Gabimet e PD-së në qeverisje
Aleksandër Meksi: Më harruan

Gabimet e PD-së në qeverisje<br />Aleksandër Meksi: Më harruan
TIRANE- Ish-kryeministri i të parës qeveri demokratike që vinte në pushtet pas 45 vite diktaturë të egër komuniste, Aleksandër Meksi dhe ish-ministri i Punës, Dashamir Shehi rrëfejnë për gazetën “Shqiptarja.com” përvojën e atyre viteve, e vështirësitë me të cilat u përballën ai e kabineti i tij qeveritar. Ai ka analizuar njëra pas tjetrës të gjitha reformat e thella të ndërmarra në ato vite të vështira, duke u shprehur se ishin të domosdoshme. Kështu, si sot 20 vite më parë, më 19 prill 1992 mori mandatin për të qeverisur kabineti i parë qeveritar i PD, e cila kishte fituar me mbi 60% zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992. Një ditë e cila ka kaluar në heshtje të plotë nga qeverisja e sotme në pushtet, pavarësisht se përbën një ndër elementët më të rëndësishëm të qeverisjes së PD ndër vite. Qeveria e parë e PD-së, së drejtuar nga Aleksandër Meksi hyri në histori si qeverisja që mori reformat e dhimbshme dhe anti-popullore të kalimit të ekonomisë nga shtetërore tërësisht në duart e privatëve, liberalizimit të çmimeve për artikujt bazë të popullsisë dhe reformave për përafrimin e legjislacionit të vendit me atë të BE-së. Pas dështimit të Referendumit për Kushtetutën në nëntor 1994, dhe sidomos në vitin 1996, qeveria, e cila mbahej nën kontroll nga presidenti i atëhershëm Sali Berisha, nuk arriti të pengonte lulëzimin e firmave piramidale, të cilat zhdukën rreth 1.2 miliardë dollarë kursime të shqiptarëve. Në një letërkëmbim të gushtit 1996, Meksi kishte alarmuar presidentin Berisha, ministrin e Financave Bode dhe Guvernatorin Luniku për pasojat që do të kishte veprimtaria e firmave piramidale, por nuk u mor asnjë masë dhe vendi do të përfundonte në anarki dhe shkatërrim pranverën e ardhshme. Meksi pranon se reforma më e dhimbshme ka qënë ajo e heqjes së 80% për punonjësit që nuk kishin punë dhe subvesionit por dhe e privatizimeve dhe e ndryshimit të mentalitetit të shqiptarëve.

Sot (dje) është 20 vjetori i betimit të të parës qeveri demokratike, si e kujtoni atë ditë?
Formimi i qeverisë së parë demokratike e dalë me votat e shqiptarëve nga zgjedhjet e para dhe të vetmet të lira dhe të ndershme në Shqipëri, ishtë një fitore jo vetëm e PD por e gjithë shqiptarëve. Qeveria u krijua në një kohë shumë të vështirë dhe falë mbështetjes së shqiptarëve dhe ndihmës së pakursyer të Komunitetit Evropian, SHBA, institucioneve financiare ndërkombëtare, mundën të ndryshojnë tërësisht ekonominë dhe strukturën politike të Shqipërisë.

Si e vlerësoni punën në këtë periudhë qeverisjeje...?
Sot pas 20 vitesh sigurisht që ka vend për të dalluar gjërat e bëra mirë, ato që mund të bëheshin më mirë dhe eventualisht dhe mosrealizimet dhe gabimet e bëra gjatë kësaj periudhe qeverisjeje. Gjykimi për të i takon historisë e vetëm asaj, mbi bazën e dokumenteve e shifrave të prodhuara vit pas viti në këtë qeverisje, dhe jo sipas prirjeve politike të atyre që do merren me të. Në këtë rast unë mendoj se shpreh dhe mendimin të gjithë atyre që punuan me mua dhe të demokratëve të vërtetë të partisë, se duhet të jemi mirënjohës ndaj shqiptarëve që na mbështetën dhe na mundësuan për kryerjen e detyrës sonë gjatë atyre viteve të vështira për rimëkëmbjen e vendit.

Kishte shumë vështirësi në punën tuaj atë kohë...?
Vështirësitë ishin shumë të mëdha, sepse duhej ndryshuar sistemi ekonomik, ndryshim që kërkohej në mënyrë të menjëhershme. Pak veta e kishin kurajon për këto reforma të vështira e të dhimbshme, por që ishin shumë të domosdoshme për ecjen para të vendit. Për më tepër që duhej ndryshuar rrënjësisht sistemi politik dhe duhej ndërtuar shteti i ri i së drejtës mbi ligje të përafruara me legjislacionin evropian, me një sistem ligjor të ri dhe sipas standardeve evropiane. Mjafton të themi se gjatë kësaj periudhe u hartuan dhe miratuan mbi 300 ligje të reje dhe bashkëkohore që mundësuan ecjen para të vendit.

Cilat kanë qenë reformat më të dhimbshme?
Të gjitha reformat e kryera gjatë kësaj periudhe kanë qënë shumë të vështira. Por sipas mendimit tim reforma më e vështirë por dhe më e rëndësishme ka qënë ajo që u ndërmor në fillim të korrikut të 1992 me heqjen e 80 përqindshit, e cila kishte të bënte direkt me njerëzit por dhe me ecurinë ekonomike të vendit. Pastaj vijnë reformat e subvesionit për ndërmarrjet, tregëtia e lirë dhe privatizimi.

Po reforma në administratë...?
Pati shkurtime drastike në administratë, pasi strukturat e saj që u trashëguan s'kishin të bënin fare me demokracinë. Për punë të reja duheshin njerëz të rinj. E kemi fjalën jo për "njeriun e ri" të kohës së Enverit dhe as për "fytyrat e reja" që kërkohen këto kohët e fundit. Ne jemi krenarë që vumë themelet e shtetit të ri demokratik shqiptar dhe themi që me gjithë tentativat e vazhdueshme nuk do të arrijnë t'i shembin këto themele dhe struktura demokratike.

Si ka mundësi që nuk u kujtuar askush për këtë ditë...?
Që atëherë ka kaluar shumë kohë, shumë ujë ka rrjedhur sa që më duket se dhe unë kam harruar se kam qenë kryeministër i këtij vendi. Madje kanë harruar dhe të tjerë, por ju falenderoj që vetëm ju u kujtuat.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024