Largimi i Ilir Prodës nga drejtimi i Policisë së Shtetit më 1 mars hapi zyrtarisht garën për zgjedhjen e kryepolicit të ri, një proces që tashmë ka hyrë në fazën më vendimtare. Në garë janë 14 kandidatë.

Sot gjatë ditës në Ministrinë e Brendshme u pa edhe e ngarkuara me punë e SHBA-së, Nensi VanHorn, ndërsa në orët e drekës mbërriti edhe ambasadori britanik, duke shtuar interesin dhe peshën ndërkombëtare mbi këtë garë kyçe për drejtimin e Policisë së Shtetit.

Lidhur me këto këto vizita të diplomatëve të lartë, juristi Kreshnik Spahiu deklaroi në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report TV se faktori ndërkombëtar nuk kërkon të imponojë një emër për drejtor të Përgjithshëm të Policisë, por të sugjerojë se kush prej emrave nuk duhet të jetë drejtori i ardhshëm i Policisë.

Kjo pasi sipas Spahiut, faktori ndërkombëtar ka rezerva për inkrimimin e një pjese të drejtuesve të lartë të Policisë. Ai shtoi se faktori ndërkombëtar ka një listë të zezë me emrat e zyrtarëve të lartë të Policisë, për të cilët ata dyshojnë se mund të jenë të inkriminuar.

“Faktori ndërkombëtar ka rezerva, sepse inkriminimi i Policisë bëhet një pengesë edhe për Reformën në Drejtësi. Sektori më problematik në Shqipëri mbetet Rendi Publik. Te Policia nuk është vetëm problemi me korrupsionin, por problematik është edhe inkriminimi.

Vetë profesioni dhe puna e lidh me krimin. Dhe këtu ndërkombëtarët kanë një listë të zezë të personave që sipas shërbimeve të tyre mund të jenë pjesë e lidhjeve direkte apo indirekte me krimin, të cilët ose mund të jenë vunerabël te pjesa e krimit dhe nuk janë persona të besueshëm.

Mendoj që ambasadorët britanikë apo diplomatët amerikanë nuk shkojnë të sugjerojnë te kryeministri se kush duhet të jetë drejtori i Policisë, por kush nuk duhet të jetë. Kjo është një listë që është e mirëpritur. Duhet veçuar se ka një proces transparent që ndiqet nga faktori ndërkombëtar. Një procedurë që vite më parë nuk respektohej”, tha mes të tjerash Spahiu.

Lista e plotë e kandidatëve për drejtor të Përgjithshëm të Policisë:
Afrim Tafa
Alfred Çepe
Arjanit Arapi
Elidon Çela
Gentian Berberi
Gentjan Shehaj
Idajet Faskaj
Lorenc Panganika
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Saimir Boshnjaku
Skënder Hita
Tonin Vocaj