“Sot hapim konkursin ndërkombëtar për uniformën e re te Policisë së Shtetit, pasi duam që Policia të jetë sipas kërkesave të qytetarit”, tha Tahiri.
Për ministrin Tahiri një polic nuk mund të arrijë sukses pa bashkëpunimin me komunitetin, ndaj është e rëndësishme rivendosja e një besimi të thyer ndër vite Polici-Komuniteti.
“Policia që duam” e ndarë në dy stenda përfshi të shkuarën dhe si e mendojnë fëmijët e sotëm me vizatimet e tyre, ka ndikuar dhe tek ministri Tahiri i cili për pak çaste ka vendosur që të vizitojë ekspozitën së bashku me djalin e tij të vogël.
“Të bëhesh polic ka qenë ëndërr e konsumueshme vazhdimisht nga brezi i fëmijëve në kohën time. E kam konsideruar jo vetëm një ëndërr të diktuar në familje dhe në shoqëri, për t’i dhënë më shumë respekt figurës së punonjësit të policisë, por edhe për të lejuar shoqërinë të bashkëpunojë me policinë e shtetit se kjo është e vetmja mënyrë që qytetin ta bëjmë më të sigurt. Sot kjo nuk është më një ëndërr e zakonshme në mendjet e fëmijëve dhe ka ardhur kryesisht për shkak të tradhtimit të besimit, mungesës së transparencës, bashkëpunimit me qytetarët. Ka sjellë një hendek të madh mes qytetarit dhe Policisë së Shtetit, duke penguar kapacitetin tonë për ta bërë këtë vend më të sigurt. Ideuam edhe këtë projekt ku të rinjtë morën në dorë organizimin e aktiviteteve të policisë. Për ta bërë policinë një mjedis ku të rinjtë mund të kontribuojnë. Janë bërë 150 takime ku të rinjtë kanë diskutuar si mund të kontribuojnë të gjithë bashkë për një Shqipëri të sigurt, shkollën dhe klasat e tyre më të sigurta. Në çdo shkollë kemi tashmë një rrjet të pikave të kontaktit të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me të rinjtë. Nxënës që me bordet e prindërve, shokët, policinë po hartojnë një plan bashkëpunimi që nxit respektimin e ligjit nga qytetarët. Takimet me të rinjtë janë shembull sesi për Policinë e Shtetit mund të mos flasë politika, as punonjësit, por të rinjtë, duke treguar se si mund të bëhen të dobishëm për Policinë e Shtetit. Ky projekt sapo ka filluar, por duke vazhduar në këtë drejtim e kemi më të lehtë që tek Policia e Shtetit të ndërtojmë një institucion të hapur që nuk nxit frikën tek qytetarët por ndërton partneritet”, u shpreh ministri Tahiri.
Në stenda në veçanta janë të ekspozuara idetë e të rinjve, për dizajnin e makinave të reja të Policisë së Shtetit.
Fjala e plote e Ministrit Saimir Tahiri:
Dua më së pari të falënderoj të rinjtë dhe të rejat, që e çuan para këtë inisiativë emancipuese nga pikëpamja e raportit që kanë të rinjtë me institucionet, raportin që kanë qytetarët me Policinë e Shtetit, por gjithashtu edhe produktive për sa i përket mesazhit që kemi përcjellë, në të gjitha takimet në të gjithë Shqipërinë, lidhur me rolin e Policisë së Shtetit dhe rolin e qytetarëve dhe rolin e të rinjve në mënyrë të veçantë, për ta bërë Shqipërinë një vend shumë më të sigurt seç ishte dje.
Duhet gjithashtu të falënderoj gjithë ekipin në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Policinë e Shtetit, përfaqësuesit e pushtetit vendor që ndihmuan dhe partnerët ndërkombëtarë, OSBE-në në veçanti që ndihmuan në hartimin dhe organizimin e një listë??? takimesh mjaft produktive përsa i përket krijimit të asaj platforme të përbashkët komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet të rinjve nga njëra anë dhe Policisë së Shtetit nga ana tjetër, duke bërë gjithçka është e mundur për të rrëzuar murin e izolimit, që ka mbajtur policinë të mbyllur dhe jotransparente, por mbi të gjitha ka mbajtur qytetarët larg. Dhe duke cenuar kështu kapacitetin e Policisë së Shtetit dhe qytetarëve për të bashkëpunuar me njëri tjetrin, për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt seç ishte deri dje.
Unë nuk besoj jam i vetëm që jam rritur me ëndrrën e fëmijëve për të qenë një punonjës policie, për të qenë shofer makine e kështu me radhë. Besoj ka qenë ëndërr e konsumueshme vazhdimisht nga brezi i fëmijëve në kohën time.
E kam menduar shumë më vonë këtë dhe veçanërisht e kam menduar kur kam marrë detyrën, duke e konsideruar jo vetëm një ëndërr në kushtet e mungesës së ëndrrave të komplikuara të asaj kohe, por ka qenë një ëndërr e diktuar edhe në familje, edhe në shoqëri, për t’i dhënë më shumë respekt figurës së punonjësit të policisë, për t’i dhënë më shumë respekt institucioneve, por dhe për të lejuar shoqërinë të bashkëpunonte me institucionet dhe me Policinë e Shtetit. Sepse dihet shumë mirë që kjo është e vetmja mënyrë që shoqëria rreth nesh, vendi rreth nesh, Shqipërinë në tërësi, qytetin ta bëjmë më të sigurt. Dhe më vjen keq ta them por sot kjo nuk është më një ëndërr e zakonshme në mendjet e fëmijëve. Gjë që unë besoj ka ardhur kryesisht për shkak të tradhtimit të besimit, mungesës së rezultateve, mungesës së transparencës, mungesës së bashkëpunimit dhe partneritetit, të institucioneve në tërësi dhe të policisë në veçanti me qytetarët, me të rinjtë dhe të rejat. Dhe kjo ka sjellë një hendek të madh, ndërmjet komunitetit, ndërmjet qytetarit dhe Policisë së Shtetit, duke penguar realisht, kapacitetin tonë për ta bërë këtë vend më të sigurt.
Ju e dini që në të gjithë botën është shumë e pranuar që qyteti nuk mund të jetë më i sigurt, në rast se policia dhe qytetarët nuk bashkëpunojnë bashkë. Por që të arrijmë deri këtu dhe të rikuperojmë çfarë kemi lënë pas në këto 20 e kusur vite, na duhet që të bëjmë punë kolosale për të rikthyer besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit. Na duhet punë kolosale për ta bërë policinë partner të qytetarëve. Sepse ne realisht duam policinë e ligjit, policinë e qytetarëve, policinë e komunitetit dhe jo policinë e frikës. Për të arritur deri këtu ideuam dhe implementuam edhe këtë projekt ku të rinjtë morën në dorë jo vetëm organizimin e disa aktiviteteve bashkë me policinë për të vizatuar disa makina! Nuk ishte vetëm kaq! Dhe nuk është vetëm kaq! Eshtë debati që hartohet rreth këtyre ideve për ta bërë policinë shumë më të aksesueshme nga të rinjtë dhe nga qytetarët. Për ta bërë policinë një mjedis mbi të cilin të rinjtë mund të kontribojnë, për të ndërtuar edhe policinë më të mirë, dhe bashkë me policinë, për të ndërtuar një shoqëri më të sigurt.
Janë bërë rreth 150 takime ku të rinjtë kanë diskutuar dhe debatuar, si mund të kontribojmë të gjithë bashkë për ta bërë Shqipërinë më të sigurt. Cili është roli i qytetarit dhe mbi të gjitha, cili është roli i të rinjve? Për t’i bërë shkollat më të sigurta, për t’i bërë klasat më të sigurta! Eshtë kjo arsyeja pse në çdo shkollë kemi tashmë një rrjet jo të vogël të pikave të kontaktit të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me të rinjtë. Janë të rinj dhe të reja, nxënës të cilët me mësuesit e tyre, me bordet e prindërve, me shokët dhe shoqet e tyre, por dhe me Policinë e Shtetit, po hartojnë një plan bashkëpunimi që nxit respektimin e ligjit nga qytetarët.
Besoj e keni parë, kjo fillon që nga respektimi i vizave të bardha, që nga respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, që nga respektimi i njëri tjetrit në shkollë, që nga respektimi i institucionit të shkollës, policisë së shtetit dhe kështu me radhë. Sepse ne besojmë shumë fort që kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar një vend më të sigurt, duke filluar nga klasa, nga shkolla, nga shtëpia, nga pallati, nga lagjja, pastaj qyteti dhe i gjithë vendi. Sepse kjo është mënyra më e mirë për të ndarë në mënyrë definitive, qytetarët e ndershëm në këtë vend, ata që respektojnë ligjin dhe rregullin, ata që janë të barabartë para ligjit dhe që janë shumica dërrmuese në këtë vend, nga ata që shkojnë mbi ligjin apo gjerësisht janë konsideruar të pandëshkueshëm.
Shumica dërrmuese e qytetarëve, të rinjtë në tërësi, institucionet, policia e shtetit duhet të bëhen të gjithë bashkë dhe këto iniciativa na bëjnë të gjithë bashkë. Për të respektuar rregullin dhe njëri tjetrin dhe për të lejuar institucionet të bëjnë punën e tyre, policia e shtetit të bëjë punën e saj duke garantuar barazi para ligjit dhe mbi të gjitha duke garantuar sigurinë tonë të përditshme nuk e cenojnë ata që e shkelin.
E gjithë xhiroja e takimeve të të rinjve nëpër shkollat e Shqipërisë ka qenë një shembull sesi për Policinë e Shtetit mund të mos flasë politika, mund të mos flasin dhe vetë punonjësit e policisë, por mund të flasin shumë mirë të rinjtë, duke treguar se si mund të bëhen vetë të dobishëm për shoqërinë dhe duke treguar si mund të bëhet të dobishëm akoma më shumë duke bashkëpunuar me Policinë e shtetit. Dhe kemi shembuj mjaft pozitivë të këtij bashkëpunimi, që kanë lejuar Policinë e Shtetit të ndërtojë një mjedis më të sigurt nëpër shkollat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
Ky është një projekt që sapo ka filluar, por që unë jam shumë i bindur, duke vazhduar në këtë drejtim e kemi shumë më të lehtë dhe të kollajtë që te Policia e Shtetit të ndërtojmë një institucion të hapur, transparent, që bashkëpunon me qytetarët dhe nuk nxit krimin te qytetarët, por që ndërton partneritet me qytetarët e ndershëm të këtij vendi dhe që të gjithë bashkë mund t’i lejojmë vetes mundësinë që të garantojnë rregullat dhe ligjin dhe që të vëmë para përgjegjësisë ata që cenojnë rregullin tonë të përbashkët, ligjin, shtetin dhe mënyrën tonë për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt.
Nga stendat që shikoni këtu janë një sërë vizatimesh, sepse të rinjtë kanë bashkëpunuar me ne për të ndërtuar makinën e Policisë së Shtetit, ngjyrat e makinës së Policisë së Shtetit. Kuptohet që kjo si iniciativë jo vetëm shkon në drejtimin që kemi zgjedhur për të bashkëpunuar me të rinjtë lidhur me elementët që ka punonjësi i policisë, qoftë në trup, qoftë në punën e tij të përditshme, por të jep mundësinë të perceptosh dhe të kuptosh që me fuqinë tënde mund të ndryshosh jo vetëm anën formale por edhe mënyrën sesi sillet policia e shtetit. Eshtë vetëm një rrugë ose një shteg, për t’i bërë të rinjtë të besojnë që energjitë e tyre, të kanalizuar mirë në bashkëpunim me institucionet mund të ndërtojnë mënyrën e sjelljes së tyre, mund të ndërtojnë një punonjës policie që respekton qytetarin dhe që bashkëpunon me qytetarin për ta bërë vendin më të sigurt.
Unë i falënderoj edhe njëherë të rinjtë që u angazhuan dhe që morën pjesë dhe ju siguroj që Ministria e Punëve të Brendshme është tërësisht në dispozicion të tyre, sepse ne besojmë shumë fort që misioni ynë për ta bërë Shqipërinë më të sigurt, nuk mund të përmbushet vetëm. Asnjë institucion nuk e arrin dot të përmbushë misionin në rast se nuk bashkëpunon me qytetarët. Jemi në rrugën e duhur për ta bërë Shqipërinë më të sigurt, për t’i bërë rregullat të respektueshme, për t’i dhënë qytetarit mundësinë që të prosperojë ekonomikisht, pa pasur kërcënimin e sigurisë, por këtë po e bëjmë jo vetëm. Po e bëjmë bashkë me qytetarët e mbi të gjitha bashkë me të rinjtë, me gjeneratën e re të shqiptarëve që e respektojnë rregullin dhe që bashkëpunojnë me gjeneratën e re të punonjësve të Policisë së Shtetit që punojnë bashkë me qytetarin për ta bërë Shqipërinë më të sigurt.
Gjithashtu, kemi ekspozuar, jo pa qëllim, uniformat e punonjësve të Policisë së Shtetit që nga koha kur Policia e Shtetit ka lindur. Sepse sot duam, bashkë me të rinjtë, por mbi të gjitha bashkë me qytetarët, të hapim konkursin ndërkombëtar për uniformën e re të Policisë së Shtetit. Ne besojmë që në gjithë këto vite tranzicioni ka reflektuar jo vetëm marrëdhëniet ndërmjet policisë dhe qytetarit, ndërmjet shtetit dhe qytetarit, ndërmjet institucioneve në tërësi dhe komunitetit, por ka reflektuar edhe kaos, qoftë dhe nga ana formale si prezantohet punonjësi i policisë me qytetarin. Kjo reflektohet në uniformë. Kjo reflektohet në infrastrukturë. Kjo reflektohet në zhvillimin teknologjik të Policisë së Shtetit në raport me detyrën, me përmbushjen e detyrës dhe me qytetarin.
Ndaj, në përmbyllje të 20-të e kusur viteve tranzicion, ne mendojmë se ka ardhur momenti që bashkë me qytetarët të ndërtojmë një konkurs kombëtar dhe ndërkombëtar, transparent për qytetarët, ku të gjithë mund të kontribuojnë për të ndërtuar uniformën e re të Policisë së Shtetit. Konkursi do të zgjasë disa kohë, kërkon energji nga të gjithë dhe kërkon bashkëpunim dhe pjesëmarrje nga të gjithë, por unë jam shumë i sigurt që në fund do t’i japë një zgjidhje definitive, në radhë të parë, standardizimit të uniformës së Policisë së Shtetit; në radhë të dytë, ndryshimit të fytyrës, jo vetëm nga pikëpamja formale e punonjësit të policisë, por mbi të gjitha, e perceptimit të punonjësit të policisë si një mik i qytetarit, si një partner i qytetarëve, si një shërbëtor i komunitetit dhe jo si një instrument represiv të cilin duhet ta kenë frikë të gjithë.
Ne po ndryshojmë në themel filozofinë e funksionimit të Policisë së Shtetit, duke instaluar mentalitetin e shërbimit të çdo punonjësi policie ndaj qytetarëve. Sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’i bërë qytetarët më të sigurt, më bashkëpunues dhe kontributorë për sigurinë e përbashkët të shtëpisë, të qytetit dhe të gjithë vendit në tërësi. Konkursi hapet nga sot. Unë do të kërkoja kontributin e të gjithë atyre që mund të kontribuojnë ose të mund të japin mendimet e tyre për uniformën e re të punonjësve të Policisë së Shtetit, të gjitha kompanive në vend, por edhe ndërkombëtare, të cilat të mund të dizajnojnë uniformën e re të Policisë së Shtetit. Në mënyrë që nesër e tutje të kemi shtruar rrugën për të ndërtuar një partneritet solid ndërmjet policisë, institucioneve dhe qytetarëve.
Ju falënderoj edhe njëherë, veçanërisht të rinjtë, për gjithçka kanë bërë në këtë muaj të këtij projekti mjaft të rëndësishëm për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ju siguroj që keni hedhur vetëm hapat e parë të bashkëpunimit tonë, i cili me shumë siguri do të edukojë te gjenerata e re e të rinjve dhe fëmijëve mbi të gjitha, ëndrrën e punonjësit të policisë që i ndihmon dhe që i shërben qytetarit, dhe që ndihmon bashkë me ne për të ndërtuar një qytet dhe një Shqipëri më të sigurt.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)