Në një shtrirje gjeografike që përshkon Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, çdo ngjarje ndërton një element të disiplinës, që në tërësi, është në gjendje të karakterizojë – mbi të gjitha – shekullin që sapo lamë pas dhe të sotmen.
Gabriella D’Amato është arkitekte dhe docente e “Historisë së arredimit dhe të dizajnit” në Fakultetin e Arkitekturës në Itali, duke shënuar në karrierën e saj edhe publikime të tjera brenda fushës, që marrin rëndësi të dorës së parë.
Ndërsa me “Histori e dizajnit” që mbërrin për artet pamore në Shqipëri do të ketë kohë për të reflektuar mbi një proces që lidhet me ardhjen e teknologjive të reja, ku për këtë disiplinë janë gjendur metoda projektuale, të paaplikuara më parë. Duke qëndruar nën trysnitë e vazhdueshme të kërkesave të konsumit gjithnjë e më masiv, autorja tregon arsyet pse është “dashur të kënaqim nevoja të reja” kur duke ndjekur, lëvizjen e shpejtë të makinarëve të rinj është harruar ritmi i qetë i mjeteve artizanale.
Mbi këtë arsye, arkitektja për të shpëtuar perceptimin e natyrshëm të këtij emërtimi të ri, dhe për të mos e ngatërruar me të vjetrën gjen arsye për të krijuar atë që e quan histori të “dizajnit”.
Kur ngre pyetjen nëse gjatë revolucionit industrial mos është themeluar ndonjë disiplinë e re, D’Amata njëkohësisht shtron perspektivën kur kalon në anën tjetër: mos ndoshta mos ndoshta artet e vjetra të aplikuara janë transformuar në atë që sot ne e quajmë “dizajn”?
“Në qoftë se do ta merrnim dizajnin si një art të aplikuar, kjo do të rishfaqte diskutimin e temave dhe problemeve të vetë atyre që merren me artet e pastra, dhe që mund të sintetizohen në konfliktin midis momentit të autonomisë dhe momentit heteronom diçka e zakonshme ndër të gjitha artet.
Për më tepër në krahasim me arkitekturën, dizajnin mund ta përkufizojmë si një art të aplikuar, mbi të gjitha sepse mbi të aplikohen eksperienca të reja (estetike, ekonomike, teknologjike), të afta për ta bërë më domethënës në aspektin social dhe kulturor”, shënohet në parathënien e librit “Histori e dizajnit”, në përgjigje të përplasjeve të sotme, të marra si përvoja sa personale aq dhe të vendosur në sintetikën e historisë, pra kur thotë “…për ta shpjeguar antihistoricizmin e dizajnit mund të kërkohet një argument shtesë në marrëdhënien e tij me avangardën figurative, që të ofron jo vetëm mundësi të reja për shprehi formale të reja, por edhe intolerancë të theksuar ndaj vetë historisë”.
Autorja jep principet si binarë mbi të cilët lëviz Historia e dizajnit. Sipas saj, principi i individualitetit mundëson njohjen e ngjarjeve, duke marrë parasysh faktin që vetë ky kriter, siç e kishte paralajmëruar në të shkuarën Lévi-Strauss, nuk varet nga veçantia e ngjarjes apo nga personaliteti i madh artistik, por mbi të gjitha nga zgjedhja e bërë nga historiku në funksion të domethënies që ai kërkon.
“Rrjedhimisht, individualiteti i një ngjarjeje mund të përfaqësohet nga një ngjarje e vetme, ose nga shfaqja e një personaliteti apo e një grupi; kështu do të mund t’i referohet një serie ngjarjesh dhe epokash vendosmëria e së cilës, në njëfarë kuptimi i pozicionon si faktorë të shkëputur, ose si zona historike”.
Rastësia dhe përzgjedhja janë principe që mban arkitektja, që hyjnë në kontekstet e ngjarjeve, ku faktori përzgjedhës bëhet për autoren arma kryesore e historikut, duke e lejuar siç thuhet në parathënie për njohjen e ngjarjeve, aspekteve dhe proceseve, nxjerrjen në dritë të vlerave që e bëjnë të denjë ngjarjen për një vlerësim historiografik dhe marrjen e atyre të dhënave që do të rrezikonin humbjen e unitetit të rrëfimit. “Në terma të tjerë, i jep mundësinë e daljes nga limboja e “res gestae”, episodeve që ia vlejnë të ngrihen në rangun e “historia rerum gestarum”.
Një skemë logjike e bazuar mbi ngjarje, premisa dhe rrjedhoja do të pasqyronte më hollësisht këto principe, duke formuar strukturën rrëfyese të temave.
Në disa raste, për arsye shfaqjeje përshkrimi i ngjarjeve mund të paraprijë atë të premisave, ndërsa në raste të tjera vetë skema do të duhej të modifikohej në funksion të ngjarjeve”. Ky libër nuk duket të jetë vetëm një çështje studimore në ndihmë të studentëve të Arteve Pamore, apo Arkitekturës, por një gjest informimi kur Shqipëria asnjëherë nuk është përfshirë ne etapa zhvillimi të kësaj fushe, e aq më tepër të ketë qenë në koherencë aq sa për të pasur një model dizajn, si histori.
Gabriella D’Amatoka publikuar pranë “Edizioni Laterza”: “L’archittetura del protorazionalismo” (1987); “Fortuna e immagini dell’Art Déco” (1991) dhe “Storia dell’arredamento dal 1750 a oggi” (1992). Ndërsa për “Bruno Mondadori”-in ka botuar “L’Arte di arredare. La storia di un millennio attraverso gusti, ambienti, atmosfere” (2001). Bashkëpunon me revistën “Op. cit. Selezione della critica d’arte contemporanea” dhe ka redaktuar shumë zëra biografikë për fjalorë, botuar nga “Utet” dhe Umberto Allemandi.
HISTORIA E DIZAJNIT
Autore: Gabriella D’Amato
Përktheu nga origjinali: Gejsi Tafa
Botoi: Shtëpia e Librit OMBRA GVG
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com