Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, deklaroi të mërkurën se kompanitë italiane e shohin me interes investimin në Shqipëri sidomos në fushën e ndërtimit.
Deklarata e diplomatit italian u bë gjatë një konference për shtyp pranë Rezidencës italiane në Tiranë, në kuadër të konferences "ITALIA ED ALBANIA- BUILDING TOGETHER" që nis punimet të enjten në Tirane. E pranishme ne konference ishte edhe zv/ministrja e Ekonomise, Brunilda Paskali.Ambasadori Gaiani vuri theksin në faktin se mbi 100 kompani italiane kanë shprehur interesimin për këtë takim, nga 15 rajone të Italisë.
"Mbi 100 kompani iu përgjigjën nismë, ka interes për sipermarrjen italiane pasi do bëhet si pikë takimi pranveror mes Italisë dhe Shqipërisë. Kjo inisiative do ti shërbejë vendosjes së pikave të kontaktit sidomos për fushën e ndërtimit. Gjthashtu është i rëndësishëm edhe bashkëpunimi mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha ambasadori Gaiani.
"ITALIA ED ALBANIA- BUILDING TOGETHER" është takimi në të cilin mbi 120 kompani italiane të profilit të ndërtimit kanë mbërritur në Tiranë, me synimin për të shkëmbyer kontaktet me kompanitë të të njëjtit profil shqiptar.Kjo iniciativë është organizuar nga Agjencia ICE, në bashkëpunim me ANCE - Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve dhe me mbështetjen e Ambasadës Italiane në Tiranë, nderësa drejtuesit kryesorë u shprehën se pritshmëritë janë mjaft të larta.
Zëvendëministrja e Ekonomisë, Brunilda Paskali, në fjalën e saj vuri në dukje se përmes kësaj konference ne synojmë informimin e investitorëve italianë me mundësitë për të investuar në Shqipëri. "Italia historikisht ka qenë partneri ynë, i pari në tregti, sipas shifrave të eksporte, ata ishin 52% në 2014, ndërsa importet 29.8% . Rritja e investitorëve është qëllimi kryesor, ne kemi punuar më tej me ligjin strategjik për investitorët, me ligjin e turizmit, zonave ekonomike. Nisma jonë për pronat shtetërore me 1 euro ka qenë e përqafuar fort nga investitorë italianë, sikurse dhe paketa fason, shpresojmë edhe për ligjin e turizmit që do jetë i tillë", theksoi Paskali.President i grupit PMI Internacionale i ANCE, Geraldo Biancofiore, tha se dita e nesërme do të jetë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit mes kompanive. " Ne si grup kompanish SME, do të donim të jepnim ndihmesën tonë për këtë sektor".
Massimo Rustico, përgjegjësi për zhvillimin e biznesit ndërkombëtar pranë ANCE, tha se vijmë në Shqipëri të bindur se do të krijojmë bashkëpunime , për konkurueshmërinë e çmimeve dhe menaxhimin e kohës së përdorur për ndërtime.
"Besoj se ka kushte për të qenë bashkë dhe për të bërë shumë gjëra", tha Rustico.
Në Tiranë nis nesër konferenca "ITALIA ED ALBANIA- BUILDING TOGETHER", në kuadër të së cilës pritet të organizohen takime b2b ndërmjet ndërmarrjeve italiane dhe shqiptare, që do të pasohen nga mbledhje operative ndërmjet ANCE (Shoqata Kombëtare e Ndërtuesve) dhe SHNSH (Shoqata e Ndërtuesve Shqiptare), OICE (Organizata e Inxhinierisë dhe Konsulencës Ekonomike) dhe SHOSHIK (Shoqata Shqiptare e Inxhiniereve Konsulentë) për thellime teknike në sektorin e infrastrukturave rrugore, aeroportuale e portuale, në ndërtim, real estate, restaurime, sektorët e hotelerisë, spitale, energji dhe ambient./atsh/