Patrioti Lam Skepi, antikomunisti i shquar çidhnak! Me rastin e 30 –vjetorit të ndarjes nga jeta

Patrioti Lam Skepi, antikomunisti i shquar çidhnak! Me rastin e 30 –vjetorit të ndarjes nga jeta

Lam Skepi

Lam (Islam) Skepi, një emër tingëllues, i përmendur dhe i veçantë  jo vetëm në Çidhën e në Dibër, por dhe më gjerë. Thuaj Lam(Islam) Skepi dhe ke thënë shumë gjera: nacionalist e patriot, antikomunist i vendosur, burrë i zgjuar e më nuhatje të spikatur ideologjike e politike, i vëmendshëm për të mbrojtur veten dhe familjen e tij, sy patrembur në rreziqe, i sulmuar brutalisht, deri në dënime me burgosje nga regjimi komunist, njeri i sakrificës.  

Lami ishte pinjoll i denjë i një fisi të shquar në Blliçe të Çidhnës, fisi në të cilin mund të përmendim Met Skepin e Xhemal Skepin(Të dy ish oficerë), Haxhi Skepin  etj. 
Lamin e kishte lindur motra e Abas Agës(Abas Ratkes) nga Ratket e Sllovës, halla e vjehrrit tim, Shefit Ferati. Bazë Ratkja ishte burrë shumë i përmendur jo vetëm në Sllovë, me pasuri dhe autoritet, ndaj i kishin vënë edhe mbiemrin e dytë ”Aga”. 

Babai i Lamit, Ismail Skepi, ishte atdhetar e patriot, si dhe renditej ndër burrat e njohur, të mençur  e autoritar të Blliçes dhe Çidhnës.  Gjithashtu,  kishte miq të shtëpisë të shumënjohurin Halil Alia, i cili kishte për grua motrën e Lamit, si dhe kishte miqësi direkte dhe familjen Xhilagës së Deshatit, njëri nga Katër Oxhaqet historikë të Dibrës së Poshtme, ose të Dibrës së Vogël.

Pra, Lami lindi në një taban dyfish të përmendur e të shëndosh, edhe nga babai, edhe nga nëna, si në linjën femërore,  ashtu edhe në linjën mashkullore.
Këto rrethana e kishin edukuar Lamin me traditat të pastra malësore e patriotike, me burrëri dhe besë, me autoritet dhe respekt. 

U lind më 20 prill 1920, në Blliçe, fshatin “Nderi i Kombit”, fshati i martirizuar nga regjimi komunist, ku disa burra janë pushkatuar e shumë të tjerë janë arrestuar dhe dënuar rëndë politikisht, për të ashtuquajturën “vënie në shërbim të UDB-së jugosllave” apo “Tradhti ndaj Atdheut!...”



Fëmijërinë e kaloi në vendlindje. Në vitet 50, të shekullit kaluar, regjimi komunist e arrestoi, e burgosi dhe dënoi me tre vite burg, të cilat nuk i kreu plotësisht, pasi përfitoi nga një amnisti. U lirua dhe u kthye në shtëpi. Në vitin 1951, u mobilizua  për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Pastaj, regjimi gjakatar komunist e shpalli kulak, duke i hequr triskat e Frontit Demokratik, pra anëtarësinë në këtë organizatë politik e shoqërore të madhe e të vetme, levë e diktaturës, ku anëtarë ishin të gjithë banorët e një fshati apo krahine, përjashtuar “Armiqtë e Partisë”, “Sabotatorët e Pushtetit Popullor”, “Bashkëpunëtorët me pushtuesit”, të arratisurit për pakënaqësi ndaj regjimit të instaluar në Shqipëri etj. Pra, ky rast ishte dënimi më i rëndë politik për Lam Skepin, i cili, edhe pse u lirua nga burgu dhe kreu dhe shërbimin e detyruar ushtarak, ndiqej e përndiqej nga strukturat e shtetit totalitar, nga Sigurimi i Shtetit dhe policia politike, gjithnjë si “armik” i atij regjimi. 

Ndodhte kështu, sikur të mos mjaftonte gjendja e mjeruar ekomomike e familjes së Lamit.
 Por, sigurisht, kishte dhe miq e shokë, që ishin të lidhur me strukturat ndëshkuese politike të regjimit, të cilët me dashamirësi e paralajmëruan, se ishte në ndjekje e survejim të vazhdueshëm, se regjimi ishte bërë pishman pse  e liruan, dhe se ai rrezikohej të arrestohej përsëri. Problem tjetër i rëndë politik  ishte, se dhe motra e tij rrezikonte të ndiqej e burgosej, ose të internohej si gruaja e një "krimineli” (sipas regjimit), pas vrasjes së Halil Alisë në Ujmisht të Kukësit. 

Pra, Lam Skepi gjendej në udhëkryq: Të rrezikonte dënime politike e përndjekje të tjera, apo t’u ikte këtyre reprezaljeve politike, të pranonte që motra e tij, Xharia, të internohej, burgosej e të bëhej viktimë  e objektiv i Sigurimit famëkeq të Shtetit, apo ta shpëtonte edhe atë.  Ndaj, rruga e vetme e shpëtimit për të, edhe për të motrën e tij, ishte të largohej me dhimbje e mall të pashuar nga vendlindja e trojet e tij, të arratisej në ish Jugosllavi, vendi më i afërt dhe më i mundshëm për ta kryer këtë akt sublim. Kjo tentativë ra në vesh të Sigurimit, prandaj, Lamit, për të humbur gjurmët, për t’ju treguar e  për t’i bindur, se nuk do të arratisej,  filloi të ndërtonte dhe një shtëpi të re dhe paralel më këtë punë, çdo ditë studionte mundësitë e rrethanat e arratisjes. 


Për këtë qëllim, ai, u thirr dhe nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të asaj kohe.  Sa mori vesh thirrjen nga kryetari i Degës, ai, njoftoj xhaxhanë e tij Haxhi Skepin dhe dhëndrin Xhelal Xhilagën, nga dera e oxhakut të Xhilagës në Deshat. Lami u shqetësua shumë, dhe dyshoi se mos Dega e Punëve të Brendshme kishte dijeni për planin e arratisjes së tij, por kur ai e akuzoi, se bënte propagandë kundër kolektivizmit u qetësua dhe u mbrojt me marifet para kryetarit. Pas presionit të fortë, ndaj Lamit, kryetari i Degës së Brendshme, i propozoi të bashkëpunonte me Sigurimin, të bëhej spiun. Jo vetëm kaq, por kryetari kishte menduar dhe për maskimin që do t’i bënte Lamit, që të fitonte besueshmërinë e njerëzve, komunitetit, duke shkuar në fshat, duke e diskredituar dhe duke i vu mbi kurriz të bëra e të pabëra, metodë e njohur kjo e Sigurimit, për të gjithë ata që i bënte bashkëpunëtor, për t’u humbur gjurmët.... 

Ndërkohë, i kishin sekuestruar dhe një armë, që kishte pasur, por kryetari i çon fjalë që të shkonte të merrte armën. Lami nuk shkoi vetë për të marrë armën, por dërgoi Qemal Xhilagën, vëllanë e Xhelal Xhilagës. Në mbledhjen diskredituese të Lam Skepit, në fshatin Blliçe, një Nokë u ngrit dhe sy për sy të Lamit,  i thotë kryetarit të Degës, se në zyrë kishte letrën e  tij, që e informonte, se Lam Skepi donte të arratisej.

Por, me gjithë dyshimet dhe përndjekjet, Lami arriti ta organizonte arratisjen. Kjo ndodhi më 11 maj 1958 dhe zgjati 24 orë.  Në zabelin afër shtëpisë së Lamit u bashkua dhe me kundërshtarë të tjerë të regjimit, nga krahinat e tjera, dhe të gjithë së bashku, filluan udhëtimin natën,  për Grykës së Gramës e përroit të Kapçit, për të arritur brezin kufitar para se të dilte drita, por nuk e arritën këtë objektiv. 
Në mëngjes, herët, ishin në Gramë, ku u diktuan nga rojet kufitare dhe ata filluan të gjuajnë me armë, deri dhe me mitraloz,  kundër këtij grupi prej 26 vetash, në përbërje të të cilit kishte dhe gra e fëmijë, ndër ta edhe Sakipi 5 vjeçar, i biri i Lamit, themeluesi dhe drejtori i Radios në gjuhën shqipe “Jehona e Shqipes-PANIK”.  Lam Skepi, Haxhi Skepi dhe Xhelal Xhilaga, edhe pse kishin kaluar qafën, u kundërpërgjigjen me armë, madje plagosën dhe një ushtar të kufirit. Më datën 12 maj 1958, kaluan pa dëme në tokën jugosllave.

 Me këtë grup ishin edhe 3 plaka, 2 fëmijë 6 javësh dhe dy fëmijë të tjerë 5 vjeç.  Autoritet maqedonase, ku kaluan, i mbajtën një natë në fshatin Tanushë dhe pastaj i dërguan në burgun më famëkeq, të Idrizovës.  Të gjithë u intervistuan nga shërbimi sekret maqedonas, ndërsa Lami jo. Por, Lami ju kërkoi haptas që, më mirë ta vrisnin ata, se sa ta rikthenin në Shqipëri, ku e priste dënimi kapital. 
Njëkohësisht,  Lam Skepi, ju deklaroi, se ai nuk pranonte që të rekrutohej prej tyre, sepse për të gjithë të arratisurit, në ish Jugosllavi e në vende të tjera perëndimore,  kishte vetëm dy rrugë: Ti vrisnin ose t’i rikthenin nga kishin ardhur, ose të viheshin në shërbim të strukturave sekrete të vendeve, ku kishin shkuar, për të kryer spiunazh, për të bërë diversion, sabotim dhe akte të tjera terroriste në Shqipëri, me qëllimin e vetëm për të rrëzuar regjimin komunist të E Hoxhës. 

Nga Maqedonia  e ish Jugosllavisë u largua dhe u vendos për banim të përhershëm më 11 nëntor 1966, ku jetoi deri sa vdiq. Asnjëherë, nuk u muar me punë të “pista” e spiunazh, punoi për të mbajtur familjen dhe për të jetuar me djersë dhe me punë të ndershme. Në kondita të reja ky ishte një patriotizëm i kulluar, sepse Lami urrente dhe nuk e  donte regjimin komunist, por e donte shumë atdheun e tij, Shqipërinë. 



Por, asnjëherë, vendlindjen nuk e hiqte nga zemra e nga mendja. Dashuria për to gjithnjë ia ka kallur zemrën e i ka djegur shpirtin. Shembjen e regjimit komunist e priti me shumë gëzim, sepse, më e pakta,  i hapej kështu mundësia të vinte në Shqipëri, për t’u shpallur me vendin dhe komunitetin e vet. Ndaj, në vitet e fundit të pleqërisë erdhi për t’u shpallur me vendlindjen, për të vdekur e për t’u varrosur në fshatin Blliçe. 

Edhe i biri, Sakipi,  vazhdimisht, ka punuar për çështjen kombëtare shqiptare dhe mban lidhje të ngushta me fisin, farefisin dhe komunitetin e vendlindjes, si dhe me politikanë, gazetarë, kineast, artistë dhe personalitete të larta shqiptare. 

Islam Skepi ndërroi jetë  më 14 mars 1994, Ditën e Verës, dhe u përcoll për në banesën e fundit me lotë, dhimbje, respekt e mirënjohje nga i madh e i vogël, për karakterin e tij antikomunist, burrëror, atdhetar e patriotik.

Burra si Lam Skepi vdesin vetëm fizikisht, sepse ata nuk vdesin asnjëherë për jetën, veprat dhe mirënjohjen e respektin në komunitetin e tij.

Fatos Daci, Mjeshtër i Madh

S.G/N.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Dua Lipa shkëlqen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ‘Time 100’

Dua Lipa shkëlqen në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ‘Time 100’