“Sali Berisha e ka degraduar Partinë Demokratike në atë pikë sa që çfarëdo që të bëjë nuk e sjell atë në pushtet, në mos do ta marrë me vete në varr’, ky ishte konkluzioni i kandidates për kreun e PD Alesia Balliu dhe Bujar Nallbanit, ish kandidat për kreun e PD-së të ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV ku u diskutua gara për kreun e PD-së dhe e ardhmja e kësaj force politike.
Në narrativën e tij, Nallbani argumentoi se problemi kryesor i Partisë Demokratike lidhet drejtpërdrejt me lidershipin, mungesën e meritokracisë dhe kontrollit nga një rreth i ngushtë njerëzish.
“PD është e degraduar dhe kurrë nuk e merr pushtetin. Një forcë politike me kryetar të degraduar nuk vjen kurrë në pushtet. Evi Kokalari dhe Alesia duhej të bënin një garë të mirëfilltë për ta marrë atë parti dhe jo t’ia linin një plaku të rrjedhur që po shkon drejt varrit. Ai do ta marrë partinë në varr. Po ta merrte Sokol Olldashi PD do të ishte ndryshe. Ishte një ithtar i së vërtetës që thoshte atë që duhej. Prandaj e hoqën nga gara dhe ia dhanë Benjaminit të tyre, të përkëdhelurit të familjes, gjumashit të PD-së. Nga viti 2013 e sot, PDka ndryshuar në sensin negativ dhe kështu do të jetë deri sa të varroset me plakun” tha Nallbani.
Alesia Balliu nënvizoi faktin se Partia Demokratike po drejtohet nga një grup i vogël individësh që nuk respektojnë ligjin dhe statutin, duke e kthyer forcën mbi rregullin. Në këto kushte, ajo thekson se një parti që nuk zbaton ligjin brenda vetes nuk mund të pretendojë të qeverisë vendin.
“Në momentin që je i vetëpërjashtuar nga Statuti dhe neni Basha, ti këtu nuk po zbaton ligjin dhe po tregon forcë. Ti kërkon të përjashtosh kandidatët e tjerë kur ty të ka përjashtuar ligji dhe statuti. Koha politike e Berishës ka mbaruar. Unë nuk e njoh Sali Berishën si kryetar. Ai nuk respekton ligjin dhe tregon që me forcë ecet përpara nuk mund të jetë kurrë një shembull për tu ndjekur nga masa. Ai do të mbajë vetëm një grusht njerëzish që e ndjekin nga detyrimi jo nga atdhedashuria. Kjo parti nuk mposht dot PS kur nuk respekton ligjin. Ai mund të vetëshpallet çfarë të dojë por nuk përfaqëson më demokratët. Grupi i tij që e shoqëron në parlament marrin rrogë ndaj e ndjekin. Marrin 4 milionshin në muaj dhe nuk i kundërvihen Berishës. Ata janë rrogëtarët e Berishës ” tha Balliu.
E pyetur nëse do të lejohet nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së për tu bërë pjesë zyrtarisht e garës për kryetar të PD-së, Balliu sulmoi direkt Flamur Nokën që sipas saj nuk ka as nivelin e as legjitimitetin për ta bërë këtë.
“Nuk lejoj që një njeri mediokër si puna e Flamur Nokës të shohë kandidaturën time. Jam tepër e kualifikuar për tu vlerësuar nga Flamur Noka. Unë do ndjek çdo hap ligjor. Berisha nuk mund të jetë kandidat sepse shkel ligjin dhe statun e PD. Berisha nuk është më e ardhmja e vendit. Vetëm në Shqipëri ndodh që kandidati që do garojë për kryetar partie duhet të zgjedhë atë që ka përballë. Kjo është çmenduri. Kush është Sali Berisha të vendosë kandidatin që do të ketë përballë? Atëherë mos thuaj që je PD, apo që këtu ka garë. Thuaj që kjo është prona ime dhe këtu vendos unë. Kështu je më i ndershëm me demokratët. Kjo parti nuk është demokratike për sa kohë nuk pranon garën” tha ajo.
Balliu tha se zgjidhja mund të vijë nga gjykata, ndaj iu drejtua demokratëve me një apel.
“Unë i drejtohem çdo demokrati që e do PD-në dhe i them që Sali Berisha nuk mundi dot rezultatin e Lul Bashës në vitin 2021, si mund të mundë Edi Ramën? Në të tilla raste duhet t'i drejtohemi gjykatës. Kjo do ndodhë në momentin e duhur. Berisha nuk është më kryetar. ” tha Balliu.
I ashpër në diskursin e tij ishte edhe Nallbani, i cili akuzoi Berishën se ka ndjekur direktivat e Serbisë për të shkatërruar Shqipërinë
“Kemi ligjin por kemi edhe Maliqin. Më kujtohet Saliu shumë mirë, një bllokmen, një komunist i regjur që me agjenturën e brendshme dhe të jashtme , përveç lidhjeve familjare që ka me Serbinë. Pse mos të supozojmë që ky kishte direktivat e Serbisë për ta dërrmuar dhe shkatërruar Shqipërinë. Saliu dhe benjaminët e tij nuk respektojnë garë. PD ëshë e privatizuar. Demokratët duhet ta ngrejnë zgupthi e ta hedhin në Lanë. Ai po mbahet me thonj tek partia edhe pas non-gratës” tha Nallbani.
Balliu nga ana tjetër e përshkroi Berishën si një frikacak me 40 kukulla që bëjnë siç thotë kryetari, një njeri që sipas saj, pasurohet bashkë me të birin, ndërkohë që populli është në varfëri.
“Frika e Sali Berishës nga kandidatët e tjerë në garën për kreun e PD është aq e madhe sa ai po garanton që kjo parti të mos ketë garë dhe të ketë një votëbesim ku ai të arrijë të jetë në krye të PD. Unë nuk kam hyrë në politikë për të qenë kukull. Berisha ka 40 kukulla, të cilave u pushon gojën dhe i detyron të ngrejë kartonin. Unë nuk jam kukulla e Berishës. Une besoj tek gara dhe demokracia. Prandaj mora kurajon të sfidoj Sali Berishën ndërkohë që ai tregoi që ka frikë dhe fobi nga gara. Kjo e tmerron, por unë jam e gatshme t'i shkoj deri në fund. Pa garë, pa demokraci, më mirë t'i vëjë emrin Partia Komuniste e drejtuar nga Sali Berisha. Kjo parti i shërben vetëm interesave të Sali Berishës. Populli është në varfëri, doktori dhe i biri vetëm pasurohen. Ai do të vrasë shpresën e të gjithë atyre shqiptarëve që duan ndryshimin dhe rrëzimin e Edi Ramës. Mua më ka privilegjuar me përjashtimin që më ka bërë sepse më ka renditur krah figurave që kanë guxuar dhe kanë thënë të vërtetën pa frikë dhe kanë bërë luftë për idealin. ” përfundoi Balliu.
Komente









