Pas tërheqjes nga futbolli në vitin 2023, Gareth Bale ka nisur një kapitull të ri në jetën e tij, duke punuar me transmetimet sportive dhe duke parë lojën nga një perspektivë e re. Në një intervistë për 'GQ Magazine', ish-ylli uellsian ka reflektuar mbi karrierën e tij, nga fillimet te Southampton, te shkëlqimi te Tottenham dhe periudha e bujshme te Real Madrid.
Bale u ndal gjatë te eksperienca në Madrid, duke pranuar se nuk ishte i përgatitur për presionin dhe dinamikat e klubit.
“Shumë shkojnë në Madrid për t’u bërë 'Galacticos', por unë doja vetëm të luaja futboll. Nuk e kisha idenë sa e vështirë ishte jeta te Reali”, tha ai, duke e cilësuar veten “pak naiv” në ato vite.
Ai komentoi edhe mënyrën si mediat e trajtuan figurën e tij. Sipas Bale, shumë herë imazhi i tij u shtrembërua, sidomos sa i përket pasionit për golf, i cili shpesh u përdor kundër tij.
“Unë nuk kam luajtur kurrë golf tetë orë në ditë. E bëja vetëm në ditët e pushimit”, tha ai.
Sot, jeta e Bale ka ndryshuar rrënjësisht. Familja është prioriteti i tij kryesor, i ndjekur nga golfi dhe shëndeti. Megjithëse nuk është më aktiv në fushë, ai mbetet i lidhur me futbollin përmes punës me TNT Sport dhe CBS Sports Golazo, si dhe duke ndjekur të birin që po hedh hapat e parë në sport.
Duke parë pas, Bale thotë se nuk ka pengje. “Nuk do të ndryshoja asgjë. Pata një karrierë që nuk e kisha imagjinuar kurrë”, tha Bale mes të tjerash.
Komente






