TIRANË – Gazetaria shqiptare në këtë fund viti ka vlerësuar disa prej emrave të saj më të mirë. Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, nën drejtimin e Aleksandër Çipës ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gazetarinë ekonomike dhe atë të karrierës, për të tretin vit rradhazi.
Çmimi “Vangjush Gambeta”, njeriu që u persekutua vetëm për të mbrojtur të vërtetat e pathyeshme ekonomike,iu dha tre gazetarëve, Laura Çela, Ersuin Shehu dhe Isidor Koti.
Unioni i Gazetarëve përzgjodhi si gazetarin e vitit, Artan Hoxhën që prej vitesh realizon emisionin investigativ, ‘Xhungël’, me motivacionin:“Emër i shënuar për prurjet e përhershme në gazetarinë e aktualitetit dhe të kronikës në përgjithësi. Gazetar i cilësishëm dhe mishërues i reporterit me kurajo dhe guxim të përhershëm profesional”.  Gjithashtu, me çmimin e karrierës është nderuar edhe Aleksandër Furxhi, ish korrespondet i BBC në shqip.