Kryetari i PD-së, Berisha, që votoi paradite në orën 11:30 tha se "për herë të parë në historinë e saj, PD-ja zgjedh bazuar në parimin më demokratik "një anëtar një votë", kryetarin e saj të ri. Kandidati në garë, Lulzim Basha ka votuar në orën 12:00 duke deklaruar se "procesi në tërësi ka shkuar mirë dhe pjesëmarrja është e lartë" kurse kandidati i dytë në garë, Sokol Olldashi ka votuar vetëm pak minuta para mbylljes së votimit, në orën 19:00 duke i kërkuar ndjesë asaj pjese të anëtarësisë që nuk ka pasur mundësi të votojë, sepse nuk e ka gjetur emrin në lista.
Disa orë pas fillimit të procesit të votimit për nga shumë qarqe korrespondentët raportuan për denoncime të shumë anëtarëve se nuk kishin gjetur emrat e tyre në listat e zgjedhësve. Disa prej tyre janë shprehur të indinjuar duke e quajtur si të qëllimshme. Një prej tyre ishte edhe kryekomunari i Lumasit, Zarif Sala, i cili tha se as vetë dhe as simpatizantët e PD-së në këtë fshat nuk e kanë pasur emrin në listë.
Anëtarët e PD-së duhet të zgjidhnin ndërmjet kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe ministrit të Transporteve në detyrë, Sokol Olldashi, për herë të parë sipas parimit “një anëtar, një votë”.
Qendrat e Votimit zyrtarisht u hapën nga ora 08:00 e mëngjesit dhe u mbyllen në orën 19:00. Në disa qytete dhe në Tiranë procesi nisi normalisht por rreth orës 10: 20 shumë anëtarë në disa qytete deklaruan se nuk i gjetën emrat në listat e PD-së. Janë gjithsej 58 qendra votimi në të gjithë vendin për 39 degë të PD-së në rrethe.
I gjithë procesi udhëhiqet nga Komisioni Zgjedhor i ngritur pranë Partisë Demokratike, që përbëhet nga: kryetari Gjergj Lezhja, anëtarët Halit Shamata, Paulina Hoti, Gazmend Dibra, Bahrije Isufi, Arben Ibro, dhe Genti Minarolli. Ndërsa procesi i votimit do të asistohet nga dy anëtarët teknikë: Florian Xhuti dhe Albert Avduli. Çdo kandidat do të ketë nga një anëtar në komision.
Çfarë ndodh orë pas ore në PD
ORA 21:00 TE DHENAT PARAPRAKE TE PJESEMARRJES NE VOTIM NE RRETHE
Në orën 21:00, korrespodentën e "A1Report!" njoftuan se pjesëmarrja në votim sipas rretheve është: Durrësi - 50 %; Korça - 50 %; Vlora - 43 %; Berati - 24 %; Devolli - 40 %;
Kolonja - votuan 482 nga 644 anëtarë; Skrapari - 47 %; Kuçova - 60 %; Gjirokastra - 31 %; Tepelenë, votuan 370 nga 900 anëtarë; Përmet, votuan 350 nga 850 anëtarë; Elbasani - 50 %; Kukësi - 35 %; Lezhë, votuan 2952 anëtarë nga 5932; Shkodër, votuan 1800 nga 6910 anëtarë; Malësi e Madhe, votuan 700 anëtarë nga 1750; Tiranë - 35 %.
ORA 20:06 MBYLLET VOTIMI, PD NUK JEP ASNJË INFORMACION
Në orën 19:00 ka përfunduar procesi i votimit për kreun e PD-së dhe kutitë tani do të mblidhen në Pallatin e Kongreseve, ku pritet të vijnë edhe ato nga të gjitha qarqet. Kështu ka raportuar gazetarja Joniada Koçi nga selia e PD-së. "Ka pasur një lloj hermetizimi të situatës në selinë e PD-së ku ka qënë e vështirë për të marrë informacione për të gjitha problematikat që janë shfaqur,"- tha ajo, - "por ka qënë vetë kandidati Sokol Olldashi që e nxori vetë në pah problemin, që shumë votues nuk kanë qënë në lista. Problem tjetër ishte numri i matrikullës, i cili ka qënë i identifikueshëm, vota ka qënë e hapur, jo transparente. Mendohet se numërimi do nisë në orët e vona të mbrëmjes, kur për shkak të largësisë gjerografike, do të duhen orë për të mbërritur të gjitha kutitë nga i gjithë vendi,"- përfundoi Koçi.
ORA 19:00 OLLDASHI VOTON PAK PARA MBYLLJES: "S'E DIJA QE KAQ SHUME ANETARE S'ISHIN NE LISTA"
Kandidati i PD-së në garën për kreun e PD-së, Sokol Olldashi ka votuar pak minuta para mbylljes së votimit duke deklaruar edhe nr. rendor të fletës së tij të votimit “për të gjithë demokratët”, siç u shpreh ai.
“Procesi i votimit në PD u mbyll. Votova me fletën nr 040213. U shpreh mirënjohjen time të gjithë demokratëve që morën pjesë ne votim. U kërkoj ndjesë atyre mijëra demokratëve, që nuk votuan dot, sepse nuk gjetën emrin në listë. Ky është një problem, përmasën e të cilit e kam patur të panjohur, pasi, për asnjë moment nuk pata në dispozicion listën e votuesve. Duke ditur që në Tiranë kishte një shtesë prej rreth 2500 personash, mendova se ishte pikërisht ky kontigjent. Mesa duket paska qënë një kontigjent tjetër, që mbetet për t'u parë ç'është. Këto janë probleme që nuk kanë lidhje me rezultatin, por mbeten probleme edhe nëse nga kutitë raporti i votave del 90 me 10 për Sokol Olldashin. U uroj suksese të gjithë kandidatëve rivalë."
ORA 15:45 - BERAT, DEMOKRATET E LUMASIT JASHTE LISTAVE TE VOTUESVE
Kryetari i komunës Lumas Zarif Sala ka dalë në një konferencë për shtyp në lidhje me listat e votimit për kreun e PD-së, ku deklaroi se edhe ai nuk e ka pasur emrin në listën e votimit. Sipas Artan Dikos, korrespodent i "A1Report!" në Berat, kryekomunari Sala theksoi se të gjithë simpantizantët e komunës Lumas kanë shkuar sot për të votuar në qendrën e votimit në Berat, ku ju është thënë se nuk e kanë emrin në listë për të ushtruar të drejtën e votës. Sala tha se kjo është një padrejtësi,që po i bëhet komunës së Lumasit.
ORA 14:45 - BERAT, VOTOJNË 15%, MUNGOJNË EMRA NË LISTA
BERAT - Procesi votimit në qytetin e Beratit deri në orën 13:00 ka vijuar normalisht. Kanë votuar 417 votues, ose 15%, por duke theksuar se ka pasur disa paqartësi në listat e votuesve, si disa nuk e kishin fare emrin në lista dhe disa të tjerë kanë pasur probleme në shkronjat e emrave dhe mbiemrave. Kryetarja e komisionit, Liljana Bici thekson se procesi votimit po ecën normalisht, duke shkuar në 15% të votimit në rang rrethi. Qarku i Beratit përbëhet nga tre qendra votimi në rrethin e Beratit, rrethin e Kuçovës, si dhe atë të Skraparit. Këto janë shifrat paraprake për rrethin e Beratit.
ORA 14:45 - DURRËS, NDERPRITET NUMERIMI
DURRES - Ndërpritet procesi i votimit, pasi nuk ka rregull në hollin e Pallatit të Kulturës. Sërish ka anëtarë që denoncojnë se nuk kanë emrat në lista.
Ndërpritet procesi i votimit, pasi nuk ka rregull në hollin e Pallatit të Kulturës në qytetin e Durrësit. Hodhi është plot me anëtarë që denoncojnë se nuk kanë emrat e tyre në listat e votimit. Në qendrat e votimit të Durrësit procesi i votimit ka nisur me fluks në orët e para të ditës së sotme. Në Durrës janë 4800 anëtarë dhe 4 degë të PD-së, një në Durrës, Krujë e Shijak e Fushë Krujë.
(Foto: Pamje nga Pallati i Kultures, njerez që denoncojnë se nuk gjejnë emrat në lista)
Ora 13:00 - PUKË, ZHBLLOKOHET VOTIMI NE PUKE
U mblodh kryesia e PD-së në rreht e Pukës dhe u vendos që të gjithë personat anëtarë që nuk janë në lista të votojne kartë identiteti
ORA 12:30 - TOPALLI: PD DO T'I JAPË LEKSIONE KUNDËRSHTARIT POLITIK
TIRANE- Kryetarja e Kuvendit në detyrë, Jozefina Topalli votoi në selinë PD, në Tiranë për kreun e ri të kësaj partie. Pasi ka votuar, ajo ka dalë para gazetarëve, duke deklaruar se "ata kanë bërë të mundur në momente të vështira për PD-në të realizojnë një proces emancipues për politikën shqiptare. Jam e frymëzuar nga çdo anëtar i PD për shpirtin e tyre të madh, të thellë demokratik". Ajo nuk ka harruar të përmendë meritat e Sali Berishës, i cili sipas Topallit "edhe pasi ka dhënë dorëheqjen ka vendosur një standard më të lartë në politikën shqiptare". Topalli ka reaguar edhe mbi situatën dhe deklaratat pas rinumërimit të votave në Lezhë dhe Shkodër: "PD do t’i japë leksione edhe kundërshtarit politik, që ka përdorur forcën, paranë për të marrë pushtetin", ka përmbyllur deklaratën e saj Topalli.
ORA 12:00 - BASHA: VOTIMI PËR KREUN E PD, PROCESI I PARË JO FALS
TIRANE- Ka votuar pranë selisë së Partisë Demokratike edhe kandidati në garën e sotme për kryetarin e kësaj partie, njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. "Procesi në tërësi ka shkuar mirë. Pjesëmarrja e lartë. Falenderim të thellë për anëtarët dhe militantët e PD, pjesëmarrjen në këtë proces të pashoq, procesi i parë i vërtetë, jo fals, i partisë më të madhe në vend me parimin “një anëtar një votë", ka theksuar Basha. Ai ka falenderuar anëtarët e PD për shpirtin demokrat, vlerat, idealet e këtij shpirti, që mori vlera gjatë qëndresës sonë dhe që që i përçon këto vlera dhe këto ditë, duke iu treguar mirë kolegëve dhe kundërshtarëve politkë atë që ne dimë të bëjmë më mirë se kushdo tjetër vlerat e demokracisë, vlerat e votës dhe shprehjes me votë".
ORA 11:30 - BERISHA: VOTIMI MË DEMOKRATIK NË HISTORINË E PD-së
TIRANË - Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha votoi rreth orës 11:30 në selinë e PD në Tiranë për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. "Dua të theksoj me kënqësi të veçantë, se kjo është një ditë historike për Partinë Demokratike, pasi për herë të parë në historinë e saj dhe të vendit zgjedh bazuar në parimin më demokratike "një anëtar një votë" kryetarin e saj të ri. Berisha nuk ka harruar të theksojë se "ky është një rast i shkëlqyer për t'u përcjellë përshëndetjet më të përzemërta të gjithë anëtarëve të PD për mënyrën e civilizuar, që ata ndoqën dhe respektuan garën e hapur për kryetar partie, por dhe për pjesëmarrjen sot në votime". "I siguroj që do jem njëri prej tyre, për të bërë gjithçka, që në një fillim të fuqishëm të PD, ajo ta shndërrojë garën e saj të parë në fitore të thellë", përfundoi mesazhin e tij Berisha.
(Foto: Berisha duke votuar ne PD)
Ora 11: 27 - PUKE, BLLOKOHET VOTIMI
PUKË - Shkak janë bërë problemet me listat e anëtarësisë, pasi dhjetëra persona nuk kanë gjetur emrat e tyre në lista. Problemet më të mëdha kanë qenë me anëtarësinë e qytetit Fushë-Arrëz dhe komunën Qafë Mali. Dhjetra persona, të cilët kanë shkuar në qytetin e Pukës për të votuar, nuk kanë gjetur emrat e tyre në lista, megjithëse janë anëtarë të kësaj partie prej shumë vitesh. Kur nuk kanë gjetur emrat, anëtarët e PD-së kanë nisur debatet në qendrën e votimit dhe për pasojë, procesi është ndërprerë. Nga burime brenda degës PD mësohet, se në lista ka emra të disa personave që kanë ndërruar jetë që prej viteve 2008 apo 2009, ndërsa janë hequr nga listat, edhe disa emra në qytetin e Pukës, nga themeluesit e parë dhe njerëz me peshë në Partinë Demokratike. Pas bllokimit të procesit dhe evidentimit të problemeve, kryedia e PD-së në pukë ka nisur një mbledhje urgjente, pasi pretendohet se në lista janë futur njerëz që nuk njihen si anëtarë të Partisë Demokratike.
ORA 10:40 - SHKODER, PROBLEME ME LISTAT
SHKODËR - Edhe në Shkodër raportohen se nuk gjejnë emrat në listat e anëtaërve të PD.
Sipas drejtuesve të PD në qark ky problem ka lindur pasi listat janë hartuar nga rajonet dhe ka pasur emra që nuk kanë qenë ose kanë qenë anëtarë por janë harruar.
ELBASAN- Korrespondenti yne Andi Qosja informon per probleme me emrat ne Lista. Qarku i Elbasanit me 5427 anëtarë që votojnë në katër qëndra votimi në Elbasan Grmash Librazhd dhe Peqin. Ky qark njihet si bastion i kandidatit Lulzim Basha.
ORA 10:00 - PROBLEME ME LISTAT NE DISA QYTETE
GJIROKASTER- Korrespondenti ynë Piro Nase informon se në QV e ngritur në selinë e PD, dhe rreth orës 10:00 është bllokuar procesi pasi shumë anëtarë deklarojnë se nuk e kanë emrin në listat e tyre. Në një prononcim telefonik për TV A1 Report, Adriatik Islami, ish kryetar i PD-së së Gjirokastrës tha: “ 60 % e themeluesve dhe militantëv e të PD janë hequr qëllimisht nga lista dhe janë pltoësuar me anëtarë jo në lista të PD.” ”Kjo është njollosje që i është bërë procesi, Manipulimi i listave nuk ka të bëjë me preferencën e Olldashit apo Bashën por për ata struktura të cilat duan të ruajnë statuskuonë dhe duan që të zgjedhin kryetarin e ri të Gjirokastrës"- tha Islami.
LEZHE- Edhe në Lezhë anëtarë të PD deklarojnë se nuk gjejnë emrat në lista, informon korrespondenti yne, Julian Hila. Anëtarët e PD deklarojnë se kjo është e pakuptimtë dhe akuzojnë drejtuesit vendore të PD-së se e kanë kthyer PD-në në Parti Komuniste.
DURRËS- Procesi i votimit ecën normalisht, por ka parregullsi në lista. Shumë anëtarë nuk kanë emrat në listat e zgjedhësve. Korrespondenti ynë Artur Korriku informon se në mëngjes ka pasur fluks në qendrat e votimit. Në Durrës janë 4800 anëtarë dhe 4 degë të PD-së, një në Durrës, Krujë e Shijak e Fushë Krujë.
ORA 10:00 BERISHA NE FACEBOOK: SOT VENDIM HISTORIK
ORA 09:45 BASHA OLLDASHI E BERISHA VOTOJNE NE SELINE PD, 15 MIJE FLETE VOTIMI ME SHUME
Nga selia PD, gazetarja e Tv A1 Report Jetona Koçibelli informon se si kryeministri në detyrë, Sali Berisha ashtu dhe dy kandidatët në garë, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha do të votojnë në qendrën e votimit të ngritur në selinë PD. Gjithsej janë përgatitur 120 mijë fletë votimi, 15 mijë fletë më shumë se numri i anëtarësisë (105 mijë). Në secilën prej 11 njësive bashkiake në Tiranë janë ngritur qendrat e votimit. Ndërsa në Shkodër e në Kamëz janë ngritur nga 2 Qendra votimi për shkak të numrit të madh të anëtarësisë. Janë gjithsej 200 kuti votimi.
ORA 08:40 FIER, VLORE, KORÇË KA NISUR VOTIMI
TIRANË - Janë të hapura të gjitha qendrat e votimit. Edhe në selinë PD, ku do të votojë Berisha është hapur votimi.
FIER- Ka filluar votimi për kreun e ri të Partisë Demokratike. Pesë mijë anëtarë janë thirrur për të votuar në qendrat e votimit. Sekretari i degës së PD-së, Admirin Shehu përfaqësues i Bashës është kryetar i komisionit, ndërsa Agron Bendo i Olldashit. Në komision janë edhe dy anëtarë të kryesisë së degës së PD, Fier.Qarku i Fierit nijihet si bastion i kandidatit Sokol Olldashi i cili prej 2009 është deputet në këtë zonë. 5056 antarë të kësaj force politike do të votojnë në tre qëndra votimi një në Fier një në Lushnjë dhe një në Ballsh.
KORÇË- Ka nisur procesi i votimit. Në çdo rreth që ka ky qark ka nga një QV. Rrethi i Korçës ka 5200 anëtarë me të drejtë vote. Në Devoll janë 2300 anëtarë, ndërsa në Kolonjë 700 anëtarë.
VLORE- Ka nisur procesi i votimit. Do të votojnë 3500- 4000 anëtarë të PD-së. Votimi bëhet në Pallatin e kulturës në Vlorë.
KU DO TE ZHVILLOHEN VOTIMET
Votimi do të zhvillohet në 58 qendra votimi në të gjithë vendin. Anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe deputetët me banim në Tiranë, votojnë në qendrën e votimit, në selinë e Partisë Demokratike.
Në votim do të marrin pjesë vetëm ata, që janë të anëtarësuar para muajit maj, edhe pse kohët e fundit ka pasur një dyndje të madhe në selinë blu për të shtuar anëtarësimet dhe për të votuar preferencën.
Po kështu janë përcaktuar edhe vendvotimet, dhe sipas Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, anëtarësia do të informohet pranë çdo dege të Partisë Demokratike në rrethe apo çdo grup-seksioni në Tiranë.
Këshilli Kombëtar dhe Deputetët me banim në Tiranë, do të votojnë në qendrën e votimit, në selinë e Partisë Demokratike.
Ndërkohë, të dy krerët Olldashi dhe Basha dje kanë mbyllur fushatat me fjalimet përfundimtare dhe mesazhet kryesore për reformimin dhe të ardhmen e PD.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)