Me konstituimin e Kuvendit, bëhet verifikimi i mandateve dhe zgjidhet kryetari i ri i këtij institucioni, i cili do të propozohet nga koalicioni PAN ( Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma). Ndërkohë do të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, të cilët do të përbëjnë Kryesinë e re të këtij institucioni.
Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve që nga momenti i konstituimit të Kuvendit kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, duhet që brënda një afati prej 15 ditësh të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Deri më tani Haradinaj ka deklaruar se i ka numrat e nevojshëm për të formuar Qeverinë, por ai nuk ka prezantuar se me cilat subjekte i ka siguruar këto numra.
Ndonëse Haradinaj ka përmëndur si mundesi lidhjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, këto tri të fundit, të mbledhura në koalicionin parazgjedhor LAA, nuk e kanë konfirmuar këtë aleancë pas zgjedhjeve.
Sipas Kushtetutës, pjesë e Qeverisë do të jenë edhe komunitetet pakicë, të cilat si tërësi përbëjnë 20 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Për formimin e Qeverisë janë të domosdoshëm të paktën 61 vota të deputetëve.
Nga Brukseli, komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, ka dërguar tashmë mesazhin se Kosova duhet të formojë një Qeveri pro-evropiane dhe të qëndrueshme.
Brukseli do të insistojë që Qeveria e re të jetë e aftë të vazhdojë proçesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, të përmbyllë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si dhe të vazhdojë agjendën integruese evropiane.
Edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë ka dërguar mesazhe për themelimin e institucioneve të qëndrueshme e demokratike.
Ndërsa politika në Kosovë nuk e përjashton as si mundësi as “aventurën” e shkuarjes nga zgjedhjet në zgjedhje, që do të vinte si pasojë e dështimit të formimit të Qeverisë, për faktorin ndërkombëtar, BE-në dhe SHBA-në, zgjedhjet e reja do të shiheshin si opsioni më i padëshiruar.
Sipas vlerësimeve ndërkombëtare Kosova ka ngecur shumë në proçeset integruese, ka mbetur vendi i vetëm i izoluar dhe pa liberalizim të vizave, ndërkaq ngec shumë edhe në aspektin e ligjit dhe të rendit.
Redaksia online
D.M/Shqiptarja.com