Gazetarët serbë në grevë urie, kërkojnë më shumë para nga Serbia

Gazetarët serbë në grevë urie, kërkojnë më shumë para nga Serbia

Rreth 30 punëtorë të pakënaqur të mediave nga Graçanica dhe Mitrovica e Veriut e ngrinë grevën e urisë, vetëm disa orë pasi e filluan atë.

Ata njoftuan se greva “ngrihet për shkak të situatës komplekse” në Kosovë, me të cilën Serbia, siç thanë, “lufton çdo ditë për mbijetesën e popullit serb”.

Ata thanë se deri më 5 dhjetor do t’u japin përparësi bisedimeve për përmirësimin e pozicionit të tyre.

Bëhet fjalë për punëtorët e ndërmarrjes publike Rrjeti Ura (Mrezha Most), me seli në Beograd, e cila është themeluar në vitin 2010 me vendim të Qeverisë së Serbisë.

Kjo ndërmarrje bashkon tri televizione dhe tri radiostacione, të cilat raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë: TV Most nga Zveçani, Radio dhe TV Puls nga Shillova, Radio Mitrovica e Kosovës dhe Radio dhe TV Graçanica.

Njoftimi për ngrirjen e grevës u publikua në profilin e Sindikatës së Rrjetit Ura në Facebook, por postimi më pas u fshi.

Ndryshe, përveç këtyre mediave, në gjuhën serbe në Kosovë raporton edhe Televizioni Publik i Kosovës (RTK), si dhe kanale tjera televizive lokale, radiostacione dhe portale, të cilat kryesisht janë krijuar me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim të informimit të komunitetin serb.

Pse janë të pakënaqur punonjësit e Rrjetit Ura?

Siç u bë e ditur fillimisht, njësitë afariste TV Most në Mitrovicën e Veriut dhe RTV Graçanica, afër Prishtinës, vendosën të hyjnë në grevë urie për shkak të situatës së vështirë, si dhe pas disa kërkesave që i bënë menaxhmentit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndër të tjera, u kërkua rritja e pagave me arsyetimin se me rreth 45 mijë dinarë (rreth 400 euro) ata nuk mund ta përballojnë inflacionin e lartë.

Gjithashtu, u kërkua edhe e ashtuquajtura shtesë për Kosovën, të cilën kryesisht e marrin punëtorët e punësuar në institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunat e banuara me serbë në Kosovë.

Këto institucione në Kosovë punojnë në sistemin e Serbisë.

“Vetë presidenti i vendit tonë, Aleksandar Vuçiq, në vitin 2018, saktësisht katër vjet më parë, publikisht në konferencë për media kërkoi nga Zyra për Kosovë dhe Metohi, siç tha ai, që të gjejë një mënyrë që punëtorët e Rrjetit Ura, gazetarët tanë, të kenë të drejtën në shtesën për Kosovën, ashtu si profesorët, mjekët dhe punëtorët e tjerë, të cilët marrin shtesën për Kosovën”, thuhet në njoftim.

U tha gjithashtu se sindikata, e cila qëndron pas grevës, është nën presionin e disa menaxherëve për të punuar kundër interesave të Rrjetit Ura.

REL kontaktoi Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në lidhje me kërkesat e Rrjetit Ura, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje.

Çfarë është shtesa për Kosovën?

Që nga viti 2003, Qeveria e Serbisë u paguan punëtorëve në sektorin publik të ashtuquajturën shtesë për Kosovën, edhe pse Gjykata Kushtetuese e Serbisë, në vitin 2010, konstatoi se një gjë e tillë nuk është e ligjshme.

Shtesa për Kosovën, në fillim, ka qenë 200 për qind e pagës bazë, pastaj u zvogëlua në 150 për qind, dhe së voni në 50 për qind. Kjo nënkupton se punëtorët që kanë shtesën për Kosovën, marrin edhe gjysmën e vlerës së pagës që fitojnë.

Marrë parasysh se kjo lloj ndihme financiare për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë nga Qeveria e Serbisë është e kundërligjshme në Serbi, është dashur që të miratohet një ligj i veçantë që do ta rregullonte një gjë të tillë, por kjo nuk është bërë deri më tani. Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo shtesë është ndarë në bazë të konkluzioneve të Qeverisë së Serbisë.

Në shtator të vitit 2018, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një qëndrimi në Mitrovicë të Veriut, deklaroi se ekziston gatishmëria për të rritur shtesën për Kosovën për punonjësit e sektorit publik, në mënyrë që t’i inkurajojnë serbët të qëndrojnë në Kosovë.

“Askush nuk mund të na e ndalojë këtë, askush nga ajo botë që dëshiron që Serbia të mos ishte këtu”, tha ai në atë kohë.

REL-i nuk ka arritur të vërtetojë saktësisht se për sa punëtorë ndahet shtesa për Kosovën nga Qeveria e Serbisë.

Shtesa për Kosovën edhe për punonjësit e mediave?

Dejan Jevtiq, kryetar i sindikatës në TV Most, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se është i vetëdijshëm se shtesa për Kosovën është cilësuar si antikushtetuese në Serbi, por nënvizon se po kërkojnë vetëm të drejta të barabarta për të gjithë.

“Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Punëtorët tanë, gazetarët në mbarë Kosovën dhe Metohinë përballen me të njëjtat kushte (të punës)”, thotë Jevtiq.

Shtesën për Kosovën, si mbështetje për të gjithë gazetarët e mediave serbe në Kosovë, e ka përkrahur edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë (UNS), Zhivojin Rakoçeviq, me shpjegimin se punëtorët nuk mund të ndahen sipas një sistemi të caktuar: “ju e keni merituar shtesën për Kosovën dhe do ta merrni atë, ndërkaq ju të tjerët jo”.

“Shtesa për Kosovën duhet të nënkuptojë më shumë para për projekte mediatike në Kosovë dhe Metohi, gjegjësisht kjo të nënkuptojë stabilitet për profesionistin e medias, pavarësisht se në cilin sistem punon dhe cilës kompani i përket”, ka thënë Rakoçeviq.

Megjithatë, pas takimit me punëtorët e pakënaqur të mediave, ai ka thënë se greva e urisë nuk është e mirë dhe se askush nuk duhet të rrezikojë shëndetin.

Cilët janë hapat tjerë?

Dejan Jevtiq, i cili punon si producent në RTV Graçanica, thotë se pas konsultimit me kolegët e tjerë, kanë vendosur që të ngrijnë grevën deri më 5 dhjetor, dhe se do t'i koordinojë hapat e tjerë me ta.

Ai thotë se deri më tani askush nuk ka kontaktuar me ta, por megjithatë, pret që një gjë e tillë të ndodhë në ditët në vijim.

“Nëse nuk i zgjidhim problemet tona, atëherë nga e hëna do të hyjmë në një grevë të përgjithshme urie, për të realizuar qëllimet tona dhe për të tërhequr vëmendjen e publikut. Kemi disa indikacione se sot apo nesër do të kemi disa bisedime. Çfarëdo që të ndodhë, do ta informojmë opinionin për hapat tanë të mëtejshëm”, tha Jevtiq.

Ai është edhe këshilltar në Kuvendin Komunal të Graçanicës nga radhët e Listës Serbe, parti udhëheqëse e serbëve të Kosovës që vepron me mbështetjen e Beogradit.

Jevtiq dhe disa kolegë të tij gjithashtu hynë në grevë urie në vitin 2010, kur kërkuan të mbeten pjesë e kompanisë së tyre mëmë, Radio Televizionit të Serbisë (RTS).

Ajo grevë ishte pjesërisht e suksesshme, sepse për shkak të “ndryshimit të statusit të RTS-së” një numër punëtorësh u pushuan nga puna, ndërsa pjesa tjetër vazhdoi të punonte në TV Most./REL.

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja