Duke mos mbajtur një qeveri antifashiste në mërgim, Shqipëria kaloi automatikisht bashkë me Italinë në gjendje lufte me Fuqitë e Mëdha perëndimore.
ZOGU PËRBALLË PUSHTIMIT FASHIST TË SHQIPËRISË
(7 prill 1939)
Sipas praktikës që përdornin, agresorët nazifashistë kur vendosnin të pushtonin një vend nuk i shpallnin luftë, por sulmonin pa paralajmërim dhe me arrogancë me ushtritë e tyre dhe e bënin pushtimin fakt të kryer. Kështu vepruan hitlerianët kur pushtuan Çekosllovakinë, më 15 mars 1939. Atë ditë ushtritë hitleriane marshuan kundër Çekosllovakisë pa asnjë paralajmërim, pa deklaruar luftë dhe brenda pak ditëve e pushtuan krejt vendin.
Presidenti Eduard Benes pavarësisht se Çekosllovakia nuk zhvilloi rezistencë të armatosur, iu përgjigj agresionit hitlerian me shpalljen e gjendjes së luftës dhe së bashku me qeverinë e tij mërguan në Londër. Njësoj ndodhi më vonë edhe me Poloninë, Norvegjinë, Holandën, Francën, Jugosllavinë, Greqinë, qeveritë e të cilave fill pasi vendi i tyre u pushtua nga ushtritë hitleriane, kaluan në mërgim duke ruajtur statusin e përfaqësimit të shteteve të tyre të lira e të pavarura.
Tri javë pas pushtimit të Çekosllovakisë nga ushtritë hitleriane, Italia fashiste pushtoi më 7 prill 1939 pa shkak Shqipërinë e vogël. Me gjithë qëndrimin pasiv të ushtrisë shqiptare, Shqipëria, ndryshe nga Çekosllovakia, e priti agresionin fashist me rezistencë të armatosur, e cila pavarësisht nga përmasat modeste, ishte gjithsesi rezistencë e armatosur.
Në lidhje me qëndrimin e qeverisë mbretërore shqiptare ndaj okupacionit fashist italian, Zogu nuk ndoqi shembullin e presidentit Ed. Benes të Çekosllovakisë. Ai nuk veproi siç vepruan më vonë krerët e Polonisë, Norvegjisë, Greqisë, Jugosllavisë, të cilët e shpallën vendin e tyre në gjendje lufte me agresorin. Nga kjo pikëpamje, Ahmet Zogu bëri dy gabime serioze, as nuk i shpalli gjendje lufte Italisë, as e ruajti qeverinë shqiptare në mërgim.
Në kujtimet e përmendura të A. Zogut, diktuar kolonel Hysen Selmanit në mërgim, pra shumë kohë pas ngjarjeve, thuhet se më 6 prill 1939, pasdite, në Këshillin e Kurorës, mbreti shtjelloi në prani të kryeministrit Koço Kota dhe para krerëve të forcave të armatosura shqiptare – Komandantit të Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasit; Shefit të Shtatmadhorisë, gjeneral Gustav Mirdashit; Komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë, Kolonel Shefki Shatkut dhe nënkomandantit të Xhandarmërisë, nënkolonel Sami Kokës – qëndrimin që do të mbante Mbretëria Shqiptare përballë agresionit fashist italian.
Pasi shtjelloi historinë e marrëdhënieve shqiptaro-italiane që nga viti 1926 e këtej, ai tha se tani “ndodhemi në situatën më kritike, gati të thuash (nënvizimi ynë – K.F.) luftë me Italinë. Kur Italia sulmoi Abisininë (më 1935 – K.F.) ne si aleatë – vazhdon Zogu – i mbetëm realisht besnikë, ndërsa e gjithë bota i vunë sanksione... Ne abstenuam, se nuk mund të vinim kundra aleates”. (Nga notimet etj. f. 359). Pra, më 6 prill, disa orë para se të mbaronte ultimatumi që Roma i kishte drejtuar Tiranës, Shqipëria, sipas mbretit Zog, nuk ishte në luftë, por “gati në luftë me Italinë”.
(Në foto: Momenti kur Konti Ciano mbërrin në Shqipëri pril 1939)
Më tej – theksoi Zogu – me afrimin e rrezikut të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste: “Edhe Shtetet e Mëdha, Britania e Madhe e Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, haptazi na kanë shpjeguar qëllimet se pse Italia kërkon këto baza (ushtarake – K.F.) në Shqipëri. Edhe premtimet e garancitë, shpërblimet që na ofron, po ashtu edhe te Gjermania, që na dërgon me anën e ministrit tonë në Berlin, Rauf Ficës, që vetë Hitleri e Gjeringu na garantojnë për një Shqipëri të madhe, veçse nuk na japin as të drejtë, por na këshillojnë të mbyllim sytë dhe urtësi...
Britania e Madhe, siç ju kam shpjeguar – vazhdoi Zogu - më dërgoi më 25 mars 1939 Sir Thomas Hohler, bashkë me ministrin e akredituar këtu, Sir Andreë Ryani-n, të cilët haptazi më thanë që të merremi vesh me Italinë mbasi jeni krejtësisht të izoluar. Për sa i përket Greqisë e Jugosllavisë, - shtoi Zogu, - këta sot varen nga kërcënimet gjermane, prandaj thanë: Në emër të Britanisë së Madhe dhe të Francës gjeni një mënyrë kompromisi e kaloni këtë errësirë shumë të rrezikshme”. (Po aty, f. 361). Sugjerimet e tyre për marrëveshje, vazhdoi mbreti, nuk mund t’i pranonim, pasi kjo do të ishte për Shqipërinë tradhti. Për këtë arsye, vazhdoi ai, edhe parlamenti, edhe qeveria, kërkesat e Italisë i hodhën poshtë.
Është e vërtetë se qeveria, parlamenti dhe vetë mbreti Zog nuk e pranuan ultimatumin e qeverisë italiane, i cili skadonte në mesnatën e 6 prillit 1939. Por, kur në mëngjesin e 7 prillit filloi agresioni ushtarak fashist italian në brigjet shqiptare, Shqipëria nuk shpalli gjendjen e luftës me mbretërinë e Italisë. Përderisa Shqipëria nuk i shpalli gjendjen e luftës Italisë fashiste, rezistenca e armatosur që u zhvillua në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin nga repartet e xhandarmërisë dhe nga disa vullnetarë civilë, e cila ishte pa dyshim shprehje e patriotizmit popullor, ajo ishte nga pikëpamja juridike aksion për mbrojtjen e kufirit nga shkelësit e huaj.
Ndoshta tek ndikimi i Fuqive të Mëdha duhet kërkuar arsyeja përse Zogu nuk i shpalli Italisë gjendjen e luftës dhe nuk bëri asnjë deklaratë para se të largohej nga Shqipëria. Madje, në çastin e largimit ai nuk i drejtoi popullit të vet as një mesazh në të cilin të deklaronte se ai do të vazhdonte edhe në mërgim ta përfaqësonte Shqipërinë si shtet i lirë dhe i pavarur. Për më tepër, sapo kapërceu Kapshticën ai e shpërndau qeverinë dhe kaloi në mërgim si sovran i arratisur. Shqipëria mbeti kështu pa një qeveri antifashiste në mërgim.
Qëndrimi i Zogut për të mos shpallur gjendjen e luftës me Italinë, qe një vetëvrasje politike, e cila, siç do të shihet, e dëmtoi si Shqipërinë ashtu dhe vetë mbretin Zog. Kjo për arsye se Zogu u trajtua në mërgim si një emigrant i zakonshëm dhe jo si kryetar i një shteti demokratik dhe antifashist.
(Në foto: Ahmet Zogu në mërgim në Egjipt)
Këshillat që pretendon Zogu se atij i erdhën nga Londra dhe Uashingtoni për t’u marrë vesh me Romën duket se janë të vërteta. Fakti është se Britani e Madhe, Franca, ShBA, madje dhe Bashkimi Sovjetik, ndërsa kundërshtuan pushtimin e Çekosllovakisë nga Hitleri, po ato shtete me qëllim që ta shkëputnin Italinë fashiste nga koalicioni me Gjermaninë hitleriane, e njohën pas 7 prillit 1939 pushtimin de facto të Shqipërisë nga Roma.
Megjithatë, sugjerimet që i erdhën Zogut nga fuqitë perëndimore para 7 prillit 1939 nuk duhej ta pengonin Shqipërinë që t’i shpallte Italisë gjendjen e luftës, ashtu si nuk e penguan Eduard Benes-in t’i shpallte gjendje lufte Gjermanisë hitleriane. Shpallja e gjendjes së luftës nuk do ta keqësonte statusin e Shqipërisë. Përkundrazi, Shqipëria edhe pse do ta humbiste ashtu siç e humbi, pavarësinë, do të kishte një qeveri në mërgim dhe në fund të luftës do të trajtohej natyrshëm ashtu siç u trajtuan mbretërit dhe qeveritë e mërguara të vendeve të pushtuara, si aleat i kampit antifashist.
Largimi i Zogut si një person i arratisur në mërgim, krijoi për Shqipërinë një vacuum institucional si brenda vendit, ashtu edhe në radhët e kampit të madh antifashist. Një Shqipëri pa një qeveri mbretërore në mërgim do të thoshte se nuk ekzistonte nga pikëpamja as juridike, as diplomatike një shtet shqiptar i pavarur. Pikërisht ky vacuum i dha mundësi Benito Mussolinit për ta manipuluar statusin politik të Shqipërisë sipas interesave imperialiste të Italisë fashiste.
Më 12 prill 1939 një e ashtuquajtur Asamble Kombëtare e përbërë nga kolaboracionistë të rekrutuar si nga qarqet monarkiste zogiste, ashtu dhe nga rrethet antizogiste të emigracionit politik, shpalli se në Shqipëri nuk kishte ndodhur një okupacion ushtarak italian (sic!) por vetëm një ndryshim në kreun e shtetit shqiptar – zëvendësimi i mbretit Zog me mbretin e Italisë Victor Emanueli III, i cili tani e tutje do të quhej “Mbreti i Italisë dhe i Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë”.
Pas 7 prillit 1939 në arenën ndërkombëtare ngjarjet nuk rrodhën sipas llogarive të Londrës dhe Uashingtonit. Italia fashiste nuk pranoi të shkëputej nga aleanca me Gjermaninë hitleriane. Madje më 10 qershor 1940 Italia i shpalli përkrah Gjermanisë luftë Anglisë dhe Francës. Hyrja e Italisë në luftë kundër demokracive perëndimore krijoi një situatë të ndërlikuar për Shqipërinë.
Më 9 qershor 1940, një ditë para se Italia fashiste t’i shpallte luftë Anglisë dhe Francës, mbreti i Italisë, Victor Emanueli III, nënshkroi pa pyetur qeverinë kuislinge të Tiranës një dekret të posaçëm për Shqipërinë – dekreti nr. 194, i cili u botua në gazetën zyrtare të Shqipërisë, nr. 93 datë 10 qershor 1940. Në nenin 1 të dekretit thuhej: “Mbretëria e Shqipërisë pranon se është në luftë me shtetet me të cilët do të jetë në luftë mbretëria e Italisë”
Në bazë të këtij dekreti, gatuar në kuzhinën e Mussolinit, kur të nesërmen e nënshkrimit të tij, më 10 qershor 1940 Italia i shpalli luftë Anglisë dhe Francës, Shqipëria detyrimisht u ndodh pa dëshirën e saj në gjendje lufte me Fuqitë e Mëdha perëndimore. Pikërisht në këto rrethana doli më tepër se më parë në shesh mungesa e një qeverie shqiptare antifashiste në mërgim, pra u kuptua më mirë gabimi i rëndë politik që kishte kryer mbreti Zog, i cili më 7 prill 1939 nuk i shpalli gjendje lufte Italisë fashiste dhe e kishte shpërndarë qeverinë mbretërore shqiptare. Si rrjedhim, Shqipëria e pajisur vetëm me një administratë kolaboracioniste e kryesuar nga figura e diskredituar e Shefqet Vërlacit dhe pa një qeveri shqiptare antifashiste në mërgim, mbeti si një anije e braktisur pa busull midis dallgëve të oqeanit.
Kjo situatë u përsërit edhe më 28 tetor 1940, kur Italia fashiste i shpalli luftë Greqisë. Po atë ditë qeveria kuislinge e Tiranës e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, ishte e detyruar nga ligji i përmendur i 9 qershorit të kaluar i shpalli luftë Greqisë.
Nëse do të ekzistonte një qeveri shqiptare antifashiste në mërgim, sigurisht punët do të kishin rrjedhur ndryshe. Ekzistenca e një qeverie shqiptare në mërgim, do ta kishte rreshtuar Shqipërinë, që kur u formua koalicioni i madh antifashist, në radhët e tij dhe do ta kishte bërë pa vlerë deklaratën e gjendjes së luftës që qeveria kuislinge e Tiranës i shpalli Greqisë më 28 tetor 1940 – gjendje e luftës e cila i shkaktoi Shqipërisë në Konferencën e Paqes shqetësime serioze. Pavarësisht se këtë minus që shkaktoi monarkia zogiste e shleu Fronti Antifashist Nacional Çlirimtar së bashku me Partinë Komuniste Shqiptare – qëndrimi i mbretit Zog ndaj okupacionit fashist mbeti negativ edhe për nëj arsye tjetër.
Është e vërtetë se përfaqësuesi i tij në Shqipëri, major Abaz Kupi krijoi një çetë me luftëtarë antifashistë, por rrezja e veprimtarisë së saj mbeti e kufizuar në krahinën e veprimtarisë së saj mbeti e kufizuar në krahinën e Krujës dhe të Matit. Kërkesave që i vinin mbretit Zog nga vetë simpatizantët e tij për ta shtrirë rrezen e çetave zogiste edhe në vise të tjera të vendit, ai i vinte qeverisë britanike si kusht njohjen paraprakisht të tij si mbret i Shqipërisë edhe pas luftës.
Por qeveria britanike nuk mund të pranonte kushte nga një sovran që nuk gëzonte simpati në Shqipëri, aq më tepër që njohja e tij si sovran në mërgim kundërshtohej si nga Uashingtoni ashtu dhe nga Moska. Kështu, shpresat e Zogut për t’u rikthyer si sovran i Shqipërisë ishin shuar që më 7 priil 1939.
Mbreti Zog mbajti në mërgim një qëndrim të rezervuar edhe përballë rezistencës antifashiste shqiptare.
Ahmet Zogu vdiq në mërgim më 9 prill 1961 krejtësisht i izoluar nga faktorët politikë shqiptarë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.08.2013
Po nga Kristo Frasheri mund te lexoni dhe
EKSKLUZIVE Konica: E kam njohur Zogun, kurrë s'tha të vërtetën
Eqerem Vlora, një nga kritikët më të mëdhenj të Ahmet Zogut
DOKUMENTI SURPRIZË/ Letra e Duçes: Hasan Prishtina njeriu ynë
Ja pse e dhuroi Ahmet Zogu Shën Naumin dhe Vermoshin
Si ndikoi marrëveshja e Zogut me Pashiçin tek kufijtë e Shqipërisë
Si u bë ministër i Brendshëm 25-vjeçari Ahmet Zogu
Kristo Frashëri: Si e manipuluan historinë biografët e Ahmet Zogut
EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)