Hetimi i SPAK ndaj Belinda Ballukut, nisi edhe prej kallëzimit të tij. Por kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, nuk do të jetë në seancën plenare të 12 marsit, kur do të hidhen në votë 2 raportet mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë.
Sekretariati i Etikës e përjashtoi me 10 ditë nga seancat dhe komisionet parlamentare.
Në seancën ku do hidhet në votim raporti i PD pro arrestimit dhe ai i PS-së që refuzon SPAK-un, do të mungojë edhe Klevis Balliu për të cilin socialistët kishin kërkuar 20 ditë përjashtim por sekretariati vendosi për 10 ditë.
Vendimet lidhen me përplasjet mes deputetëve në seancën plenare të 5 marsit, pasi kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, iu adresua me numrin 0900 deputetes demokrate Albana Vokshi. Një situatë kjo që nxiti reagimin e shefit të grupit të PD-së, Gazment Bardhi, i cili nga ana e tij kaloi deri në prekje të moralit të grave socialiste.
Por ai që e nisi sherrin shpëtoi. Socialistët falën shefin e grupit të tyre Taulant Ballën për të cilin demokratët kërkuan plotë 60 ditë përjashtim.
“Nuk mund të barazohet një prefiks telefoni me gjuhën dhe sjelljen e opozitarëve”, tha Balla.
Nga mbledhja e grupit të PS-së, ishte Evis Kushi e cila propozoi miratimin e një rezolute të Partive Popullore Evropiane aleate të PD-së për të ndaluar gjuhën denigruese në kuvend.
Seancës së 12 marsit do t’i mungojë një tjetër zë kritik ndaj ish-ministres së Infrastrukturës, Agron Shehaj, i cili ka kërkuar disa herë interpelanca me të.
Këtë të hënë Byroja e Kuvendit, la në fuqi vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin me 20 ditë.
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, përbehet nga 3 socialistë më në krye Ulsi Manja dhe dy deputetë të opozitës ndërsa vendimet merret me shumicën e votave. Prej së enjtes së kaluar sherri që degradoi në ofendime dhe gjuhë të papërshtatshme ka dominuar debatit publik në vend.

Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi të kreut të Grupit të PD-së, Gazment Bardhi dhe deputetit demokrat Klevis Balliu.
Ndërkohë për Taulant Ballën, Sekretariati i Etikës nuk ka marrë një vendim për ta dënuar, duke rrëzuar kështu kërkesën e PD për përjashtimin e tij. Përplasjet në Parlament nisën pas deklaratës së Ballës ndaj deputetes Albana Vokshi, të cilës i tha 'për ty kam numrin 0900'. Këto fjalë të tij nxitën reagim të ashpër të demokratëve dhe kryesisht të Bardhit dhe Balliut, të cilët nisën të përdornin gjuhë fyese dhe tentuan edhe përplasje fizike me Ballën.
Socialistët do t’i propozojnë Kuvendit miratimin e një rezolute për të dënuar gjuhën fyese ndaj grave, pas përplasjeve në seancën plenare të enjten e kaluar ku deputetet gra nuk u kursyen nga ofendimet.
Zv.kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi tha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së të parët që duhet të ndalin gjuhën denigruese janë kryetari i PD, Berisha dhe kreu i grupit Gazment Bardhi.
Kreu i grupit të PS Taulant Balla që u kritikua nga demokratët se ofendoi Albana Vokshin duke i përmendur numrin 0900 nuk mund të paralelizohet me gjuhën e Bardhit që i fyeu gratë socialiste në moral.

Byroja e Kuvendit ka vendosur me 6 vota pro dhe 1 kundër për përjashtimin e Agron Shehajt me 20 ditë nga Kuvendi duke lënë në fuqi vendimin e 5 marsit të Sekretariatit të Etikës.
Përjashtimi i deputetit erdhi pas kërkesës së PS se ai bllokoi foltoren dhe pengoi punimet e seancës.
Shehaj ngriti zërin për banorët e Rrjollit dhe protestat e tyre që vijojnë prej më shumë se 1 muaji kundër ndërtimit të resortit luksoz të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj, pretenduar në tokat e tyre. Shehaj akuzoi qeverinë se po favorizonte oligarkun dhe po u vidhte qytetarëve të Rrjollit pronën.
Komente











