Gaiani: Italia, jo vetëm avokat i juaji
në Bruksel, më shumë bashkëpunim

Gaiani: Italia, jo vetëm avokat i juaji<br />në Bruksel, më shumë bashkëpunim
TIRANE- Italia do të jetë jo vetëm avokat i përpjekjeve të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian, por edhe do të rritë bashkëpunimin në fushat kryesore. Këtë e ka shprehur ambasadori i Italisë në vendin tonë, Massimo Gaiani, i ftuar në emisionin “Tete a tete” në “A1 Report”. Duke u ndalur tek prioritetet kyçe të axhendës gjatë presidencës italiane të Këshillit të BE-së, ambasadori Gaiani tha se theksi do të vihet tek punësimi, rritja ekonomike dhe qytetaria eurpiane.
 
Për ambasadorin italian në Tiranë prioritet gjatë kësaj presidence do të jetë edhe zgjerimi i Bashkimit Europian, si dhe rritja e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
 
Duke u ndalur tek raportet mes dy vendeve tona, ambasadori Gaiani u ndal edhe tek bashkëpunimi ekonomik.
 
Intervista në “A1 Report”
Do të flasim për një ngjarje shumë të rëndësishme siç është presidenca italiane e këshillit të BE për të gjithë shqiptarët besoj se kjo ka një vëmendje shumë të veçante. Dua të citoj diçka që ka thënë kryeministri Rama “është një fat për Shqipërinë që ka Italinë e kryeministrit Renzi në presidencën e këshillit të BE.” Çdo të thotë kjo për ambasadorin e Italisë në Tiranë?
Është diçka që na jep shumë kënaqësi. Nuk mund të bëj gjë tjetër përveçse të falënderoj kryeministrin Rama për fjalën e tij. Mendoj se është vlerësuar mënyra dhe përqasja që ka vendosur të fillojë në 6-mujorin e presidencës. Është impostimi që i ka dhënë dhe do t’i japë axhendës së punës së BE. Mendoj se ka ngjashmëri të mëdha, edhe përsa i përket vizionit të përgjithshëm të administrimit të politikës ekonomike, ashtu edhe sa i përket një karakteri strategjik që ka një interes të përbashkët. Ndoshta ka ndikuar edhe fakti se dy kryeministrat njihen, ata e njohin mirë njëri-tjetrin, kanë stimë dhe respekt për njëri-tjetrin. Kanë qenë të dy kryetarë bashkie. Të dy i përkasin qendrës së majtë, pra janë dy parti të ngjashme simotra. Kanë mbërritur në politikën kombëtare pas një përvoje të përbashkët në dy qytete të rëndësishme si Tirana e Firence.
 
Edhe mes kombeve tona ekziston një miqësi e thellë, më e thellë sesa miqësia e dy kryeministrave.
Kjo marrëdhënie vendoset mbi një marrëdhënie të konsoliduar e shumë të fortë, siç kam patur rastin ta shikoj edhe vetë. Nuk mund të mohohet forca e madhe e marrëdhënieve tona në të shkuarën, ashtu edhe në ditët e sotme. Mjafton të mendojmë se vetëm në këto muajt e fundit kemi pasur për vizitë në Tiranë dy drejtuesit kryesorë të shtetit, kryetarin e Senatit dhe presidentin e Italisë. Gjithashtu ministri i Jashtëm do të vijë shumë shpejt në një tur ballkanik në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor në fund të korrikut. Është një nga gjërat e para që do të bëjë brenda kuadrit të përgjegjësive të presidencës së BE. Shkëmbimet në nivel ministerial janë shumë të mëdha. komuniteti i biznesit dhe kryeministri ka shkuar disa herë në Itali brenda pak muajve. Të gjitha këto tregojnë se së bashku me komunitetin e madh të shqiptarëve që jeton në Itali dhe që është një forcë e vërtetë qoftë për marrëdhëniet tona, por që është gjithashtu një pasuri e madhe për Italinë. Bëhet fjalë për një komunitet prodhues, të përparuar përsa i përket pikëpamjes së biznesit. Mjafton të mendojmë se kemi 30 mijë sipërmarrës në pronësi të shqiptarëve në Itali. Nëse flasim për sipërmarrje me përmasa të mëdha di që janë 250. Flitet shpesh për 400 biznese, ndoshta dikush i ka shpëtuar inventarit tonë. Përveç bizneseve të vogla e të mesme ka njësi të tjera, studio profesionale, profesionistë të lirë. Këto nuk përfshihen në shifrat që unë përmenda, por i shtohen numrit të lejeve të punës. Tani kemi edhe studentë italianë që studiojnë në Shqipëri. Nuk është shumë domethënëse nga ana e shifrave, por simbolika është e rëndësishme.
 
Ne kemi 17 mijë studentë shqiptarë në Itali, dhe 600 studentë italianë në Shqipëri.
Nuk është e lehtë të dihen shifrat e sakta, por këto janë pak a shumë. Por është komuniteti më i rëndësishëm s ii studentëve ashtu edhe i nxënësve të shkollave të mesme në Itali.
Nisur nga presidenca italiane e BE që do zgjasë 6 muaj, dhe që mbyllet më 31 dhjetor të këtij viti, çfarë përfaqëson për Shqipërinë kjo presidencë?
Përparësitë që ne kemi zgjedhur për presidencën italiane janë shumë të qarta, mund të përmblidhen në 3 fjalë: punësimi, rritja ekonomike, dhe qytetaria europiane. Po kështu përparësi ka edhe forcimi i rolit të Europës në Botë. Do të ketë një vëmendje të veçantë edhe për politikën e zgjerimit, sidomos sa i përket Ballkanit Perëndimor. Do të kemi një vëmendje të veçantë për Shqipërinë. Sot vështirësia më e madhe për Europën është punësimi. Kemi 26 milionë të papunë, kryesisht të rinj. Për këtë është e nevojshme që të përballemi me këtë temë. Duhet të fillojmë rritjen ekonomike, duhet t’i bëjmë më të konkurueshme firmat dhe bizneset europiane. Për të rinjtë ka filluar një nismë e rëndësishme europiane dhe do mundohemi të vazhdojmë në këtë drejtim në të gjithë sektorët, duke përforcuar të gjitha nismat që kanë të bëjnë me edukimin, risitë teknologjike, qarkullimin e lirë të shkëmbimeve të lëvizjeve të punëtorëve. Të rinjtë do jenë në vëmendjen tonë. Tema e dytë ku do të synojmë është kufizimi i distancave midis qytetarëve të institucioneve europiane. Zgjedhjet e fundit në Evropë treguan se ka një problem. Ka një përqasje që nuk është e duhura. Ne duhet të tregojmë vlerën e shtuar të Europës, duhet të tregojmë se Europa duhet të bëjë shumë gjëra. Në konceptin e solidaritetit ka edhe parime te tjera që mund të zhvillohen më mirë. Ne do të mëshojmë tek këto parime për t’i dhënë çdo qytetari idenë se Europa është e domosdoshme. Na ka garantuar siguri dhe paqe dhe bota është ndryshe nga çka qenë më parë. Askush më shumë se shqiptarët që akne jetuar në një botë të mbyllur duhet ta vlerësojnë faktin se në Europë na duket plotësisht normale se mund të punohet dhe jo vetëm të udhëtohet në secilin prej vendeve pa asnjë problem. Kjo është një fitore e madhe. Ne do mundohemi ta mbrojmë me çdo kusht, dhe në këtë dimension duam të fusim, edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
 
Italia ka qenë gjithmonë një avokate e integrimit europian të Shqipërisë. Mund të themi se kemi arritur një sukses të rëndësishëm, kemi marrë statusin e vendit kandidat,. Në strategjinë e Italisë e të qeverisë shqiptare a ka ndonjë angazhim se çfarë duhet të bëhet, sepse sfidat janë të mëdha?
Dhënia e statusit është një sukses i madh i padiskutueshëm. Është një njohje plotësisht e merituar sa i përket Shqipërisë, që kishte bërë atë që Europa i kishte kërkuar. Por në të njëjtën kohë është edhe një sfidë e rëndësishme. Pasi në radhë të parë tani verifikimet dhe kontrollet do jenë më të forta. Shqipëria do të vazhdojë të punojë në rrugën e reformave. Italia do ta ndihmojë në këtë rrugëtim ashtu siç ka bërë edhe në të shkuarën, duke dhënë ndihmesë në ata sektorë siç është lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar. Ka një marrëveshje dypalëshe mes vendeve tona, ne mundohemi t’i japim Shqipërisë pjesë të përvojës sonë edhe për ta ndihmuar që të ecë përpara. Kështu do mundohemi të veprojmë edhe për reformën në gjyqësor dhe atë të administratës publike. Pra jo vetëm avokat në Bruksel, por edhe bashkëpunim në fushat kryesore, më të rëndësishme.
 
Sa i takon ndërhyrjes së policisë në Lazarat, duam të dimë nëse Italia ka pasur një rol në betejën kundër krimit të organizuar. Duam të dimë mendimin tuaj edhe për pistën e improvizuar të Divjakës ku u ndalua qytetari italian. |Duam të dimë nëse ka një qëndrim zyrtar?
Unë nuk dua të komentoj, pasi di që hetimet po vazhdojnë. Duhet t’ia lëmë prokurorisë të bëjë punën e saj. Për temën më të përgjithshme të krimit të organizuar unë përsëris se Italia ka ofruar gjithmonë përvojën dhe bashkëpunimin edhe pse siç e dini edhe ju krimi nuk njeh kufi, prandaj nëse nuk e luftojmë së bashku, i bëjmë një favor të madh krimit. Edhe nga ana ndërkombëtare krimi është i organizuar. Duhet të ketë një reagim të fortë dhe një bashkëpunim të fortë. E kemi dëshmuar dhe në Bruksel. Kohët e fundit pamë edhe një provë të kësaj, edhe vetë televizioni juaj e dëshmoi, ndoshta edhe në mënyrë dramatike atë që ndodhte në Lazarat.
 
Nëse keni një program të këtij 6-mujori, çfarë aktivitetesh po zhvillohen?
Në radhë të parë ne po organizojmë një sërë aktivitetesh kulturore sepse mendojmë se është e rëndësishme të çojmë përpara misionin kulturor të BE-së. Duam të promovojmë disa konferenca të rëndësishme që vënë në dukje rrugëtimin europian që ka kryer edhe Shqipëria, duke e parë edhe nga një perspektivë historike dhe më pas për të parë se cilat mund të jenë hapat e mëtejshme për të lehtësuar këtë rrugëtim. Më pas do mundohemi të punojmë dhe në disa çështje konkrete, edhe sa i takon marrëdhënieve dypalëshe në optikën rajonale. Brenda këtij 6-mujori të presidencës italiane do të miratohet Strategjia Europiane për Rajonin Adritatik-Jonian. Ky është një aspekt i rëndësishëm pasi do t’i ndihmojë të gjitha vendet e Adriatikut që të afrohen me BE brenda një kornize institucionale. Do të bëhet më i lehët përdorimi i mjeteve që ekzistojnë tashmë. Qëllimi ynë është që të nisemi nga temat thelbësore të strategjisë për makrorajonin, për t’u thelluar dhe më tej me veprime që të kenë kuptim për Shqipërinë dhe për gjithë rajonin. Unë këmbëngul shumë në këtë pikë. Çelësi i politikave tona është i rëndësishëm në radhë të parë që vendeve të ndryshme të rajonit të përforcojnë marrëdhëniet e tyre tregtare, kulturore, e turistike, të shkëmbimeve e lëvizjeve turistike dhe është e rëndësishme që Shqipëria, të shihet edhe si një urë për një përqasje drejt një rajoni më të gjerë, që edhe në terma ekonomike e tregtare është vërtet interesante.
 
Çfarë do të sjellë vizita e ministres së Punëve të Jashtme italiane në datën 25 korrik?
Është një dëshmi e rëndësisë së drejtpërdrejtë që Italia në ushtrimin e presidencës së radhës të BE, i jep marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor e në veçanti me Shqipërinë. Shohim edhe rëndësinë e rajonit si një i vetëm. Është një strukturë në gjithë Ballkanin. Do bëhet një tur i përgjithshëm. Perspektiva e zgjerimit është thelbësore. Me këtë tur do të promovojmë dhe vendosim në krye të axhendës europiane, temën e zgjerimit. Çdo vend me merita specifike dhe përpjekje në rrugën drejt afrimit më BE, ka rëndësi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

‘Ford’ jep një milion dollarë donacion për inaugurimin e Presidentit Trump

‘Ford’ jep një milion dollarë donacion për inaugurimin e Presidentit Trump