Jo të gjithë të rinjtë që largohen jashtë vendit kanë probleme ekonomike. Gazetari Fatos Mahmutaj ka treguar një bisedë me tre djem nga fshati që kishin synim të shkonin në Angli dhe të fitonin të ardhura duke punuar në shtëpi bari. Me anë të një statusi në Facebook, tregon se një mik i kishte kërkuar 2-3 djem që donin të largoheshin për emigrim jashtë vendit, por do t’i siguronte punë të ndershme në ndërtim Belgjikë dhe do i ndihmonte për të fituar dokumentet belge.

“Ca kohë më parë një mik imi më tha: Nëse rastësisht do kalojnë dy-tre djem që duan të shkojnë në Angli, thuaju që unë ju ofroj në Bruksel pothuajse të njëjtën pagesë me shtëpitë e barit angleze, në mënyrë të ndershme duke punuar në ndërtim me mua dhe për më tepër i fus në procedurë për të fituar dokumentet belge”, shkruan Mahmutaj.

Por tre djem nga një zonë pranë origjinës së gazetarit, e kishin mënyrën për të fituar të ardhura falë serave me perime në fshatin ku banonin por donin shtëpitë e barit që të punonin 5 minuta dhe kohën tjetër ta kalonin duke lundruar në internet. Kështu i thanë “jo” një mundësie që do ta donin shumë.

“Nuk vonoi shumë dhe kaluan tre djem nga një zonë afër origjinës time, të cilën e njoh perfekt. Ua thashë propozimin e mikut tim. Më dëgjuan me vëmendje. Pa mbaruar mirë njëri prej tyre m'u përgjigj: Vëlla, faleminderit shumë, por po të ishte se kishim nevojë të fitonim nga puna, nuk braktisnim serat e perimeve në fshatin tonë, të cilat na jepnin fitim edhe më shumë se shtëpitë e barit. Ne shkurt duam të punojmë 5 minuta në 24 orë dhe pjesën tjetër të çatojmë në internet! Kaq. Pas dy-tre ditësh nuk i pash më. Me siguri do kenë paguar 25 mijë paund secili për të ikur në Angli. Tani është bërë më thjeshtë. Gjenden rreth 30 vetë që paguajnë 3-5 mijë paund secili dhe hipen në gomone të vjedhur. Njërit prej klandestinëve i besohet timoni i gomones dhe këtij nuk i merren para për rrugën. Dhe o burra, drejt bregut matanë”, shkruan Mahmutaj.

Ndër të tjera thotë se për këtë nuk është fajtor as Ministri i Brendshëm, as Policia e Shtetit, por të gjithë mësuesit dhe ministrat e arsimit që nuk i dhanë edukatën e duhur të rinjve.

“Nuk e ka fajin as Çuçi e askush tjetër nga policia shqiptare. Por e kanë fajin të gjithë anëtarët e piramidës arsimore në 32 vite në vend, duke filluar nga mësuesit e klasës së parë e deri tek ministrat e arsimit. Kështu u edukua rinia dhe kështu do përfundojë. Do bërë derman për brezin që po vjen. Zot na ruaj!” – përfundon Mahmutaj.