuar në Malin e Zi një vit më parë. Ai tha se është i papunë ndërsa pranoi se nuk është kontaktuar nga asnjë prej institucioneve. 

Plazhet shqiptare nuk monitorohen dhe si të tilla nuk përmbushin asnjë kusht sigurie duke bërë që jeta e gjithësecilit të jetë në rrezik në çdo moment. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com