Gabimet me tekstet e studentëve:
Gay-t janë perversë

TIRANE-Homoseksualizmi në vendin tonë konsiderohet ende një akt perversiteti. Dhe kjo, e shkruar e zezë mbi të bardhë, në tekstet akademike që formojnë juristët e avokatët e ardhshëm si dhe ekspertët e mjekësisë ligjore.

Por jo vetëm kaq, sipas librave me të cilët ne formojmë specialistët e ardhshëm të Drejtësisë dhe Mjekësisë, edhe prishja e himenit vajzëror (zhvirgjërimi) me gjymtyrë apo sende të forta, nuk konsiderohet marrëdhënie seksuale me dhunë, por vetëm një veprim i turpshëm. Që të dy rastet i referohen librit "Mjekësia Ligjore", botim i vitit 2003, dhe ribotim i 2007-ës, i cili përdoret ende si tekst shkencor në fakultetet elitë të vendit tonë. Fakti është denoncuar nga Aranita Brahaj, autore e punimit në shkenca juridike penale "Pedofilia, krime seksuale ndaj të miturve", që gjatë punës së saj ka hasur në përmbajtjen diskriminuese të këtyre botimeve shkencore. "Tekstet shkencore të Mjekësisë Ligjore, pjesë e programit akademik për student të Drejtësisë dhe Mjekësisë përkufizojnë homoseksualitetin si perversion seksual. Konkretisht "Mjekësia Ligjore". Tiranë 2003. Autor Prof. Dr Sokrat Meksi; Dr. Bardhyl Cipi. ISBN: 999 27-796-9-1. Tekst ende në përdorim në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, Departamenti e Drejtë Penale, jep kategorizimin e perversioneve seksuale ku përfshihet homoseksualizmi; fetishizmi; zoofilia; sadizmi ose mazohizmi; nekrofilia; ekzibicionizmi. Ndërkohe Kodi Penal në Republikën e Shqipërisë prej kohësh është distancuar nga ky qëndrim diskriminues duke shfuqizuar nenet që konsideronin veprimin si figurë vepre penale. Përcaktim i tekstit akademik është i gabuar, diskriminues dhe jo shkencor pasi OBSH prej dekadash ka përjashtuar homosekualitetin nga grupi patologjive perversione seksuale. Nga ana tjetër ky tekst ka mungesë përkufizimi mjeko - ligjor për profilin e pedofilit. Kjo "neglizhencë" ka shkaktuar probleme të mëdha, jo vetëm në formimin e mjekëve dhe ekspertëve ligjor, por edhe në interpretime gjyqësore të këtyre sjelljeve. Ky defekt i Mjekësisë Ligjore ka kontribuar në mungesën e politikave penale të përshtatshme për të siguruar parandalim dhe mosviktimizim të të miturve", - na shpjegon Aranita Brahaj.

DHUNA SEKSUALE

Më tej ajo jep edhe raste të tjera të gabimeve të përkufizimeve po në këtë tekst, që sjell edhe pasoja të rënda duke favorizuar autorët e krimeve seksuale. Ajo për këtë i është referuar një rasti konkret, kur një e mitur 12 vjeçe, është dhunuar seksualisht me mjete të forta jo organ seksual, por gjymtyrë tjetër e trupit. Sipas saj, ndonëse autori paraqet rrezikshmëri të lartë dhe viktima ka pësuar dëmtim të fortë fizik, psikologjik e emocional, akti është cilësuar thjesht veprim i turpshëm. Autori është ndëshkuar me një dënim simbolik dhe rehabilitim të shpejtë të skedës së tij penale. Sipas saj kjo ka ardhur për pasojë të mungesës së përkufizimit të saktë të veprimit "akt seksual" nga Ligji Penal dhe Komentari. Për pasojë gjyqësori i është referuar doktrinës që është po ky tekst mjeko-ligjor. "Ky tekst "Mjekësia Ligjore". Tiranë 2003. Autor Prof. Dr Sokrat Meksi; Dr. Bardhyl Cipi. ISBN: 999 27-796-9-1. Orienton në Kreu VII, nën çështje 2.3, faqe 153 se prishja e himenit vajzëror me gjymtyre apo sende të forta përbën veprim të turpshëm (jo marrëdhënie seksuale me dhunë), vepër penale kjo e parashikuar në nenin 108 të Kodit Penal dhe me dënim nga gjobë deri 5 vite heqje lirie. Gjykata e Lartë duke referuar mbi doktrinën shqiptare që në rastin konkret është ky tekst i sipërshënuar ka favorizuar një nga profilet kriminale më të rrezikshme në kontekstin e abuzimit seksual me te miturit. Në vende fqinjë me ne si Kosova, Italia apo Greqi përkufizimi mjeko - ligjor i marrëdhënies seksuale si vepër penale e rëndë përfshin edhe veprimin për të cilin gjykata shqiptare ka krijuar një interpretim aspak korrekt dhe shumë diskriminues për viktimën", - na shpjegon Brahaj.
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen