TIRANE - Vlerësimet për dy rivalët në garën për kryetar të Partisë Demokratike nga Mark Marku, Tritan Shehu dhe dhe Sybi Hida.

MARKU : OLLDASHI - BASHA, KOMPLEMENTUES SESA KONKURUES

Ish-deputeti i PD, Mark Marku në një prononcim për Shqiptarja.com vlerësoi të dy rivalët në garë për kreun e PD, ku i konsideroi figura komplementuese sesa konkuruese me njëri-tjetrin. “I shikoj të dy kandidatë të fortë, të cilët kanë karakteristika të përbashkëta, por dhe dalluese me njëri-tjetrin. Problem këtu është se çfarë profile do të zgjedhë anëtarësia e partisë. Do zgjedhë një profil më elektoral siç është Basha apo do zgjedhë një profil identitar siç është Olldashi. I shikoj më tepër si figura komplementare sesa konkuruese”, u shpreh Marku.
 
SHEHU: ME OPOZITEN TONE DO BEJME SERISH HISTORI

Ish-deputeti i djathtë, Tritan Shehu tha se me zgjedhjen e kreut të ri të PD, e djathta do bëjë sërish histori. “Dëshiroj të përshëndës ngrohtësisht të dy miqtë e mi, Lulzim Basha dhe Sokol Ooldashi për inisiativën e tyre të guximshme, për të konkuruar për postin e Kryetarit të PD. Jam i bindur se ky zhvillim do të jetë një stimul i fuqishëm në rrugën tonë të vështirë, por krejt të arritëshme të fitores sonë së ardhshme politike. Afate kohore? Jo rrallë ngjarjet zhvillohen shumë më shpejt nga sa mund të parashikohet. Një gjë është e sigurtë, që dhe me opozitën tonë demokratike, konkurruese, vizionare, ne do të bëjmë përsëri histori, ashtu si kemi bërë që nga viti 1990”, tha ai.
 
SYBI HIDA: GARE DEMOKRATIKE MED DY EKSPONENTEVE TE PARTISE

Ish-deputeti i Qarkut të Elbasanit, Sybi Hida e konsideron garën në Partinë Demokratike si një garë të drejtë mes dy eksponentëve të lartë në parti. “Gara përfaqëson frymën e Partisë Demokratike, një garë e drejtë, e cila kryesohet nga dy eksponentë të rëndësishëm në PD, një garë ku dhe kryeministri, i cili ka qenë është dhe do mbetet një nga figurat kryesore të kësaj partie, është shprehur se do të jetë një garë e pandikueshme dhe me vizione të qarta për kthimin e PD në mazhorancë”, tha Hida. Ndërkohë që vetë në mbledhjen e Kryesisë së partisë Berisha theksoi se duhet të shmangen ndikimet preferenciale për dy kandidatët që janë në garë.  

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

Shkrimi i botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print), dt.06.07.2013