Një president nga populli. Sali Berisha është i gatshëm të ulet me Edi Ramën për ndryshime kushtetuese që do të sillnin zgjedhjen e kreut të shtetit me votë të drejtpërdrejtë, dhe jo nga Kuvendi, siç është aktualisht mbi bazën e Kushtetutës së miratuar në 2008-ën me konsensusin PS-PD. Kryedemokrati thotë se pse ka ndryshuar qëndrim për institucionin e Presidentit.
“Nuk jam kundër zgjedhjes së presidentit nga populli, mbasi historia e presidentëve jo njëherë, por më shumë se njëherë është histori kukullash. Dhe kombi nuk ka nevojë për kukulla. Nuk ka nevojë. Kombi, vendi, ka nevojë për institucione. Institucione që i përmbahen Kushtetutës. Ndaj dhe nuk kundërshtoj, nuk kam qenë dakord dikur me këtë proces, por sot kur shoh asgjësimin e atij institucioni që është institucion shumë i rëndësishëm, mendoj se ai i duhet vendit dhe kombit si institucion i vërtetë dhe jo fake siç është”, tha Berisha.
Me përfundimin e të ashtëquajturës ripërtëritje, Berisha thotë se PD tashmë ka gati një ekip që do ta çojë drejt fitores elektorale, ardhjes në pushtet, pas 13 vitesh në opozitë.
“PD ka shpalosur kualitete dhe vlera ndër më të shquarat. Kështu që në kilometrin e fundit të saj, ajo ka një ekip të pajisur me të gjitha aftësitë për të udhëhequr këtë parti për përmbushjen me sukses të misionit të saj. Duhet të theksoj me këtë rast se ne jemi një parti që bazohemi tek vota e anëtarëve tanë dhe shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë bashkëpunëtorët e mi që nuk u zgjodhën, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm”, tha Berisha.
Por rruga për t’i zgjedhur kandidatët e zgjedhjeve të ardhshme që janë ato vendore të 2027, jo domosdoshmërisht do të jenë primaret. Kreu i PD bën një hap pas duke thënë se ka një debat në selinë blu për t’i hequr ato.
“Ne kemi vendosur një bashkëpunim të ngushtë, me dy institute amerikane. Institutin Republikan, një aleat që nga vitet ‘90 i Partisë Demokratike, dhe Institutin e Lidershipit. Dhe do të bëjmë një konsultë të gjerë me ta, për të marrë vendimin përfundimtar”, theksoi Berisha.
Berisha komentoi edhe raportin e një dite më parë të Komisionit Europian për shtetin ligjor, duke thënë se evidentoi mbrojtjen që mazhoranca i bëri korrupsionit të Ballukut jo vetëm me sulmet ndaj organeve të drejtësisë, por edhe duke mos lejuar arrestimin e saj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët se PD ka përfunduar procesin e riorganizimit të forumeve drejtuese, të cilin e cilësoi si "procesin më të thellë të ripërtëritjes që nga themelimi i partisë".
Deklaratat e tij vijnë pavarësisht se në praktikë ‘ripërtëritja’ ishte vetëm si slogan, pasi në postet kyçe drejtuese në PD u vendosën pjesëtarë të ‘gardës së vjetër’, përfshi Flamur Nokën i cili u rizgjodh si sekretar i Përgjithshëm i partisë.
Sipas tij, shumica e strukturave drejtuese përbëhen dhe drejtohen nga figura të reja, ndërsa shtoi se është rritur përfaqësimi i të rinjve, grave dhe diasporës.
“Ky proces u zhvillua në moton e ripërtëritjes së PD dhe u them me kënaqësi, jo vetëm të ripërtëritjes në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare në këtë parti. Kështu sot në Këshillin Kombëtar të PD, 60 % e përbëjnë të rinjtë dhe gratë dhe ky është një proporcionim shumë i rëndësishëm për ne sepse patëm trashëguar një deformim nga i cili u ndamë përfundimisht. Dy të tretat e kryesisë së zgjedhur të PD, zgjidhen për herë të parë sikundër tre nënkryetarë të PD zgjidhen për herë të parë. Nga 14 sekretarë, vetëm 3 janë të rizgjedhur”, theksoi Berisha.
Berisha u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në protestën qytetare në Tiranë, duke e cilësuar atë si mjetin kryesor për arritjen e objektivave të opozitës. "Protesta dhe vetëm protesta është rruga për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri", u shpreh ai.
Kreu i PD-së komentoi edhe raportin e Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës në Shqipëri, duke thënë se ai evidenton problematika serioze dhe përbën një mbështetje për opozitën në përpjekjet e saj për të denoncuar situatën në vend.
Gjatë bashkëbisedimit, Berisha përsëriti gjithashtu kritikat ndaj qeverisë për ekonominë dhe procesin zgjedhor, duke deklaruar se, sipas tij, nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën në pushtet.
Komente









