Autori i shquar dibran, publicisti, shkrimtari dhe historiani Fatos Daci, riboton librin e tij më të ri të titulluar “Skënderbeu i vërtetë”, një libër me vlera të jashtëzakonshme për historinë tonë kombëtare.

Ky autor, paraqitet para publikut shqiptar me këtë vepër të madhe, pasi gjatë 29 vjetëve të fundit ka botuar mbi 60 vepra të tjera letrare e historike, përfshirë vepra madhore “Enciklopedia e Dibrës” (2006) e “Kukësit”- Enciclopedi (2018), duke drejtuar në këtë periudhë tri gazeta “Dibra”, “Zëri i Lirisë” e “Trojet Shqiptare”, duke shkruar intensivisht artikuj në më shumë se 12 organe të tjera publicistike të vendit tonë dhe të realizuar 20 dokumentare televizive dhe realizuar qindra veprimtari publike, promovuese e përkujtimore, në Tiranë, Bulqizë, Peshkopi, Dibër e Madhe, Lurë, Sllovë, Maqellarë, Shupenzë, Sinë, Kalis, Zall-Dardhë, etj.

Kjo veprimtari kaq e frytshme letrare e shkencore e z. Fatos Daci është për t’u admiruar, inkurajuar dhe vlerësuar siç duhet nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, nga Akademia e Shkencave, nga shoqata e Gazetarëve Profesionistë dhe nga e gjithë shoqëria shqiptare, veçanërisht ajo dibrane.

Në librin “Skënderbeu i vërtetë” shkrimtari Fatos Daci mbroj me mençuri, atdhetarizëm dhe guxim e burrëri një nga figurat më të mëdha e më të shquara në gjithë historinë e popullit shqiptar, madje në shkallë botërore, që është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të cilin në planin ndërkombëtar, Evropa e quan shpëtimtarin e saj nga thonjtë e Perandorisë Osmane, ndërsa Krishtërimi e quan shpëtimtar të tij nga Islamizmi. Ashtu, siç shkruan dhe vetë autori, për një çerek shekulli Ai ishte mburoja e Perëndimit kundër sulmit brutal të Lindjes, e cila synonte të thyente tabu të kufijve shtetëror, fetarë e ideologjikë të të dy kontinenteve.

Shkrimtari e historiani Fatos Daci ndërmori studimin dhe realizimin e kësaj vepër dinjitoze, duke mos duruar dot falsifikim monstruoz të disa autorëve të huaj, por sidomos atyre vendas lidhur me origjinën dhe vendlindjen e Skënderbeut të Madh, të cilit i “nxjerrin” kështu tri origjina tepër absurde.

Pastaj, u kundërvihet edhe disa autorëve të huaj, sidomos zvicerianit Oliver Jens Schmitt, me librin e tij “Skënderbeu”, i cili, tërthorazi e denigron figurën e madhe të Skënderbeut, si dhe të servilëve shqiptarë l, që e mbrojnë me zjarr në disa gazeta e televisione shqiptare në vitin 2008, duke u rreshtuar në anën e te huajve, pa vlerësuar dëmin që i bëhej figurës së Skënderbeut. Sidomos kjo u duk qartë në intervistën e Schmitt-it.

Për të sqaruar dhe argumentuar të vërtetën mbi origjinën dhe vendlindjen e Skënderbeut, autori ka përmendur në libër mbi 28 studiues të huaj dhe 40 historianë e studiues shqiptarë nga më të spikaturt, duke filluar nga Marin Barleti e Gjon Muzaka, të Fan Noli, Naim Frashëri, Marin Serdari, Dhimitër Frëngu, e deri tek Aleks Buda, Kristo Frashëri, Sabri Godo, Mustafa Kruja, Injac Zamput, Kasem Biçoku, Luan Maltezi, Shahin Leka, etj. Gjatë hulumtimit të burimeve të nevojshme, autori ka pasqyruar 110 referenca të shënuara sipas çështjeve të renditura në libër.

Libri “Skënderbeu i vërtetë (botim i parë) dhe “Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës (botim i dytë”, ose e thënë ndryshe e vërteta për origjinën, vendlindjen dhe datëlindjen e Skënderbeut, i pari me një vëllim prej 259 faqe dhe i dyti me 452 faqe. Ai fillon me pjesën hyrëse, ku autori shkurtimisht paraqet figurën e madhërishme të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në plan kombëtar e ndërkombëtar dhe meritat e tij të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe Evropën. Ky libër u promovua me datë 21 Mars 2009, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë në prani të qindra pjesëmarrësve.

Pasi pasqyron të gjithë studiuesit dhe historianët më të shquar të huaj dhe shqiptarë që kanë shkruar me respekt të madh për figurën e Heroit tonë Kombëtar, autori numëron tre autorë vendas, të cilët paraqiten tri origjina për Skënderbeun, gjë që s’mund të ndodh kurrë në botë.

Atëherë autori thotë më të drejtë se “arma” e së vërtetës është analiza historike! Kush bën analizën historike ka zgjedhur dilemat rreth figurës madhështore të Skënderbeut.

Te kapitulli I- Përfundim, janë trajtuar këto çështje historike: “ Nga ishin Kastriotët dhe Skënderbeu”, “Barleti asnjëherë nuk ka thënë e nuk ka shkruar, se Kastriotët janë nga Mati”, “Toponimia vërteton lidhjet e vetme të origjinës së Kastriotëve me Dibrën”, “Hasi i Kastriotëve është në çidhën të e Dibrës”, “Ç’thotë trashëgimia gojore dibrane për origjinën e Kastriotëve dhe të Skënderbeut?”, “Origjina e Kastriotëve është zyrtarisht nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në vitin 1985”, “Gjergj Kastrioti lindi më 6 maj 1405, në Sinë të Dibrës”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në ditëlindjen e tij”, “Faksimile për ditëlindjen e Skënderbeut”, “Marrja peng dhe konvertimi fetar i Skënderbeut”, “Sa i gjatë ishte Skënderbeu?!...”,”Cila ishte pamja fizike e Skënderbeut?!”, “Pse Skënderbeut braktisi Portën e Lartë dhe u kthye në Shqipëri?!”, “Skënderbeu nuk mund të tjetërsohet”, “Skënderbeu është realitet historik”, “Kush ishte Skënderbeu me?”, “Skënderbeu u kthye në shtëpinë e tij”, ‘Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës”, “Betejat e Skënderbeut në Dibe”, “Betejat e zhvilluara në rajonin e Dibrës”, “Perëndimi a Is kishte me hile Skënderbeut “, “ Skënderbeu ka marrë vlerësimet e merituara”, “Simbioza e shoqërisë pa standarde”,  “Karakteri i luftërave dhe arti luftarak i Skënderbeut”, “Skënderbeu dhe plak Kanuni”, “Legjenda dibrane për Skënderbeun”, “Dhjetë herë është “kthyer” me ceremoni, Skënderbeu në Dibër”, “E vërteta historike dhe realiteti te filmi historik me ngjyra “Skënderbeu”, “Kur vdiq Skënderbeu?!”, “Edhe pasardhësit e Stanishit, vëllai i Skënderbeut, janë banorë të Çidhnës”, “Vula origjinale e Skënderbeut”, “Shqiptarët e dinë mirë se kujt i intereson prejardhja “serbe” e Vojsavës”, “Rreshtohuni përkrah shqiptarëve, zotërinj të medias”, “Skënderbeu duhet mbrojtur me ligj”, etj.

Në kreun, që emërtohet “Polemika”, ai i kundërpërgjigjet me argumente të padiskutueshme autorit të librit “Tedeli i Kastriotëve është Hasi” me kapitujt: “Skënderbeu, Heroi Kombëtar, nuk mund të privatizohet lehtë”, “Skënderbeu lindi dhe luftoi në Dibër”, “Sajesat nuk përcaktojnë origjinën e Gjergj Kastriotit”.

Autori, polemizon me autorët matjanë me çështjet: “ Rreth “shakave” matjane për origjinën e Gjergj Kastriotit”, “Jo thjeshtë resto”, “Edhe shakatë duhen marrë seriozisht”, “Ka toponime e toponime”, “Gjon Kastrioti shkoi nga Dibra në Mat dhe shtroi edhe Matin”, “Kufijtë dhe çështja stelush”, “Si e “harruat “Ballabanin?!”, “Ja që edhe betejat nuk janë zhvilluar në Mat…por, janë zhvilluar në Dibër”, “Rreth Aemathias”, “Po, ku lindi Heroi?!”, “Hamendjet e Ferit Këputës”, “Skënderbeu dhe Kastriotët nuk kanë asnjë lidhje të vecantë me Matin”, etj.

Së treti, autori kundërshton autorë dibran, me çështjet: “Me përralla e andrralla nuk bëhet historia e Skënderbeut” dhe “Kaloshët kanë origjinën e tyre, e cila nuk ka lidhje të veçantë me Kastriotët”.

Debatet mbi librin e Schmitt, për Skënderbeun, të zhvilluara kohët e fundit në medie janë në kapitujt e mëposhtëm të librit: “Skëndërbeu nuk mund të tjetërsohet”; “Realiteti i dhimbshëm shqiptar”, “Skënderbeu është realitet historik”, “Kush ishte Skënderbeu”, “Skënderbeu u kthye ne shtëpinë e tij”, “Betejat e Skënderbeut në Dibër”, “Skënderbeu dhe dibranët luftuan për Shqipërinë”, “Skënderbeu ka marrë vlerësimet e merituara”, “Simbioza e shoqërisë pa standarde”, “E vërteta dhe të pavërtetat e Schmitt”.

Në pjesën përmbyllëse (Epilog), autori me të drejtë thotë se nuk e ka pasur aspak të lehtë të arrijë në idetë dhe përfundimet kushtuar kësaj figure madhoe, me përfaqësuese të shqiptarëve në të gjitha kohërat. Por është krejtësisht i qetë që ka e bërë me seriozitetin maksimal të mundshëm, pa bërë asnjë përpjekje për manipulim me të vërtetën historike, pa deformuar e pa anashkaluar rezultatet që kanë arritur të tjerët para tij, pa i rënë askujt “në qafë” për idetë dhe mendimet që ka shfaqur publikisht deri më sot.

Vlerat e këtij libri ai rrit më shumë edhe fakti që autori e ka shkruar librin me një gjuhë të qartë, të rrjedhshme, të kuptueshme e bindëse.

Autori, analizën dhe faktin historik nuk i ka veshur me letrarizma dhe komente mërzitëse. Edhe pse ka debatuar me disa autorë e historianë, në një kohë kur bindjet e tij janë standard dhe të njëjta për të gjithë çështjet, ka ditur të shmangë përsëritjen, gjithnjë është shfaqur origjinal dhe racional, natyrshëm.

Gjithashtu, autori ka ditur ti largohet emocionitdhe komentit të panevojshëm. Në asnjë rast nuk ka rënë në amulli e përshtjellime dhe as në euforizëm e egoizëm. Ndërkohë, autori ka përdorur të gjithë mjetet stilistike publicistike dhe figurat letrare më të goditura, si një mjeshtër i vërtetë i fjalës së shkruar, me një përvojë të gjatë. Të gjithë këto elementë e bëjnë këtë libër një botim të mirëfilltë shkencor me vlera, që botohet në kohën e mënyrën e duhur, për figurën më përfaqësuese të shqiptarëve në të gjithë kohërat.

Unë e përgëzoj autorin e këtij libri të madh shkencor në interes të mbrojtjes me mençuri e guxim të figurës më madhore mbarëkombëtare të të gjithë kohërave, Gj. K. Skënderbeut dhe i uroj shëndet dhe mbarësi për vepra të tjera të mëdha edhe në të ardhmen.