TIRANE- Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e biznesit, kryeministri Edi Rama prezantoi avokatin e njohur Genc Boga i cili do të mbajë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Në fjalën e tij gjatë këtij takimi, avokati Boga shpjegoi rolin e këtij Këshilli, i cili është një forum biznesi që funksionon pranë qeverisë shqiptare, si dhe mënyrën se si do të funksionojë.

FJALA E AVOKATIT GENC BOGA
Unë jam Genc Boga, jam avokat dhe do të vazhdoj të jem avokat. Nuk nxis konkurrentë duke thënë kështu, por do të qetësoj klientët. Vetëm se tani përveç klientëve të mi, më është dhënë dhe një detyrë tjetër që e pranova me kënaqësi, që është detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Cili do të jetë roli ynë, çfarë do të bëjmë ne dhe cila është ideja novatore? Zoti kryeministër, tha që ne kemi pasur frikë të flasim. Ne kemi folur në fillim. Kam parasysh këtu Komitetin e biznesit, shoqatat, unë personalisht. Ka pasur raste që i kemi rënë dhe daulles nga pak, pasi është e pamundur që të jesh në konflikt, por e folura jonë ka çaluar nga disa gjëra.
Së pari, pasi flisnim, me ato faqe të tëra që kemi shkruajtur qeverisë, nuk na jepej asnjë feed back dhe nuk e dinim as se ku shkonte ideja jonë. Kështu që këtu, u nisëm për të krijuar një strukturë të re, e cila do ta bëjë  të mundur që të ndiqet dhe do të ndiqet nga njerëz si puna ime, që kanë kohë që merren me këtë punë. Do të ndiqet ideja e komunitetit të biznesit, pranë ministrive dhe do të shikohet se çfarë konkretisht do të bëhet me ligjet dhe projektet, me idetë  e qeverisë. Kjo është gjëja  e parë që ne duhet të garantojmë.

Së dyti, ajo që unë kam konstatuar si anëtar i këshillit të vjetër ka qenë një këshill ku kemi marrë pjesë gati të gjitha shoqatat, Këshilli Konsultativ i Biznesit. Ne ishim në këshill, por pjesëmarrja jonë ishte formale, ishte bukur për personat që drejtonin dhe aspak produktive për ne që ishim aty dhe prisnim që idetë tona të merreshin parasysh.

Këtë gjë me Këshillin  e ri do ta ndryshojmë. Këshilli i ri është një proces permanent këshillimi. Nuk është një këshill në sensin e 5 njerëzve që ulen rreth një tavoline dhe aty merr fund çdo gjë. Këshillimi do të zhvillohet në tre nivele. Në nivelin e parë ku është i përfaqësuar i gjithë biznesi nëpërmjet të gjithë shoqatave të biznesit pa asnjë përjashtim, as gratë në biznes, as biznesi i vogël, pra të gjithë do të kenë mundësinë të japin opinionet e tyre për iniciativat ligjore të qeverisë. Do të organizojmë një web-site. Kuptohet jemi në fillimet  e punës, mos prisni të jenë mbaruar të gjitha. Këtu, këto ligje që do të renditen, që janë projekte, do të qëndrojnë për një periudhë dy mujore dhe qeveria angazhohet që të mos i kalojë këto ligje pa marrë mendimin tonë. Si do të merret vendimi? Secili do t’i shkruajë mendimet, do të faqosen, do të lexohen nga të gjithë.

Ne si sekretariat do t’i përmbledhim dhe do t’i ndjekim. Ne do t’i ndjekim me ministritë e linjës, me Kryeministrin, me qeverinë në përgjithësi. Siç e tha dhe Kryeministri, ne  e kemi zyrën këtu, për të pasur kontaktin direkt me qendrën e qeverisë. Gjithashtu, në këtë faqe do të kemi mundësinë që të korrigjojmë ato fenomene, të cilat ju i dëgjuat, keqfunksionimi i qeverisë, moszbatimi i ligjit, abuzim me ligjin, pse jo dhe raste korruptive. Metodologjia se si ne do t’i përpunojmë informacionet që jepni, si do të garantojmë disa aspekte siç është “kush denoncoi, çfarë”, që mund të shkaktojë ndoshta pasoja, janë të gjitha gjëra që do të vijnë më vonë.

Rregullore në vijim të ligjit që do të kalojë së shpejti, do të ketë, por ideja është kjo që Këshilli Ekonomik Kombëtar të jetë filtri, të jetë përçuesi, çfarë biznesi në përgjithësi pretendon që nuk shkon mirë me zbatimin e ligjit, që nuk shkon mirë me ligjet që ekzistojnë apo me ligjet që qeveria po bën. Në planin e parë kemi këtë web-site, ku gjithë biznesi është i përfaqësuar, i gjithë biznesi jep mendimet e tij. Kemi një plan tjetër bashkëpunimi që është ai i mbledhjeve të Këshillit Ekonomik Kombëtar, një herë në muaj. Këto mbledhje drejtohen nga Kryeministri dhe në këto mbledhje detyrimisht në këto mbledhje marrin pjesë disa ministra dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Në këto mbledhje trajtohen përsëri probleme që kanë dalë nga biznesi, nga web-site, nga kontakte të tjera, por në këto mbledhje kemi edhe pjesëmarrës të tjerë të ftuar, akademikë, njerëz me njohuri të veçanta nga fusha që mund të na japin ne ide, që dalin pak nga ajo marrëdhënia e ngushtë qeveri-biznes. Kemi dhe një plan të tretë që do të jetë dhe intensiv, ky që kemi prezent sot, ku do të kemi Kryeministrin, ministra, anëtarë të qeverisë, drejtori të caktuara, në forma të ndryshme, në formën e banketeve, në formën e mbledhjeve të tilla, ku do të shkëmbejmë ide, kemi pyetje-përgjigje, njësoj si kjo. Këto janë tre nivelet e këshillimit permanent të marrëdhënies që biznesi dhe qeveria do të kenë në të ardhmen dhe do të garantohen nga KEK-u.

Padyshim askush  nga shoqatat nuk do të përjashtohet nga asnjë nivel, qoftë edhe nga niveli i dytë, niveli i mbledhjeve me Kryeministrin dhe ministrat e qeverisë. Pasi aty kemi parashikuar një sistem rotacioni, ku shoqatat e biznesit të gjitha do të vinë. Do të ketë dhe biznesmen që dalin pak nga kuadri i shoqatave. Kuptohet ka biznesmenë të cilët janë taksapagues të mëdhenj, të cilët kanë ide specifike të fushës së tyre dhe pastaj të ftuar të veçantë. Kjo është ideja jonë. Shpresoj që ju pëlqen sot, por të na pëlqejë në vazhdim.

Redaksia Online