Ky entuziazëm i disa deputetëve të PS-së, kur postojnë imazhin e Balliut në Lanë, më duket një budallallëk dhe një bumerang politik.

Më kujton ëndrrën e Saliut për ta tërhequr Edi Ramën zvarrë në Lanë.

Emri, sigurisht, ka rëndësi.

Dhe Balliu nuk është as Rama, as vetë Saliu.

Por më i rëndësishëm është modeli që promovon.

Po legjitimon ‘zgjidhjet’ e rrugës në raport me zgjidhjet politike.

Zgjidhjet e rrugës dhe të turmave nuk do të mjaftohen vetëm me kokën e Ramës, të cilën kërkojnë aktualisht.

Prania besnike është një ofertë amatore dhe jo një reflektim serioz e i përgjegjshëm.

Çlirojeni Kushtetutën nga 21 Prilli berishian i vitit 2008, garantoni veprimin e drejtësisë për këdo, pavarësisht nga emri apo hierarkia, ndryshoni sistemin zgjedhor për të kapërcyer ngërçin e pabarazisë së shanseve, rivendosni demokracinë në funksionimin e partisë, shërojeni administratën nga korrupsioni etj.!

Nëse zgjidhjet politike bëhen të pamundura, atëherë viti 1997 do të duket si një ëndërr e bukur.

Turma e sotme nuk është ajo e viteve ’90.

Situata ndërkombëtare nuk është ajo e vitit 1997.

Evropa tashmë është përfshirë nga trazira, probleme dhe pikëpyetje të mëdha dhe nuk e ka luksin e atij viti.

SHBA-ja nuk foli mbrëmë për të mbështetur një parti apo një individ, por për të mbrojtur Shqipërinë nga kaosi, ndikimet e huaja hakmarrëse dhe delegjitimimi i procesit politik.

Mos lejoni që, në mungesë të reflektimit dhe reformave serioze, turma të kthehet në polici morale mbi ju dhe shumicën qytetare, duke urdhëruar nesër jo thjesht mënyrën e shprehjes së mendimit, por vetë mendimin.