Gati amnistia, ja kush kalon
nga qelia në shërbimin e provës

TIRANE- Personat me rrezikshmëri të ulët për shoqërinë dhe ata që kanë kryer vepra penale të “dorës së dytë” do të përfitojnë shpejt nga amnistia që do të shpallë Kuvendi i Shqipërisë.

Në parlament ka mbërritur aktualisht projektligji që parashikon lirim nga dënimi të personave të caktuar, në vartësi të llojit dhe masës së dënimit, kohës së mbetur të dënimit, moshës aktuale të personit të dënuar dhe moshës së personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale.
 
Përfituesit
 Do të “mbyllin hesapet” me burgun personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, të dënuarit me kusht, me gjobë apo me një nga alternativat e dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht nga koha e mbetur. Po kështu, ata të dënuar, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar alternativë të dënimit me burgim.

Përfitojnë edhe të dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht nga masa e gjobës; të dënuar me burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur deri në 3 vjet; të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç e të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.Po kështu, përfitojnë të burgosur, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Qëllimi
Qeveria, e cila ka miratuar projektligjin, është motivuar për një gjë të tillë nga synimi i riintegrimit, rehabilitimit social, ndyshimeve pozitive në jetën e të dënuarve, arritjes së standardeve evropiane në sistemin penitenciar, si dhe legjitimitetit të duhur kushtetues-ligjor në vendet e vuajtjes së dënimit. Natyrisht, një arsye e fortë ka qenë edhe mbipopullimi i burgjeve në vend.

Amnistia është një masë, nëpërmjet së cilës shteti “heq dorë” nga zbatimi i dënimit për krime të caktuara. Bëhet fjalë për një masë me një natyrë të përgjithshme, që çmohet të jepet dhe të inspirohet për shkaqe të paqtimit social. Ajo konsiderohet si një zgjidhje tjetër për të arritur te një drejtësi të tillë, që të mbrojë, mbi të gjitha, jetën, lirinë dhe dinjitetin njerëzor për ata që kanë kryer një vepër penale. Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave thekson se aplikimi i amnistisë nuk duhet parë vetëm si një “akt i mëshirës”, por edhe si një akt për të rivendosur legjitimitetin kushtetues në vendet e vuajtjes së dënimit, ku ai është shkelur në mënyrë sistematike.

Qeveria deklarohet e vendosur që tendencës në rritje të kriminalitetit t’i kundërvejë një politikë që synon orientim të  prokurorisë në ashpërsimin e dënimeve për veprat penale, për të cilat aplikohet një masë dënimi me burgim mbi pesë vjet dhe procedim më tepër në zgjidhjet alternative për vepra më të lehta.

Sipas projektligjit përfitojnë amnisti:
a)personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht, me gjobë apo me një nga alternativat e dënimit me burgim,për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
b)personat e dënuar, ndaj të cilëve gjykata, me vendim të formës së prerë, ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;

c)personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht nga masa e gjobës, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
ç)personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
d)të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2013, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;

dh)të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2013, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;
e)të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 139, 140 e 141 të Kodit Penal.
 
 
Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:
a)krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74 e 75 të Kodit Penal;
b)krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76 , 77, 78, 78/a,  dhe 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81 të Kodit Penal dhe vrasje e mbetur në tentativë, si dhe në nenin 77 të Kodit Penal Ushtarak;

c)vepra penale, të kryera me dashje, kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, paragrafi i dytë i nenit 88, dhe 89/a të Kodit Penal;
ç)krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 106, 107/a,108 e 108/a të Kodit Penal;
d)vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, paragrafi i dytë dhe i tretë i nenit 109/b, 109/c, paragrafi i dytë, i nenit 110, 110/a, 110/b, 110/c dhe 111 të Kodit Penal;

dh)vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenet 114, në paragrafin e dytë dhe në paragrafin e tretë të nenit 117 të Kodit Penal;
e)vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e tretë të nenit 124/b, nenet 128/a, 128/b e 130/a të Kodit Penal;
ë)vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, paragrafi i dytë i nenit 137/a, paragrafi i dytë i nenit 138, 138/a, 139, 140, 141, paragrafi i dytë i nenit 141/a, paragrafi i dytë i nenit 143, 143/a, 144/a, paragrafi i tretë i nenit 152, 175, në paragrafin e dytë dhe në  paragrafin e tretë të nenit 180 të Kodit Penal, si dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 59 të Kodit Penal Ushtarak, e në nenin 186 të Kodit Penal;

f)vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në nenin 206/b të Kodit Penal;
g)krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225 të Kodit Penal;
gj)krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 e 228 të Kodit Penal;
h)vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 230/d, 231, 232, 232/a, e 232/b, 233, 234, 234/a e 234/b të Kodit Penal;
i)krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 248, 250, 258, 259, 259/a, 260, 265, 266, 270, paragrafi i parë dhe i katërt i nenit 278, 278/a, paragrafi i dytë i nenit 279, paragrafi i dytë i nenit 282, 282/a, 283, 283/a, 283/b, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 286, 287, 287/a, 288, paragrafi i dytë i nenit 289, 290, si dhe paragrafët e dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të nenit 298 të Kodit Penal dhe në nenin 70 të Kodit Penal Ushtarak;

j)vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh e 319/e të Kodit Penal;
k)vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 325, 326, 326/a, 327, 327/a, 328, 328/a, 329, 330, 330/a, 331 dhe 332 të Kodit Penal;
l)vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.

 
Shkrimi u publikua sot (01.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri/ 16 persona u dëmtuan nga fishekzjarret! Proda inspekton policët në detyrë

Viti i Ri/ 16 persona u dëmtuan nga fishekzjarret! Proda inspekton policët në detyrë