NJU JORK- Kandidatët për zëvendëspresident të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden dhe Paul Ryan u përplasën ashpër në të vetmin debat televiziv në prag të zgjedhjeve të 6 nëntorit. Përballja e të enjtes mbrëma në Kentucky u moderua nga Martha Radatz e rrjetit televiziv ABC News dhe u përqëndrua tek politikat e sigurisë kombëtare, ekonomia, taksat dhe kujdesi shëndetësor.

Demokrati Biden ishte agresiv dhe në disa momente nuk nguroi ta ndërpresë rivalin e tij me qëllimin për të mbrojtur politikat e ndjekura nga Presidenti Barack Obama. Mediat konstatojnë se republikani Ryan ishte relativisht i qetë ndonëse ishte debati i tij i parë në nivel kombëtar. Biden i bëri thirrje Kongresit ku shumicën e kanë republikanët që ti hapë rrugën administratës së Barack Obamës që të përmirësohet situata ekonomike. Gjatë debatit të mbajtur në një kolegj në Këntaki, Biden fajësoi republikanët për recesionin ekonomik të vendit. "Ata flasin për këtë recesion të madh sikur të ketë rënë na qielli duke thënë ‘O zot, nga na erdhi ky’? Na erdhi nga një njeri që pagoi për dy luftëra me kartë krediti”, ironizoi Biden.

 Në vlerësimin e rivalit Ryan, Presidenti Barak Obama dhe Kongresi demokrat erdhën në fuqi në vitin 2008, duke qënë e vetmja parti në kontroll dhe bënë çfarë deshën. Ai theksoi se administrata u tha amerikanëve se nëse do të miratohej paketa stimuluese, ekonomia do të rritej me katër përqind, por ajo po rritet vetëm me 1.3 përqind. Debati u përqëndrua edhe tek politika e jashtme ku Biden duke ju referuar vrasjes së ambasadorit në Libi premtoi se çdo gabim i bërë muajin e kaluar nuk do përsëritet më. Ryan reagoi duke thënë se administratës ju deshën dy javë që të pranonte se ky ishte një akt terrorist. Duke ju referuar çështjes së Iranit, Ryan tha se ky vend është bërë i papërmbajtur sepse administata Obama nuk ka besueshmërinë e duhur për çështjen e programit bërthamor të Iranit. Biden iu kundërvu kësaj akuze, duke thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë vënë sanksionet më të rënda Iranit në historinë e tij. Biden njihet si debatues me përvojë dhe politikan i aftë për 36 vjetët e shërbimit të tij në Senat, para se të bëhej nënpresident në vitin 2009. Ryan, kongresmen nga Wiscoins, konsiderohet një yll në ngritje brenda Partisë Republikane por ka pak eksperiencë në raport me rivalin.

(dm/sg/shqiptarja.com)