Nga 2.42 miliardë lekë që është detyrimi i shtetit ndaj kësaj firme, vendimi i 2 prillit i akordon asaj 2.24 miliardë lekë, duke realizuar një shlyerje detyrimi në masën 92.6 për qind. Kjo normë shlyerjeje është shumë larg trajtimit që u është rezervuar firmave të tjera.
Kështu, “Gjoka” ka kryer gjithashtu punime të konsiderueshme, por shteti ka vendosur t’i kthejë vetëm 55.7 për qind të shumës që i detyrohet; kompania “ANK” do të shlyhet në masën 30.3 për qind dhe po kaq është norma e shlyerjes për “Geci”-n.
Pra, këtyre të fundit u akordohet vetëm një e treta e shifrës që u detyrohet buxheti i shtetit për një punë të kryer, ndërkohë që “Gener-2” apo edhe “Albavia” paguhen afër 100-përqindëshit.
Ka edhe një rast unik në llojin e vet, të paktën për kohërat e vështira që jetojmë, kur një subjekt merr gati tri herë më shumë nga sa i detyrohet shteti, duke u trajtuar ndryshe nga të tjerët, me paradhënie. Fjala është për “Pe-Vla-Ku & Çaushi”, që do të sistemojë rrugën nga Qafë Thana në Pogradec, zonë elektorale nën “mbikëqyrjen” e përhershme të ministrit të Financave Ridvan Bode.
“Gener”-it i janë akorduar vepra të tilla, si segmente në Rrugën e Arbërit, në Milot-Fushë Krujë, Plepa-Rrogozhinë, Gosë-Vilë Bashtovë, etj, praktikisht ato më të shtrenjtat. Pronari i saj ka qenë në qendër të vëmendjes së opinionit edhe për marrjen e tenderave shumë të rëndësishëm, si ai që i dha ekskluzivitetin e rrjetit të fibrave optike në gjithë vendin deri në Kosovë, por edhe të ndërtimit të një objekti të madh parkimi në Tiranë, pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, ku nuk është bërë asnjë lloj punimi prej vitesh.
Ndër firmat e infrastrukturës ka edhe të tilla si “Erniku”, që ka marrë nga qeveria vetëm 5.3 për qind të detyrimit që i ka ajo, apo “Albstar”, me 11.1 për qind ose “Triss” me 24.7% e “Salillari” me 27.8%.
43% TË FONDIT E MERR NJË FIRMË E VETME
Në fondin shtesë për vitin 2013, Autoriteti Rrugor i ka dhënë gati gjysmën e parave për ndërtim rrugësh një firme të vetme, konkretisht “Gener-2”. Kjo e fundit ka siguruar 15.5 milionë euro “në një dorë”, nga 35.9 milionë që janë fondet vetëm për të ndërtuar rrugët.
Sipas burimeve nga ministria e Punëve Publike dhe Transportit, jo më larg se ditën e djeshme, në garën e zhvilluar sërish nga Autoriteti Rrugor, ky subjekt ka arritur të marrë edhe lejen për të ndërtuar segmentin vijues të Unazës së Madhe të Tiranës, që nis nga rrethrrotullimi i TEG-ut (ku bashkohet rruga e Elbasanit me Unazën), dëri në nyjen e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, që, sipas këtyre burimeve do të paguhet me 20 miliardë lekë të vjetra pa TVSH.
Ky tender bëhet në një kohë kur ende do kohë të përfundojë një segment tashmë i filluar prej kohësh, ai nga qendra “Kristal” deri tek TEG-u. Buxheti i shtetit ka qenë edhe më parë bujar me këtë firmë, duke i dhënë në janar të këtij viti një shifër prej 5.5 miliardë lekësh të vjetra, në një kohë kur subjektet e tjera prej kohësh janë të bllokuara nga mungesa e likuditetit, se shteti nuk i paguan për punën e kryer.
Shumë prej tyre nuk paguajnë dot punëtorët, nuk shlyejnë dot kreditë bankare, por Financa dhe Transporti nuk kanë veshë për t’i dëgjuar ankesat e tyre, ndërkohë që janë tepër bujare vetëm me emra të caktuar.
Specialistë të infrastrukturës shprehin habinë, përballë shifrave të vendimit në fjalë, të cilat akordojnë fonde të konsiderueshme për ndërtimin e segmenteve të Rrugës së Arbërit, edhe duke e ditur mirë që do të duheshin të paktën 20 vite për të përfunduar këtë objekt në tërësinë e vet.
Sipas tyre, Unaza e Tiranës është një vepër shumë më e rëndësishme, ku duhej të ishin kanalizuar një pjesë e mirë e fondeve, duke qenë ajo, jo vetëm një objekt i vështirë dhe i kushtueshëm, por edhe me fizibilitet të ndjeshëm ekonomik, ndryshe nga aksi Tiranë-Dibër.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)