Ka ndërruar jetë gazetari, historiani dhe “Mjeshtri i Madh” Fatos Mehdi Daci. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e të ndjerit të cilët njoftojnë se homazhet do të bëhen në Pallatin e Kulturës, Peshkopi nga ora 9:00-11:00, datë 8.12.2025 dhe varrimi në vendlindje, ora 13:00 në Njësinë Administrative Sllovë, Lagjja Dacallarë, Dibër.

Pritja para varrimit do të bëhen tek Shtëpia Furnerale “Ija”, Rruga “Kujtim Laro”, sipër Spitalit 5, tek Oxhaku, Tiranë, nga ora 14:00 e në vijim, datë 7.12.2025.

Fatos Daci ishte, Anëtar i përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe kryetar i disa shoqatave kulturore e atdhetare, Fatos Daci mbetet një prej personaliteteve më prodhimtare të letrave shqipe. Në mbi pesë dekada krijimtarie, ai botoi më shumë se 60 vepra historiko-enciklopedike, me mbi 15.000 faqe, duke dokumentuar jetën, historinë, traditat dhe figurat e Dibrës e të mbarë shqiptarisë. Ai botoi mijëra portrete, mijëra emra e dëshmi historike dhe ilustroi veprat e tij me mijëra fotografi të rralla, duke lënë një trashëgimi të pazëvendësueshme.

Si gazetar dhe publicist, ai drejtoi e themeloi disa gazeta, ndër to “Dibra”, ku shërbeu si kryeredaktor e botues për dekada. Ka botuar qindra artikuj, reportazhe e studime, si dhe ka realizuar 23 dokumentarë televizivë. Fatos Daci ishte organizator i dhjetëra veprimtarive përkujtimore e kulturore në Tiranë, Dibër, Bulqizë e më gjerë, duke promovuar vazhdimisht historinë dhe vlerat dibrane në veçanti.