SARMA ME LAKRA TË ËMBLA
Përbërësit:
1 kokë lakër me fletë të holla
2 lgj uthull
2 qepë
2 lgj gjalpë
800 gr mish i grirë
1 vezë
1 lgj salcë speci
1 filxhan kafeje oriz
1 lugë ajkë
Kripë, piper
Për buljonin:
500 gr domate
1 qepë
1 spec
1 lgj vaj ulliri
Pak vegetë
Majdanoz
Përgatitja:
Fillimisht presim lakrën dhe largojmë koçanin. E vendosim në një tenxhere me ujë të nxehtë me 2 lugë uthull dhe e lemë në zjarr të ulët të ziejë derisa të ndahen fletët nga mesi dhe mos të dëmtohen. Kullojmë ujin, shkëpusim fletët njëra nga tjetra dhe i lemë të ftohen.
Në gjalpë të nxehtë kaurdisim qepën e grirë hollë derisa të zverdhet. Shtojmë salcën e specit, mishin e grirë dhe orizin. Vazhdojmë kaurdisjen për 5 minuta dhe më pas e largojmë nga zjarri dhe shtojmë kripë, piper, një lugë ajkë dhe një vezë të rrahur. E përziejmë mirë dhe e lemë të ftohet.
Ndërkohë pastrojmë fletët e lakrës nga denjtë. Vendosim nga një lugë mbushje me mish të grirë dhe mbështjellim sarmat duke i vendosur në rradhë në një tenxhere ku kemi shtuar si bazë disa fletë lakre.
Presim domatet në copa të vogla dhe i vendosim në zjarr për t’u vluar së bashku me 1 qepë të prerë në disa pjesë, 1 spec dhe majdanoz të grirë. Më pas kullojmë buljonin, I shtojmë pak yndyrë dhe vegetë dhe e hedhim mbi sarmat. I mbulojmë në fund sarmat me disa fletë lakre dhe një pjatë. Vendosim kapakun dhe i lemë të ziejnë në zjarr të ulët për 1 orë e gjysëm – 2 orë.