Shpenzimet për pushtetin vendor në vitin 2027 janë planifikuar në vlerën e 114 miliardë lekëve, nga të cilat 56 miliardë shpërndahen nga buxheti i shtetit. Fonde do të përfitojnë edhe 15 bashkitë që do të shkrihen pas reformës së re territoriale, të cilat do të mund t’i shfrytëzojnë deri në shtator 2027, kur pritet kostituimi i 46 bashkive të reja.
“Konstituimi i bashkive të reja do të ndodhi në muajin shtator dhe për tremujorin e fundit që do të mbetet nga viti, nëpërmjet një akti normativ, fondet të cilat kanë janë të alokuara te bashkitë që do të përthithen do t'i kalojnë bashkive të cilat po i përthithin”, sqaron Ministri i Financave Petrit Malaj.
Gjithashtu Ministri i Financave Petrit Malaj sqaroi se vitin tjetër do të ndryshojë edhe formula se si ndahet buxheti për bashkitë.
“Ne përgjatë vitit që vjen do të rishikojmë edhe formulën i shpërndarjes përsa i përket granteve të pakushtëzuarave që ju japim bashkive pasi do duhet të rishikohet edhe për vetë faktin sepse do të kemi një rishikim të numrit, por nga ana tjetër do duhet që të fillojmë edhe të mendojmë për një autonomi më të madhe për sa i përket pushtetit vendor”, tha Malaj.
Aktualisht fondet që shkojnë për bashkitë si transfertë e pakushtëzuar bazohen në treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së saj, si dhe numrit të nxënësve dhe rregullohen më tej duke ndjekur një ekuacion financiar bazuar në kapacitetin fiskal të bashkisë për të rritur të ardhurat. Por me uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, edhe kjo formulë do t’i përshtatet ndarjes së re.






Komente
Komento