Sali Berisha ka dhënë një intervistë për një gazetë amerikane, që sipas portalit të familjes Berisha, është një ndër më të mëdhatë në Amerikë. Bëhet fjalë për “Washington Diplomat”, e cila në FB, ka plot 6.1 mijë like.
Tani jo se ka ndonjë rëndësi të madhe, nëse gazeta në fjalë është e madhe apo e vogël, por theksimi në titull nga portali i familjes Berisha “gazeta e madhe amerikane”, kërkon që t’ju tregojë ndjekësve të verbër të Berishës, se ai ka ende fuqi dhe është i rëndësishëm në SHBA.
Ashtu si shkruan edhe gazeta e “madhe”, në tekstin e saj.
“Berisha, tani lider i opozitës së vendit, është armiku politik i kryeministrit aktual Edi Rama, i cili e mban postin që më 2013 dhe drejton Partinë Socialiste që më 2005.
Pavarësisht problemeve, Berisha ka miq të fuqishëm në Capitol Hill. Vitin e kaluar, kongresmeni republikan Lee Zeldin (Neë York), në një intervistë me ultrakonservativen Washington Free Beacon, akuzoi administratën Biden për “sjellje të dyshimtë e të papranueshme” në ndëshkimin e besnikërisë së Berishës karshi Partisë Republikane, dhe kundërvënies ndaj Sorosit, miliarderi donator bujar i Demokratëve dhe kauzave liberale.
“Prej muaj të tërë, Departamenti i Shtetit refuzon në mënyrë të përsëritur të japë një përgjigje reale, të detajuar, për akuzat për ‘korrupsion serioz’ të përdorura për sanksionimin e Berishës,” thoshte Zeldin. “Pavarësisht kërkesave të shumta për takim dhe informacion shtesë, Departamenti i Shtetit ka ofruar vetëm përgjigje sporadike, jo bindëse, që i vijnë rrotull pyetjes dhe nuk iu adresohen akteve specifike të zotit Berisha që cilësohen si ‘korrupsion’ apo procesit vendimmarrës që administrata ka përdor për përcaktimin e sanksioneve si ato të duhurat”,” shkruan gazeta.
Në fund, gazetari e pyet Berishën nëse do të rikthehet si kryeministër.
“Pa diskutim”, u përgjigj pa hezituar, duke shtuar se do të bënte një punë shumë më të mirë se Rama, i cili qeveris aktualisht Shqipërinë. Nga 2006 deri më 2013, gjatë qeverisjes së tij, Berisha thotë se Shqipëria pati rritjen e pagave mesatare më të lartë në Ballkan; tani është më e ulëta.
Për më tepër, midis 2014 e 2021, rreth 744 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi drejt shteteve të BE, thotë Berisha, duke cituar shifra nga Eurostat.
“Paga mesatare këtu është vetëm 380 euro në muaj. Edhe Kosova e ka 20% më të lartë”, ankohet Berisha. “Papunësia këtu zgjidhet vetëm duke ikur nga vendi”, shprehet ai./TemA