Pas lajmit se kancelarja gjermane Angela Merkel është përgjuar që prej vitit 2002 nga NSA, gazeta gjermane 'Bild', deklaroi se shefi i kësaj agjensie, Keith Alexander kishte informuar Obamën për përgjimet vetëm gjatë vitit 2010. 

Gjithsesi, Obama kishte lejuar që ky përgjim telefonatash të vazhdonte. Por ky lajm është mohuar menjëherë nga vetë NSA sipas së cilës Alexander nuk kishte diskutuar asgjë në lidhje me përgjimet e Merkel me presidentin e SHBA, Barack Obama.

Gazeta tjetër gjermane, Der Spiegel raporton se Obama ka folur me Merkel dhe i ka sqaruar se nëse do të kishte dijeni për përgjimet do t’i kishte ndaluar menjëherë ato.

Ndërkohë, Gjermania do të dërgojë zyrtarët e saj të inteligjencës në Washington. Siç raporton një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Gjermane. 

Në lidhje me këto përgjime telefonike ka folur dhe Ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich. Ai tha se nëse amerikanët kanë përgjuar telefonat në Gjermani, atëhere ata kanë shkelur ligjin dhe tokën gjermane.


(v.gj/shqiptarja.com)