Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg gardistin Admir Dervishi i cili dy ditë më parë qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij duke e lënë të vdekur në vend. Ai ka deklaruar para Gjykates se e ka vrarë gruan, pasi nuk e respektonte.

Dervishi ka dalë sot përpara togave të zeza të cilat e kanë konsideruar të ligjshëm ndalimin e tij, ndërkohë që kanë dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale të “Vrasjes”.

Ai nuk ka shfaqur shenja pendese, ndërkohë që nuk mbante mend çfarë kishte ndodhur.

"Kemi pasur konflikte të vazhdueshme. Nuk më respektonte. Nuk mbaj mend gjë. E kam vrarë" ka deklaruar ai. 

Admir Dervishi pas një sherri që kishte me gruan e tij, nxorri armën e shërbimit dhe e qëlloi atë.

Bashkëshortja, Ilda Dervishi vite më parë kishte marrë edhe një urdhër mbrojtje, për shkak të dhunës sistematike që ai ushtronte mbi të, ndërkohë që konflikti që çoi në vrasjen e saj dyshohet se ndodhi për shkak të xhelozisë, ndonëse bashkëshorti deklaroi për policinë se, shkak ishte një kredi që ajo kishte marrë për nënën e saj.

Admir Dervishi dhe Ilda Dervishi kishin disa vite të martuar dhe kishin dy fëmijë.

Vrasja ndodhi në banesën ku çifti jetonte, në Kombinat.


Ja informacioni i Prokurorisë
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, e cila u pranua nga gjykata, për shtetasin Admir Dervishi, i dyshuar për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” në ngjarjen ku mbeti e vdekur me armë zjarri bashkëshortja e tij.
Nga aktet e referuara në Prokurorinë për Krime të Rënda rezulton se:

Në mëngjesin e datës 06.04.2016, Admir Dervishi, efektiv i Gardës së Republikës, pas një konflikti të mëparshëm që ka patur me bashkëshorten e tij, I. S., gjatë kohës që kanë qenë në ambjentet e banesës së tyre (të marrë me qera) në ”Rrugën e Qelqit”, në Kombinat, Tiranë, ka nxjerrë pistoletën e shërbimit që mbante me vete dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme. Pas kësaj, shtetasi Admir Dervishi, ka njoftuar organet e policisë dhe ka pritur në vendin e ngjarjes deri në momentin e mbërritjes së tyre.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësine provës materiale: Një armë pistoletë kalibri 7.62 mm, tre fishekë kalibri 7.62 mm, dy predha, katër gezhoja model 54, kalibri 7.62 mm, një këmish predhe.

Në lidhje më këtë ngjarje është pyetur i arrestuari Admir Dervishi, i cili ka pranuar autorësinë e kryerjes së veprës penale, duke treguar në mënyrë të detajuar edhe kronologjinë, por edhe motivet që e kanë shtyrë në kryerjen e kësaj vepre penale.

Në këto kushte, nga ana e policisë gjyqësore është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Admir Dervishi, për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c , i Kodit Penal.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)