Në 12 Shtator, mes 12 shkollave të reja që do të hapen në nisje të vitit të ri shkollor, është dhe shkolla “Bashkim Fino” në Njësinë 2. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili bëri inspektimin e fundit përpara se shkolla të presë 1100 nxënës pas pak ditesh, tha se kryeqytetit i shtohet një xhevahir tjetër.

“Është vërtet një xhevahir për Njësinë 2. Kur mendoj se mësimi me dy turne ka qenë problem që kur ishim ne fëmijë, më vjen mirë që për herë të parë këtë vit nuk do të flitet më për shkollat me dy turne. Kemi ndërtuar një shkollë me 1100 nxënës kapacitet, plus 150 parashkollor, praktikisht kemi zgjidhur jo vetëm problemet e të kaluarës dhe të tashmes, por edhe të ardhmes. Pra kemi lënë një hapësirë që mund të amortizojë edhe prurjet demografike të njësisë,” u shpreh Veliaj.

Veliaj tha po ashtu se mesazhi që vjen nga kjo shkollë, që mban emrin e një njeriu të madh si Bashkim Fino, që bashkoi shqiptarët edhe në ditët më të këqija.

“Kur kujtoj që Bashkim Fino ishte aty për të na bashkuar në ditët kur ishim më të përçarë, besoj se është një mesazh shumë i madh edhe për ata politikanë, që edhe pse 30 vjet, i kanë pasur të gjithë detyrat e shtetit, Shqipëria s’u ka asnjë borxh, i ka bërë presidentë, kryeministra, kryetarë Kuvendi, të mësojnë pak nga ky emër i madh, që në ditët më të vështira i bëri shqiptarët bashkë. Sot jemi në ditët më të mira dhe ka njerëz që duan të na përçajnë e të na çojnë mbrapa. Kjo s’ka për të ndodhur. Për sa kohë që fëmijëve do u japim shkolla cilësore dhe sigurohemi që nuk i kemi më fuksat në drejtim dhe sigurohemi që vjen një brez i ri që është rritur në kushte komplet të tjera, është pa komplekse, nuk i bën gjërat me mllef, por i bën gjërat me pasion dhe këto shkolla besoj që janë premtim i mbajtur për të gjithë çunat e gocat e njësisë sonë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Shkolla ka marrë emrin e ish-kryeministrit Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta pasi humbi betejën me COVID-19. Shkolla 'Bashkim Fino' do të ketë një kapacitet prej 1100 nxënësish, duke përfshirë dhe 200 fëmijë në kopësht, 6 laboratore, bibliotekë si dhe 2 palestra. Shkolla është ngritur në afërsi të Qytetit Studenti, në zonën e njohur si ish-“Kaldaja e vjetër”.