TIRANË – Në kryeqytet është mbajtur këtë të enjtë seminari i parë i zgjeruar i respektimit të të drejtave të personave të komunitetit gay, lesbikë dhe transensual në Shqipëri, i organizuar me inisiativë të Avokatit të Popullit, Igli Totozani. Në të marrin pjesë përfaqësues të LGBT nga 17 vende të ndryshme.

Takimi është përshëndetur nga sekretarja amerikane e shtetit, nëpërmjet një video – konference. “Liria e komunitetit LGBT duhet respektuar dhe i duhet dhënë fund dhunës ndaj tyre”, tha mes të tjerash Klinton në fjalën e saj.

Më tej kryediplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu vlerësoi rolin e Avokatit të Popullit dhe të kryeministrit Berisha në mbështetje të të drejtave të këtij komuniteti. Ambasadori konfirmoi se gara presidenciale ishte arsyeja pse kryeministri Berisha nuk mori pjesë në seminarin e sotëm.

“Dy javë më parë i kemi bërë ftesë kryeministrit Berisha që të vinte në konferencë. Por për shkak të gares presidenciale shumë takime u spostuan nga axhenda, Berisha nuk mori dot pjesë në konferencën. Por, dua të shpreh vlerësimet tonë për mbështetjen e qeverisë për komunitetin LGBT”, tha Arvizu.
Sërish ambasadori ka bërë thirrje për të hequr dorë nga paragjykimet, ndryshe nga ajo çka bënë, disa zyrtarë të shtetit.

“Media raportoi se në Tiranë do të mbahej një paradë Gay. Në fakt nuk ishte e tillë. Disa zyrtarë në mënyrë të turpshme kërkuan që aktiviteti të ndalohej dhe të dënoheshin edhe aktivistët. Kjo nuk duhet të ndodhë më”, tha diplomati amerikan.

BASHA: NË BASHKINË TIME, NJË ZYRË E POSACME PËR LGBT
Kryetari i bashkisë së Tiranës , Lulzim Basha konfirmoi se në institucionin e drejtuar prej tij është hapur prej kohësh një zyrë ku mund të adresohen shqetësimet apo ankesat e komunitetit LGBT për shërbimet e bashkisë më të madhe në vend.

“Qëndrojmë mbi baza të forta për të respektuar orientimet seksuale të personave. Pavarësisht bindjeve ato meritojnë respect të plotë”, tha Basha.
Sipas tij, deri më tani në vendin tonë nuk ka raste të dhunës fizike ndaj anëtarëve të komunitetit LGBT.

(aq/shqiptarja.com)