Shumë shpejt, Bashkia e Tiranës do të përurojë Amfiteatrin te Parku i Liqenit i cili është transformuar tërësisht nga një ngrehinë dhe vendgrumbullim plehrash, në një arenë të artit e rikonceptuar për t’i dhënë vlerë çdo shfaqjeje që do të jepet për publikun. “Mirëmëngjes Tirana! Së shpejti, gati amfiteatri i ri tek Liqeni. Kjo verë do jetë e mbushur me superaktivitete, jo vetëm tek Sheshi "Skënderbej", po kudo në atraksionet më të bukura të qytetit”, shkruan Veliaj në Facebook.
Muzikale, Balet, Simfoni, Arie, Uvertura, Marshe Muzikore si dhe pjesë nga repertori botëror dhe shqiptar do të jenë ajo që do të shikojë publiku artdashës i kryeqytetit.
Rikonstruksioni i plotë i Amfiteatrit të Liqenit Artificial i ka dhënë Tiranës një skenë të re të hapur teatrore dhe për organizime të ndryshme kulturore dhe artistike. Por për t'i dhënë kësaj skene pamjen e një oazi të vërtetë kulturor dhe reakreativ, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës po punon edhe për sistemin e hapësirave të tjera përreth. Për të siguruar një gjelbërim të përhershëm APR-ja ka instaluar edhe një sistem automatik ujitjeje të gjelbërimit brenda territorit të amfiteatrit, në mënyrë që temperaturat e larta të verës të mos thajnë barin dhe pemët. Natyrisht që tashmë ka mbetur edhe fare pak punë për t'i dhënë dorën e fundit detajeve të këtij kësaj skene të rifituar për Tiranën, para se ajo të hapet për publikun.