Carlo Bollino: Një superdëshmitare dhe tre dokumente do të tregojnë nëse Nuhu gënjen

Ka një dëshmitare kyç dhe të paktën tre dokumente, që mund të konfirmojnë apo të përgënjeshtrojnë përfundimisht akuzat e Emiljano Nuhut, ish-oficerit të Policisë që pretendon se i janë bërë kërcënime me vdekje më 21 korrik në darkë, ndërsa përpiqej të arrestonte Rexhep Rrajën, të birin e deputetit socialist të akuzuar se ka rrahur dhe përndjekur Xhisiela Malokun. Ndryshe nga sa ndodhi me “rastin Babale”, kur vërtetimi i është lënë një ekspertize zanore me një interpretim të dyshimtë, kësaj here fjala e Nuhut, dëshmitarit të ri të Akuzës të hedhur në fushë nga opozita, mund të verifikohet në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme.

Dëshmitarja kyç është prokurorja kurajoze e Krujës, Mirela Kapo, që po zhvillon hetimet dhe që të dielën urdhëroi arrestimin e Rexhep Rrajës: në letrën dërguar autoriteteve shqiptare më 14 gusht, para se të arratisej jashtë shtetit duke kërkuar azil, në fakt Emiljano Nuhu shkruan se në mbrëmjen e 21 korrikut 2018 mori në telefon urdhërin nga prokurorja Mirela Kapo që të arrestonte në flagrancë Rexhep Rrajën. Sipas tij, ishte pikërisht për të shmangur arrestimin, që djali i deputetit ka lajmëruar të jatin, Rrahman Rraja, që pastaj ka mbërritur me armë në dorë në Komisariatin e Fushe Krujes i shoqëruar nga kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, nga kryetari i grupit socialist Taulant Balla e nja dhjetë njerëz të tjerë kërcënues.
 

Faksimile e letrës së dërguar më 14 gushtnga Emiljano Nuhu për drejtorin e policisë

Policia pretendon se ky version është i gënjeshtërt, pasi më 21 korrik Emiljano Nuhu nuk ndodhej me shërbim në Fushë Krujë dhe, sipas imazheve të regjistruara nga telekamerat e sigurisë së Komisariatit, asnjë nga politikanët e përmendur në letër nuk ka qenë në rajonin e Policisë. Nuhu e ka parashikuar edhe këtë kundërshtim, duke hamendësuar se imazhet e Komisariatit janë manipuluar. Por, ato që nuk mund të manipulohen janë tabulatet e telefonit të Mirela Kapos, ato të telefonit të Emiljano Nuhut dhe ato të drejtorit të Policisë së Krujës, të gjitha këto 3 dokumenta elektronike në duar të shoqërive telefonike dhe që prokuroria e Tiranës duhet të kërkojë.

A është e vërtetë që mbrëmjen e datës 21 korrik prokurorja Mirela Kapo ka marrë një telefonatë nga Emiljano Nuhu? Dhe çfarë do të thotë Mirela Kapo kur do të dëgjohet nga Prokuroria e Tiranës se po heton mbi kërcënimet e pretenduara që i janë bërë Nuhut? A do të konfirmojë se i ka dhënë Nuhut urdhërin me telefon që të arrestojë djalin e deputetit, urdhër që do të shkaktonte më pas reagimin e dhunshëm të fisit politik të Rexhep Rrajës? Dhe në rast se gjërat do të kishin shkuar sikurse tregon Nuhu, a ka gjurmë në tabulatet edhe të telefonatës së dytë, me të cilën Nuhu pretendon se ka informuar prokuroren Mirela Kapo se arrestimi nuk ishte bërë për shkak të ndërhyrjes së grupit të njerëzve të armatosur? Dhe a ka në tabulatet e telefonit të drejtorit të Policisë së Krujës gjurmë të regjistruara të bisedave me Emiljano Nuhun, që ai pretendon se ka bërë po atë mbrëmje të 21 korrikut, duke kërkuar përforcime për të arrestuar Rexhepin?

Aspekti politik i historisë “Xhisiela” në të vërtetë rrotullohet rreth kësaj pike. Në rast se Prokuroria e Tiranës vërteton se Emiljano Nuhu dhe Mirela Kapo mbrëmjen e 21 korrikut nuk kanë komunikuar mes tyre dhe se prokurorja më pas nuk urdhëroi Nuhun dhe asnjë tjetër që të arrestonte Rexhep Rrajën, e gjithë historia e kërcënimeve politike e ngritur nga ish-polici në kërkim të azilit politik shkërmoqet si një kështjellë prej rëre. Siç e kemi parë, do të jetë shumë e thjeshtë të verifikohet dhe askush s’do të mundë të sajojë alibi për të thënë se nuk është e qartë se si qendron e vërteta. 

Madje, vetë Nuhu, kur bëri më 30 korrik një kallzim në Komisariatin 6 të Tiranës, duke denoncuar se ishte kërcënuar pasi po hetonte çështjen e Xhisielës, nuk i referohet aspak episodit të 21 korrikut. Kufizohet vetëm të thotë se pasditen e 30 korrikut dy kushërinj të Rexhep Rrajës, Redian dhe Ramazan Rraja, e kanë kontaktuar nëpërmjet what’s up-it, duke kërkuar ta takonin në Tiranë. Dhe, gjatë këtij takimi, që u zhvillua në lokalin “Richmond”, këta të dy e kanë kërcënuar deri në atë pikë, sa ta detyronin të hiqte dorë nga hetimi dhe dy javë më pas të arratisej jashtë shtetit në kërkim të azilit. Pse në kallzimin e 30 korrikut Emiljano Nuhu nuk përmend në asnjë rast edhe kërcënimet që kishte marrë nëntë ditë më parë?

As në mesazhin e “qytetarit dixhital” të publikuar nga Sali Berisha më 29 korrik (dhe burimi i të cilit duket të ketë qenë pikërisht Emiljano Nuhu) nuk përmendet në asnjë rast sulmi i armatosur i 21 korrikut: mesazhi është plot me detaje mbi dhunën ndaj Xhisielës nga ana e Rexhep Rrajës, por nuk lexohet as edhe një rresht i vetëm mbi hyrjen e njerëzve të armatosur në Komisariatin e Fushë Krujës. Pse? Sipas Policisë që heton mbi këtë çështje, këto kërcënime me armë në të vërtetë nuk kanë ekzistuar dhe Emiljano Nuhu ka vendosur t’i shpikë ato vetëm para se të arratisej, në mes të gushtit, për ta bërë më të besueshme dhe solide kërkesën për azil politik. Ja pse në asnjë denoncim të shpërndarë apo të dorëzuar prej tij para 14 gushtit nuk është folur kurrë për këtë.

Të verifikosh me saktësi se çfarë ka ndodhur me të vërtetë mbrëmjen e 21 korrikut në Komisariatin e Fushë Krujës është thelbësore, pasi do të shërbejë për të provuar sinqeritetin e Emiljano Nuhut dhe për të treguar apo për të përgënjeshtruar në mënyrë të qartë implikimin e drejtuesve të rëndësishëm socialistë në këtë skandal dhune dhe perndjekje.

Të zbulosh të vërtetën mbi mbrëmjen e 21 korrikut do të shërbejë edhe për t’i dhënë sërish pak qetësi Xhisiela Malokut, e detyruar prej ditësh tashmë, jo vetëm të luftojë me fantazmat e dhunës së pësuar dhe të një dashurie të sëmurë, por edhe të përballojë një linçim fizik e moral nga ana e atyre politikaneve e gazetareve që pretendojnë t’i nxjerrin me çdo kusht një “të vërtetë”, që ajo nuk ka ndërmend ta pohojë. Në rast se politika del jashtë skene, ndoshta Xhisiela do të mundë të fillojë të bëjë përsëri një jetë larg prozhektorëve, me një mbështetje që sot Shteti ka detyrimin t’ia japë dhe me impenjimin se do t’i jepet më në fund drejtësi, bashkë me pak respekt.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 03/10/2018 17:43

    Zoti Karlo Bolino , jam ndjejes i shqiptarja . com dhe shoh qe ne orare kur eshte nje moderator qe emrin nuk ha di , jomentet e mija nuk ipen . Ne rast se jam i tepert ne dhenie mendimesh mire eshte te na thoni mos te komentojme me . Aresyeja qe komentoj tek ju ,eshte vertetesia dhe liria e shprehjes se mendimit tek faqa e juaj on line . Faleminderit

    Përgjigju
  • denoncuesi: 03/10/2018 17:28

    Faik nuk gjykon drejt je shok me Nuhun

    Përgjigju
    • Fredi KokëLoqja: 04/10/2018 11:12

      Respekte CARLO! Që të gjitha që ke shkruar janë të Qarta dhe tê Sakta ! Por PDja êshtë njê KOPE HAJDUTËSH , FUNDÊRRINASH , HORRASH dhe KRIMINELËSH që për Pushtet ju kanë zënë 'Prita Kundërshtarëve Politikë dhe ju kanë vënë TRITOL Shtyllave të Tensionit të Lartê sa herë që kanë dalë nê Opozitë ! Kurse sa për Fredi KOLERËN që Komenton me emrin Faiku , kam vetëm një Përgjigje : që është një DOBIÇ Ferrash pa Prindër dhe një i Sëmur Mendor që duhet të MJEKOHET me DHUNË.

  • Faiku: 03/10/2018 12:34

    Super deshmitarja duhet te kishte folur tashme dhe madje pubklisht Heshtja e saj tregon se ketu ka dicka qe nuk shkon. Tabulatet duhet te kishin dale me kohe, por nuk po dalin, arsyen e di Rilindja. Oficeri Nuhu ka aq pervoje sa te mos genjej kaq trashe edhe per telefonaten. Babalja u harrua, as mish dhe as peshk. Edhe ky skandal do harrohet.

    Përgjigju
    • @goleadori: 03/10/2018 14:12

      Nuk jane verifikuar akoma o shoku, lexoje se cfare thote Bollino. Duhen verifikuar keto prova per te arritur tek e verteta.

    • Goleadori: 03/10/2018 13:03

      Oficer i lehtë nga MËNDJA.Po nuke dinte ai se mbas kësaj zhurme do verifikoheshin të gjitha dokumentat e tabulatet telefonike por kemi të bëjmë me injorantë në radhët e policisë së shtetit...që nuk e mendojnë se po u hap plaga do kete probleme.Mere më lëng se mishi mbaroi o EMILJANO NUHU

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb