Bujqësia është sektor i nënfinacuar nga sektori bankar dhe kjo situatë duhet të ndryshojë. Apeli vjen nga institucionet shtetërore drejtuar bankave të nivelit të dytë.

Fokusi i takimit të zhvilluar në Ministrinë e Financave me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Bujqësisë dhe përfaqësues të sektorit bankar, ishte garancia sovrane prej 30 milionë euro e miratuar vjet nga qeveria që parashikon marrje kredie pranë bankave me normë interesi 2%, dhe me garanci shtetërore 70%.

Por pavarësisht kësaj skeme garancie, aplikimet e së cilës u hapën në 2025-ën, shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bankat kanë dhënë vitin e kaluar për bujqësinë vetëm 26.4 milionë euro hua, nga 27.2 milionë euro që ishte vlera në vitin 2024. Totali i kredisë së dhënë për bujqësinë është vetëm sa 1% e huave të reja që u dhanë në 2025-n.

Ndaj të institucionet përkojnë nga sektori bankar të intensifikojnë përpjekjet për të mbështetur sektorin, në mënyrë që të përfitojnë nga kjo garanci shtetërore.

Gjatë diskutimeve guvernatori Gent Sejko vlerësoi garancinë si instrument që nxit kreditimin, por tha se duhet të vazhdojë bashkëpunimi mes institucioneve për të informuar edhe fermerët për përfitimet e skemës. Aktualisht sipas Sejkos janë në proces vlerësimi një sërë aplikimesh nga fermerët për të marrë kredi të mbuluar nga kjo skemë.

Kurse ministri i Bujqësisë Andis Salla, thekson se rritja e interesit dhe e aplikimeve nga fermerë apo biznese agro-përpunuese tregon nevojën e sektorit për financim, si dhe potencialin afatgjatë të perceptuar nga sipërmarrësit.

Ministri i financave Petrit Malaj thekson se mbështetja për sektorin do të vijojë edhe përmes skemës kombëtare apo kompensimit 10% të TVSH-së për fermerët.