/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Unioni i gazetarëve të Shqipërisë është mbledhur në zemër të kryeqytetit në shenjë sensibilizimi në nder të kolegëve francezë të "Charlie Hebdo".
Të pranishëm gjatë homazheve pranë Piramidës ishin dhjetëra gazetarë, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe vetë Ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitoussi.

Kreu i Unionit të gazetarëve, Aleksandër Çipa në fjalën e tij tha se ngjarja e rëndë që shokoi Francën ka goditur të gjithë botën e gazetarisë. "Ata sot janë heronjtë tanë. Janë emblema e gazetarisë, e misionit për të mbërritur tek e vërteta", nënvizoi ai. Ambasadori Francez, Bernard Fitoussi, duke falënderuar pjesëmarrësit theksoi se vendi i tij është plagosur, por Franca sërish do të ringrihet në këmbë. "Sot Franca u plagos, por nesër do të ngrihet më e fortë. Falenderoj Shqipërinë dhe Shqiptarët që treguan sensibilitet të lartë karshi kësaj ngjarje", vijoi Fitoussi, i cili në vend të minutës së heshtjes kërkoi që të gjithë të pranishmit të këndonin himnin e  Shqiptërisë

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditrmir Bushati tha se Shqipëria është pranë Francës në këtë moment delikat. "Sot fjalët janë të tepërta. Ne shprehim dhimbjen tonë dhe mbështesim popullion francez në këto çaste të vështira", theksoi Bushati.

Gjatë ceremonisë pjesëmarrësit mbajtën qiri në dorë për nder të shpirtrave të dhjetë gazetarëve që humbën jetën pasditen e sotme në Francë, si dhe posterat me fotot e tyre.
Franca është tronditur këtë të mërkurë nga një sulm terrorist në revistën e përjavshme satirike "Charlie Hebdo" me zyrat qendrore në Paris, duke lënë 12 viktima dhe disa të plagosur. Tre persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov qëlluan me breshëri ndaj redaksisë, ndërsa stafi ishte duke bërë mbledhjen e përjavshme, çka do të thotë se të gjithë gazetarët ishin të pranishëm në kohën e masakrës. Ndër viktimat e këtij sulmi terrorist është dhe kryeredaktori i revistës Stéphane Charbonnier, ndaj të cilit janë kryer dhe sulme të mëparshme në 2011 dhe në vitin 2013 al'Qaeda kishte vendosur një çmim mbi kokën e tij, për shkak të karikaturave ironizuese ndaj profetit Muhamed tre vjet më parë.