TIRANE - Në një intervistë për Shqiptarja.com Genti Bendo, tashmë një diplomat në karrierë lëshon kritika mbi emërimet në diplomacinë shqiptare dhe emërimet nepotike që po i prishin imazhin vendit tonë në botë.

Zoti Bendo, si një diplomat me karrierë të gjatë në shërbimin e jashtëm shqiptar, si do ta komentonit incidentin e Vjenës mes një diplomati dhe kryetarit të opozitës?
Për incidentin në fjalë është bërë shumë zhurmë, e cila ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë më tepër se sa vetë incidenti. Gjithsesi, kjo histori ka anën e vet pozitive pasi për herë të parë media dhe politika në Shqipëri po merren më gjatë me fenomenin e turpshëm të nepotizmit në diplomaci. Tashmë besoj se është e qartë për këdo që kjo ngjarje nuk mund të ndodhte dhe nuk kishte si të ndodhte në rast se shërbimi i jashtëm shqiptar nuk do të ishte tejet i prekur nga nepotizmi dhe anësia partiake.

Qëndrimi i atyre që pretendojnë cënimin e imazhit të Shqiperisë teksa vajtojnë publikisht veshin e shkulur të Cekës së Vogël nuk më duket i sinqertë. Ky qëndrim thjesht konfirmon ndarjen de facto në dy kategori të diplomatëve shqiptarë: një pjesë që bëjnë karrierë te privilegjuar e që janë absolutisht të paprekshëm dhe pjesa tjetër e diplomatëve që mund të nëpërkëmben pa i hyrë kujt gjemb në këmbë. Ka patur situata shumë më të rënda për diplomatë të ''kategorisë së dytë'', por askush nuk është shqetësuar.

Pas këtij incidenti në Shqipëri kanë nisur të qarkullojnë emra të vendosur në diplomaci në mënyrë nepotike, miqësore dhe jo në bazë të karrierës diplomatike. Kush është komenti juaj dhe çfarë dini ju për këtë situatë?
Emërimet në shërbimin e jashtëm gjatë viteve te fundit shpesh janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen mbi baza nepotike. Në dallim nga vitet nëntëdhjetë, kur emërimet në diplomaci bëheshin kryesisht mbi baza partiake, këto vitet e fundit pjesa më e madhe e diplomatëve të rekrutuar në shërbim kanë lidhje farefisnore me politikanët, gazetarët, gjyqtarët, biznesmenët, etj. Emrat që po qarkullojnë këto ditë në media nuk japin një panoramë të plotë të emërimeve nepotike, pasi lakohen kryesisht të afërm të politikanëve. Në të vërtetë, krahas politikanëve ka edhe VIP-a të tjerë, si p.sh. vajza e Ismail Kadaresë, vajza e drejtorit të SIGAL Avni Ponari, etj.

Një tjetër aspekt tejet negativ që lidhet me emërimet e bazuara mbi nepotizmin apo cronyism-in është tejzgjatja e qëndrimit të diplomatëve në të njëjtën përfaqësi përtej afatit 4-vjeçar që përcakton ligji. Kështu p.sh. titullarët e Ambasadës Bernë, Misionit Strasburg dhe Ambasadës Varshavë kanë 6-7 vite në ato poste. Përveç shkeljeve ligjore, këto qëndrime të stërzgjatura dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë, pasi ekziston një korrelacion i fortë ndërmjet rotacionit të shefave të përfaqësive diplomatike dhe nivelit të demokracisë në një vend të caktuar. Shtetet me demokraci realisht funksionale i zëvendësojnë ambasadorët e tyre në krye të 3-4 viteve, ndërsa vendet me regjime hibride ose autoritare përgjithësisht i mbajnë më gjatë.

Në dijeninë tuaj, ka patur raste korruptive përveç nepotizmit në emërimin e diplomatëve ?
Varet se ç'kuptohet me raste korruptive, pasi nepotizmi është në vetvete korruptiv. Metodat klasike të pagesës cash për të siguruar favore janë disi të vjetëruara në diplomaci. Le të marrim për shembull median: vetë fakti që familjarët e disa botuesve dhe gazetarëve përfitojnë emërime të pamerituara dhe karriera të privilegjuara diplomatike natyrisht që influencon qëndrimet përkatëse.

Cili është opinioni juaj për diplomacinë shqiptare gjatë viteve të tranzicionit dhe kush është sipas jush shkaku i problemeve kryesorë në këtë sektor ?
Kjo pyetje kërkon një përgjigje të gjatë që del jashtë hapësirës së një interviste. Gjithsesi, mendoj se këto vitet e fundit shërbimi i jashtëm shqiptar nuk e ka përmbushur siç duhet funksionin e tij kryesor: mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar dhe shtetasve shqiptarë. Shembulli më kuptimplotë në këtë drejtim është marrëveshja për kufirin detar me Greqinë. Problemi më i mprehtë me të cilin ndeshet sot ky shërbim është vendosja e interesave personale, familjare, partiake dhe klanore mbi ato shtetërore. Shkaku kryesor i kësaj problematike është mungesa e dëshirës për të ndërtuar një shërbim diplomatik mbi baza ligjore dhe profesionale.

Cila është situata juaj aktuale? Përse dhe kush ju ka larguar nga shërbimi diplomatik?
Unë kam 3 vjet që nuk paguhem nga Ministria e Punëve të Jashtme megjithëse kam qenë dhe vazhdoj të jem diplomat karriere. Në dhjetor të vitit të kaluar përfundoi procesi gjyqësor dhe vendimi përkatës detyron MPJ të nxjerrë aktin administrativ lidhur me vijimësinë e karrierës sime diplomatike si dhe të më paguajë të gjitha pagat nga maji 2010 në vijim. Gjithsesi, Ministria e Punëve të Jashtme edhe sot e kësaj dite refuzon të zbatojë vendimin e formës së prerë. Mua nuk më kanë larguar në mënyrë zyrtare nga shërbimi diplomatik, thjesht më kanë ndërprerë padrejtësisht pagën, siç rezulton edhe nga vendimet e gjykatave.

Përse e bënë këtë?
Kjo pyetje nuk ka marrë ende përgjigje nga ata që duhet të përgjigjen jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht. Drejtuesit e MPJ jo vetëm që nuk më kanë dhënë asnjë shpjegim lidhur me këtë situatë të rëndë, por kanë fshehur edhe vetë ekzistencën e një situate të tillë kur kanë komunikuar me institucione të tjera si p.sh. Komisionin e Shërbimit Civil duke më trajtuar kështu si një desaparecido.

Si e vlerësoni rolin e institucioneve të tjera (presidentit, parlamentit, etj) në lidhje me diplomacinë shqiptare?
Roli i Presidentit lidhet kryesisht me ambasadorët, pasi është institucioni që emëron dhe liron titullarët e përfaqësive diplomatike. Në këtë kontekst presupozohet të ketë nje bashkërendim ndërmjet Presidences, ekzekutivit dhe legjislativit. Ka patur raste kur ky bashkërendim ka munguar, siç ishte rasti i dekretimit të titullares në Misionin Gjenevë vjeshtën e kaluar. Në kundërshtim me ligjin, presidenti dekretoi titullaren në fjalë përpara procedurës dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit. Jo vetëm kaq, por edhe kur kjo e fundit u paraqit më pas në Komisionin në fjalë as Ministria e Punëve të Jashtme dhe as Parlamenti nuk ishin vënë në dijeni për dekretin presidencial.

Një shembull tjetër i mungesës së bashkërendimit institucional lidhur me shërbimin e jashtëm konstatohet duke shqyrtuar raportet e dy institucioneve të tjera, përkatësisht Komisionit të Shërbimit Civil (KSHC) dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në këto raporte jepen dy rekomandime krejt të ndryshme lidhur me mirëadministrimin e burimeve njerëzore dhe uljen e fondit të tejfryrë të pagave në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ndoshta kjo nuk është e rastësishme, por e lidhur me interesa nepotike pasi në raportin e KSHC përmendet nominalisht bashkëshortja e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit si zyrtare që është katapultuar në mënyrë jo të rregullt në postin e Drejtores së Drejtorisë në MPJ.

Sipas mendimit tuaj, cili është dëmi që sjellin prurjet nepotike në shërbimin diplomatik shqiptar ?
Dëmi që sjellin emërimet nepotike në shërbimin e jashtëm është i shumëfishtë. Së pari, dëmi i shkaktuar në drejtim të imazhit të Shqipërisë, pasi diplomatët janë pjesa më e dukshme e çdo shteti. Së dyti, dëmi profesional është i pallogaritshëm, duke patur parasysh se të privilegjuarit e prurjeve nepotike nuk kanë durim të bëjnë karrierë normale diplomatike, por synojnë karrierë super të shpejtë ose thjesht turizëm diplomatik me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Nga ana tjetër, diplomatët e mirëfilltë të karrierës natyrisht që demotivohen duke qëndruar nëpër pozicione periferike. Së fundi, dëmi financiar është i konsiderueshëm, duke llogaritur humbjen e investimeve të bëra në vite tek diplomatët e karrierës, pagesat e dyfishta për të njëjtin vend pune, pagat e fryra në mënyrë të pamerituar për emërtesat nepotike, etj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013

Redkasi Online
(b.mshqiptarja.com)