Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët se PD ka përfunduar procesin e riorganizimit të forumeve drejtuese, të cilin e cilësoi si "procesin më të thellë të ripërtëritjes që nga themelimi i partisë".
Deklaratat e tij vijnë pavarësisht se në praktikë ‘ripërtëritja’ ishte vetëm si slogan, pasi në postet kyçe drejtuese në PD u vendosën pjesëtarë të ‘gardës së vjetër’, përfshi Flamur Nokën i cili u rizgjodh si sekretar i Përgjithshëm i partisë.
Sipas tij, shumica e strukturave drejtuese përbëhen dhe drejtohen nga figura të reja, ndërsa shtoi se është rritur përfaqësimi i të rinjve, grave dhe diasporës.
“Ky proces u zhvillua në moton e ripërtëritjes së PD dhe u them me kënaqësi, jo vetëm të ripërtëritjes në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare në këtë parti. Kështu sot në Këshillin Kombëtar të PD, 60 % e përbëjnë të rinjtë dhe gratë dhe ky është një proporcionim shumë i rëndësishëm për ne sepse patëm trashëguar një deformim nga i cili u ndamë përfundimisht. Dy të tretat e kryesisë së zgjedhur të PD, zgjidhen për herë të parë sikundër tre nënkryetarë të PD zgjidhen për herë të parë. Nga 14 sekretarë, vetëm 3 janë të rizgjedhur”, theksoi Berisha.
Berisha u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në protestën qytetare në Tiranë, duke e cilësuar atë si mjetin kryesor për arritjen e objektivave të opozitës. "Protesta dhe vetëm protesta është rruga për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri", u shpreh ai.
Kreu i PD-së komentoi edhe raportin e Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës në Shqipëri, duke thënë se ai evidenton problematika serioze dhe përbën një mbështetje për opozitën në përpjekjet e saj për të denoncuar situatën në vend.
Gjatë bashkëbisedimit, Berisha përsëriti gjithashtu kritikat ndaj qeverisë për ekonominë dhe procesin zgjedhor, duke deklaruar se, sipas tij, nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën në pushtet.
Lajmi kryesor:
Berisha: Presidenti ‘kukull’, pro zgjedhjes së tij nga populli! Tërheqje nga primaret? Në PD ka një debat të madh









