Fyle i shkruan letër Jahjagës
kërkon të luftohet korrupsioni

Fyle i shkruan letër Jahjagës<br />kërkon të luftohet korrupsioni
PRISHTINE- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pranuar një letër nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fyle, pas miratimit të Strategjisë Kombëtare të Kosovës për Integrim Euopian. Në të, Fule ka përgëzuar për strategjinë, e cila, sipas tij, duhet të përqendrohet në çështjet ndër-sektoriale si sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.

LETRA E KOMISIONERIT FYLE DREJTUAR PRESIDENTES SE KOSOVES ATIFETE JAHJAGA
"E nderuara Presidente Jahjaga,

Ju faleminderit që keni ndarë me Komisionin Evropian Strategjinë Kombëtare të Kosovës për Integrim Evropian.

Kjo strategji përbën një dokument të dendur që përmban një vlerësim akut dhe realist se ku gjendet Kosova aktualisht dhe ku dëshiron të jetë në vitin 2020. Unë përshëndes sinqeritetin e treguar në këtë ndërmarrje si dhe ambicien tuaj. Llogaritni në mbështetjen time për natyrën e këtyre synimeve si dhe për t’ju ndihmuar në arritjen e tyre.

Strategjia Juaj Kombëtare nuk është thjeshtë një dokument por gjithashtu është edhe një proces. E vlerësoj konsultimin e gjerë që e keni ndërmarrë gjatë hartimit të dokumentit dhe miratimin e tij nga Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian, këshill ky që e kam mbështetur fuqimisht meqë forcon konsensusin për vizionin evropian të Kosovës.

Strategjia ngërthen në vetvete një gamë të gjerë temash. Unë besoj se ju, ashtu siç thekson ky dokument, do të arrini të përfshini këtë vizion afatgjatë për Kosovën në dokumentet e tjera strategjike që do të shërbejnë për të zbatuar këtë vizion. Pak pasi që ma dërguat strategjinë, Komisioni Evropian dhe Kosova hapën negociatat mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, hap i parë formal në integrimin tuaj evropian. Për të zbatuar MSA-në dhe për të treguar gatishmërinë e Kosovës për të ndërmarrë obligime tjera evropiane, duhet të menaxhoni një program të gjerë reformash të BE-së që mbulojnë të gjitha fushat e acquis.

Për këtë arsye, është e nevojshme që strategjia juaj të përqendrohet në çështjet ndër-sektoriale si sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, qeverisja si edhe përfshirja e mëtutjeshme e grupeve të interesit. Jam i inkurajuar me rëndësinë që i keni dhënë Reformës së Administratës Publike, si një element thelbësor në realizimin e reformave. Këtë çështje e kanë theksuar edhe Raportet e njëpasnjëshme të Progresit, si dhe nevojën jo vetëm për të modernizuar por edhe për të ndarë nivelin e vendim-marrjes politike nga niveli ekzekutiv.

Pres hapa të mëtutjeshëm në këtë proces, për të zbatuar Strategjinë tuaj Kombëtare nëpërmjet dokumenteve tjera strategjike. Kam kërkuar nga departamentet e mia përkatëse, të cilat drejtojnë Dialogun e Procesit të Stabilizim-Asociimit, për të integruar Strategjinë tuaj Kombëtare për Integrim Evropian në diskutimet e tyre dhe për t’i shikuar me vëmendje disa nga çështjet e ngritura në këtë dokument."

Marrë nga "RTK"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris

Veton Surroi: Akomodimi mendor me presidenten Harris