Komisioni Evropian ka përsëritur qëndrimin e tij për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke theksuar se pret koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota mes komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës. Reagimi i Serbisë ishte i menjëhershëm. Beogradi sot i dërgoi një letër proteste të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, duke kundërshtuar këtë qëndrim.
Në një konferencë për mediat, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, tha se BE-ja pret që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve.
“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.
Ajo kujtoi se ura është aktualisht e hapur për këmbësorët, por jo për qarkullimin e automjeteve.
“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, u shpreh zëdhënësja e Komisionit Evropian.
Deklarata vjen disa ditë pasi KFOR-i njoftoi se ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme në urën mbi Ibër, duke argumentuar se situata e sigurisë është përmirësuar. Megjithatë, misioni i NATO-s do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut dhe në veri të Kosovës.
Në reagimin e tij, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se Beogradi e sheh me shqetësim deklaratën e Bashkimit Evropian.
“Një vlerësim i tillë është veçanërisht shqetësues për Serbinë, pasi nuk pasqyron gjendjen reale në terren dhe as faktin se parakushtet kyçe, të dakordësuara më parë në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, ende nuk janë përmbushur”, thuhet në letrën e protestës.
Petkoviç pretendon se nuk është zgjidhur ende çështja e kufirit administrativ mes Mitrovicës së Veriut dhe Jugut në zonën e Suhodollit dhe se marrëveshja për urën e vitit 2015 parashikonte që hapja e saj të shoqërohej edhe me zgjidhjen e çështjeve të sigurisë.
“Situata aktuale e sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, tregon se hapja e urës në këtë moment nuk do të ishte e sigurt dhe do të rriste më tej ndjenjën e pasigurisë te popullsia serbe”, shkruan ai.
Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç njoftoi se do t'i dërgojë një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për t'i kërkuar që të mos lejohet hapja e urës për qarkullimin e automjeteve.
“Këtë po e bën turku, komandanti i KFOR-it. Sot do t'i shkruaj Mark Rutte-s dhe shpresoj që t'i përgjigjet letrës sime dhe ta pranojë kërkesën time që kjo të mos bëhet”, deklaroi Vuçiç në Beograd.
Ai e cilësoi situatën si “turp të madh dhe zhgënjim”, ndërsa tha se Serbia do të vazhdojë të mbështesë, sipas tij, “popullin e vet”.
Ura mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare nga Mitrovica e Veriut me shumicë serbe, është mbyllur për qarkullimin e automjeteve që pas luftës së vitit 1999. Edhe pse Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e saj në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe punimet e rehabilitimit përfunduan në vitin 2018, ura nuk është hapur ende për automjete.









Komente
Komento