Tespishte me arra
Përbërësit:
250 gr gjalpë
100 gr sheqer
200 ml qumësht
200 ml vaj
700 gr miell
1 lugë kafeje sodë
2-3 kokrra vezë
100 gr arra
Për sherbetin:
600 gr sheqer
800 ml ujë
1 lugë kafeje vanilje
1 fetë limoni
Përgatitja:
Vendosim një tenxhere në zjarr ku hedhim gjalpin dhe sheqerin. E përziejmë mirë derisa sheqeri të karamelizohet dhe më pas e largojmë nga zjarri dhe e lëmë të ftohet për disa minuta. Në tenxhere shtojmë qumështin dhe e vendosim sërish në zjarr. Më pas shtojmë miellin (tek mielli kemi hedhur pak sodë buke) gradualisht dhe e përziejmë mirë masën me lugë druri derisa masa të trashet dhe të shkëputet nga anët e tenxheres.
Pasi masa të jetë trashur mjaftueshëm e heqim nga zjarri dhe shtojmë vezët një e nga një, duke mos ndërprerë procesin e përzierjes. Brumin e realizuar e spërkasim me pak miell dhe e punojmë me duar derisa të krijohet një masë kompakte.
Lyejmë një tavë me gjalpë dhe vendosim brumin e përgatitur duke e niveluar mirë me një spatul kuzhine. E spërkasim në fund sipërfaqen me pak kokrriza sheqeri. E presim në forma sipas dëshirës dhe sipër çdo forme vendosim arra të thërrmuara. E vendosim ëmbëlsirën të piqet në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius për 40 minuta. Pasi ëmbëlsira të piqet e lemë të ftohet.
Ndërkohë përgatisim sherbetin duke hedhur në një tenxhere sheqerin, ujin, vaniljen dhe 1 fetë limoni. I lëmë të vlojnë derisa sherbeti të fillojë të trashet. Pasi ëmbëlsira të jetë ftohur sipër hedhim sherbetin e nxehtë.