Gazetari i veriut të
ëmbël, Lulzim Logu

Gazetari i veriut të<br />ëmbël, Lulzim Logu
(Sprovë vlerësimi për librin “Pranverat e qytetit të veriut” të  Gjon Neçajt, publicistikë.)

Sapo ka dalë nga shtypi ky libër, botim i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit dhe Shkencës si dhe Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane dhe Britanike. Kur në fakt duhej të ishte i shtati apo i teti libër i tij publicistik, duke pasur parasysh se ai ka dhjetëra vite që kontribuon në shtypin qendror dhe atë lokal me shkrime të ndryshme, të karakterit social, kulturor dhe ekonomik si dhe vështrime letrare për autorë dhe vepra të ndryshme letrare.

I konsideruar si poeti i Bjeshkëve të Nemuna,i cili vazhdimisht lëvron papërtuar, fisnikërisht, me shpresë dhe besim në “arën” poetike shqiptare, një gazetar i veriut të ëmbël, i viseve të bukura natyrore, por mjerisht akoma të varfra, të largëta nga ndryshimet progresive të kohës, si një kënd i harruar akoma diku mes maleve, baladave dhe nostalgjive …

Pikërisht tek ky status i vendlindjes dhe arealit të tij poetik, ndoshta buron dhe pamundësia e tij, të shfaqet më i plotë dhe i strukturuar, më i afërt me lexuesit e tij të shumtë, megjithatë ai modest dhe i pakompleksuar, përpiqet të jetë pranë tyre përmes çdo forme të mundshme të komunikimit të sotëm, sidomos elektronik.

Tek “Pranverat e qytetit të veriut” ka larmi tematike, që nga evokime tradicionale si “Gjama e burrave” dhe “Tradita e kullave shqiptare”, tek “Dervishët e Tropojës” si trajtim i veçantë nën një dritë dhe fokus filozofik dhe humanitar,te fakti i rrallë historik, me “Pasaportën e gjetur të Bajram Currit” dhe “Normat zakonore dhe ligjet e shtetit” si qasje krahasimore me efekt sensibilizues dhe dialogues.

Por dhe me shënjëzime intelektuale dhe krijuese rreth figurave të shquara historike, të shkencës dhe letërsisë mbarëkombëtare si Mark Avdyli, Mark Krasniqi, Din Mehmeti, Rexhep Qosja, Martin Camaj etj.

Ndërkohë që me të njëjtën ndjenjë vlerësimi, përkushtimi dhe analize jetësore ai trajton njerëzit e shquar të artit, letërsisë, traditës dhe historisë, por edhe të zhvillimeve demokratike, që nga fotografi më i vjetër i qytetit, tek çobani, personazh i një romani të njohur, tek veteranët e nderuar të luftës, deri te historia aq e njohur e vajzës, e cila u përpoq të thyejë tabutë e vjetra të një kohe dhe u martirizua…

Stili i tij ka koncizitet, ritëm dhe frymëmarrje të shpejtuar, duke dashur të shplojë para vetes dhe të tjerëve shqetësimet e kohës dhe ditës, ngulshmet e dukshme shpirtërore dhe intelektuale, shfrimet shpesh të forta ndaj realitetit, ndonjëherë zhgënjyes dhe gati vrasës i shpresës dhe vazhdimit, pikëllimin për bashkëvendësit e tij, që vuajnë mëkatet e atyre për të cilët kanë votuar dhe besuar dhe tash përditë ua kthejnë shpinën paturpësisht…

Kronikan realist, me detaje të mprehta, këndvështrime të qëlluara dhe formulues i shkathtë i mesazhit adekuat social, Neçaj shpalos begatinë e përvojës, afërsinë e duhur me ngjarjen dhe rrethanat, pa zbukurime dhe teknika të sforcuara, duke qenë kësisoj një vëzhgues dhe më pas përgjithësues i matur dhe alternativ i dukurive njerëzore dhe ndikimeve historike.

Atij i mjafton një çast, një lëvizje, një rrëfim, për të sendërtuar mesazhin që duhet ta tronditë së brendshmi lexuesin dhe ta intrigojë atë në botën e  tij personale, sikurse në botën e madhe ku i duhet të matet me veten dhe të tjerët si qytetarë të përgjegjshëm aktiv, si pjesëtarë të merituar të Atdheut që duhet të rritet…

Në fund të fundit, në dialogun e ti publicistik, ai përfaqëson më së miri profilin e tij, një gazetar shumëplanësh, por modest në pretendimet e tij, një njeri i butë në rrëfim, por i vrullshëm në gjykime, sa fisnik dhe naiv, sa i ashpër dhe i pikëlluar, sa i lumtur dhe i trishtuar…

Ndërsa udhëton stacioneve të jetës, herë si poet, herë si ekonomist, herë me kapuç të bardhë mbi kokë, herë me krelat e paprera, herë grotesk me pushtetin dhe herë afrues i çuditshëm i njerëzve të thjeshtë që vuajnë.

Duke vuajtur si ata, duke bërtitur aq sa mundet, duke u përpjekur të dritësojë në një mjedis të mjegulluar provincial, ku talentet humbin shpesh në shiun dhe gropat e rrugës dhe budallenjtë festojnë fatin e tyre, duke tallur të mençurit…

Libri lexohet shpejt, përbihet ashtu si një pije e shumëpritur ta shuajë kalljen e brendshme, ka personazhe dhe fakte si një roman kronike, ka vërtetësi dokumentare, ka thjeshtësi dhe ngarkesë të”butë” për çdo lexues, ka emblemën dhe vulën e vendit ku jeton dhe vepron autori si njeri, personazh, objekt dhe subjekt i një tradite të njohur publicistike dhe jo vetëm.

Megjithëse pak i ngutur në përzgjedhjen dhe renditjen tematike dhe problemore, libri është unanim dhe bashkëkohës në nuancat dokumentare, sikurse në gjuhën dhe teknikat e pasqyrimit të fakteve, dëshmive dhe ballafaqimit kohor dhe ideor.

Një seri e mirëseardhur e një seriali publistik, i cili padyshim se do të vazhdojë me akte të tjera, ku Gjon Neçaj rrëfen, gjykon, polemizon dhe apelon mbi të drejtat, dëshmitë, vlerat, por edhe mbi të pavërtetat dhe gabimet në breza dhe kohë të ndryshme, të cilat ndikojnë mbi zhvillimin e sotëm.

A duhen vlerësuar kronikanët dhe krijuesit që mbartin aq fort mbi vete fatin, dhembjet dhe shpresat e atdheut te vet, si Gjon Neçaj?! Shpeshherë të harruar, të paidentifikueshëm në turmën e zakonshme të fateve njerëzore?!...

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Ben Andoni: Kundërshtari i PD-së s’është Rama por ndryshimi?!

Ben Andoni: Kundërshtari i PD-së s’është Rama por ndryshimi?!