Gent Bejko, në një rol përkrah
emrave të njohur të hollivudit

Gent Bejko, në një rol përkrah<br />emrave të njohur të hollivudit
Aktori Gent Bekjo i njohur për rolet e ndryshme në skenat shqiptare tashmë jeton midis Shqipërisë dhe Kanadasë, por si duket fati i ka buzëqeshur. Ai ka shansin që të luajë përkrah aktorëve të njohur të kinemasë botërore, si: Jennifer Lawrence, Michelle Pfieffer, Javier Bardem, Ed Harris, etj.

Intervista me Gent Bejkon 

Prej disa kohësh jetoni mes Kanadasë dhe Shqipërisë. Çfarë të jep Kanadaja që Shqipëria nuk ta ofron dhe anasjelltas?
Kanadaja më dha disa mundësi më shumë familjare, shoqërore dhe profesionale. Me jep qetësi dhe më ka bërë më krijues. Më ka hapur sytë për të kuptuar që bota është shumë më e madhe dhe se njeriu duhet të jetojë për veten dhe jo për te tjerët (aspak në një kontekst egoizmi, më tepër sesa në një plan ekzistencializmi). Ka ligje reale. Shoqëri civile reale, marrëdhënie profesionale të konsoliduara dhe një mentalitet të hapur në çdo plan. Ke qejf të shkosh në punë. Nëse flasim për Shqipërinë, më mungojnë të afërmit dhe disa miq tepër të afërt. Më mungon edhe ajo që Shqipëria ende nuk po e arrin dot...

Edhe në Kanada ju jeni angazhuar si aktor dhe regjisor në shumë projekte teatrore dhe filmike. I fundit është ai i një filmi ku do të angazhoheni si aktor me disa nga emrat më të njohur të kinemasë botërore. Mund të na rrëfeni më tepër?
Po, kam marrë pjesë në disa projekte teatrore dhe filmike. Projekti i tanishëm është një film i Darren Aronovsky, i cili ka filluar xhirimet këto ditë. Filmi titullohet Day 6 dhe në rolet kryesore janë emra, si: Jennifer Lawrence, Michelle Pfieffer, Javier Bardem, Ed Harris etj. Për më tepër info mund të gjeni në sitin Imdb. Unë kam një rol me disa batuta aty, se nuk ka role të vogla por aktorë të vegjël, siç na thosh dikur pedagogu.
Për momentin do të veçoja takimin me regjisorin, i cili është një nga emrat më në zë të kinematografisë. Më e bukura është se folëm për Migjenin, Lasgush Poradecin dhe shqiptarët. Folëm edhe për klimën politike, por pastaj rrugës i thashë që ti nuk je ambasadori Lu, kështu që më mirë merru me film!

Mund të thoni diçka më tepër edhe për projektet e tjerë për të cilët keni punuar së fundi apo keni në plan të realizoni?
Deri para një muaji luajta në një produksion teatror dhe morëm pjesë në Fringe Festival, edicioni i 26-të. Shfaqja u prit jashtëzakonisht mirë. U finalizua me sallën plot spektatorë dhe mua personalisht më dha një trampolinë edhe më të mirë ne fushën profesionale. Kush mendonte se kam humor anglez paska pasur të drejtë. Këtë ma vërtetuan anglofonët. Në vjeshtë kemi në plan të hapim edhe një shkollë të vogël me ndihmën e produksionit. Së shpejti del edhe një TV pilot, i cili nëse do të ketë sukses do të zhvillojë seritë e tjera. Gjithashtu jam i angazhuar si gjyqtar në një rrjet comedy club të quajtur Yuck Yuck, ku edhe performoj nga pak stand up ndonjëherë.


Bejko: Është e rëndësishme të jesh në formë, edhe sikur të mos kesh fatin e Brad Pitt!
Megjithëse nuk është nga ata që ha në mënyrë të rregullt, por ndjek linjën: kur të thërret stomaku, prit edhe pak, Gentit i pëlqen të gatuajë dhe nuk përton fare ta bëjë diçka të tillë, sidomos për njerëz që i do dhe me të cilët ndjehet mirë.
Është aq spontan në këtë drejtim dhe eksperimenton me kuzhinën, sa pohon se nuk do të ishte keq sikur të hapte një restorant ala Gent. Ja çfarë rrëfen ai, nëse keni kuriozitet të mësoni, se cilat janë shijet dhe rregullat e ushqyerjes së aktorit…

Sa i rëndësishëm është regjimi ushqimor për një aktor? Ju është dashur të shtoni apo të bini në peshë për hir të ndonjë roli?
Jam duke rënë nga pesha, por jo për shkak të ndonjë roli. Thjesht për t'u ndjerë mirë me veten time. Është shumë e rëndësishme që si aktor të jesh në formë edhe sikur të mos kesh fatin e Brad Pitt dhe nuk vijmë duke u rinuar.

Sa vëmendje i kushtoni asaj çfarë konsumoni. Ndiqni apo preferoni një dietë të caktuar në të përditshmen tuaj?
Jo, deri më tani nuk kam rënë viktimë e dietave tipike. Thjesht kam eliminuar bukën dhe brumërat, kam shtuar aktivitetin fizik dhe kam rralluar ushqimin e tepërt e sidomos atë fast-food.

Duke qenë se jetoni në Kanada, çfarë keni gjetur interesante përsa i përket ushqimit në kulturën kanadeze dhe a ka ndikuar së fundi në shijet dhe në raportet tuaja me ushqimin kjo njohje dhe kjo periudhë qëndrimi atje?
Produktet ushqimore janë padiskutim shumë herë më të kontrolluara dhe më cilësore dhe këtë ma ka dëshmuar metabolizmi im personal. Ky është mendimi im i testuar. Përsa i përket shijeve të mia ngelen po të njëjtat. Kur flasim për kuzhinën vendase është tepër e vështirë në rastin e Kanadasë, pasi duke qenë një vend i krijuar nga emigrantët, edhe kuzhina është multikulturale. Ka larmishmëri dhe gjithsekush e do larmishmërinë.

Kur ke gatuar për herë të parë, çfarë pjate ke përgatitur dhe si ka qenë rezultati?
Më zure mat me këtë pyetje, pasi unë gatuaj prej shumë vitesh tashmë, por me siguri ka qenë ndonjë lloj omlete e miksuar me fantazi adoleshentësh.

Cila është kuzhina me të cilën je rritur?
Tavat dhe mezet, që gjyshi im i gatuante për merak. Një kuzhinë tipike e jugut. Një nga ato kuzhinat, ku mund të gjesh brenda ngjashmëri me çdo kuzhinë fqinje (italiano-greko-turke).

Çfarë të shtyn drejt kuzhinës, çfarë të ngacmon më shumë?
Fantazia dhe njerëzit për të cilët do të gatuaja me qejf. Kam qejf që gjithmonë t’i thyej recetat strikte me fantazi dhe eksperimente. Deri më tani kanë rezultuar të suksesshme besoj. Askush nuk është helmuar ende!

Fruta apo ëmbëlsira? Cila është ëmbëlsira që nuk do t’i rezitoje kurrë?
Dikur i kam pasur shumë qejf ëmbëlsirat, por sot edhe kafen e pi pa sheqer. Nuk e kam ndaluar, por thjesht fillova ta evitoj natyrshëm. Frutat janë forma më e mirë për marrjen e sheqerit dhe më duhet ta pranoj që vdes për limona me kripë! /Revista Shije

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Ndikimi i plagosjes së kryeministrit Fico në zgjedhjet e qershorit në BE

Ndikimi i plagosjes së kryeministrit Fico në zgjedhjet e qershorit në BE