Gërdeci/ 7 argumentet e Gjykatës së Lartë se pse vepra penale e shpërdorimit të detyrës nuk është parashkruar, Mediu do gjykohet vetëm për faktin penal 

Gërdeci/ 7 argumentet e Gjykatës së Lartë se pse vepra penale e shpërdorimit të detyrës nuk është parashkruar, Mediu do gjykohet vetëm për faktin penal 

Ish ministri Mbrojtjes, Fatmir Mediu

TIRANË- SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatë e Posaçme dosjen penale të ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediun, për rolin e tij në skemën e korrupsionit vdekjes në Gërdec, me pasojë 26 jetë humbura dhe dhjetëra të plagosur. Një gjyqtar paraprak do të vendosë, kalimin e dosjes për gjykim, pushimin e çështjes ose rikthimin e çështjes për hetime të mëtejshme. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak. Argumenti kryesor mbrojtjes i Mediut është se sipas tij, vepra penale për të cilën akuzohet, shpërdorimi i detyrës, është parashkruar sipas nenit 66 të Kodit Penal, pasi kanë kaluar më shumë se sa 10 vjet nga koha e kryerjes së veprës penale deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur.

Vepra penale është kryer në mars 2008. Fatmir Mediu u mor i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërthimit, por Gjykata e Lartë, në 14 shtator 2009, pushoi çështjen me arsyetimin e Mediu ishte zgjedhur sërish deputet në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, ku për pasojë ishte veshur me imunitet. SPAK kërkoi revokimin e vendimit të 14 shtatorit 2009 të Gjykatës së Lartë, pas kërkesës në shkurt 2021 nga Zamira Durdaj, e cila humbi djalin 6-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit. Zonja Durdaj kërkoi ndjekjen penale të Mediut, pasi imuniteti ishte hequr që në 2012 për ndjekjen penale. 

Gjykatat e Posaçme e Shkallës së Parë rrezoi kërkesën e SPAK-ut për të rihapur çështjen, me argumentin se vepra penale ishte parashkruar. Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e shkallës së parë, duke konfirmuar kërkesën e SPAK-ut. Gjykata e Lartë, më 12 dhjetor 2021, la në fuqi vendimin e Apelit, duke rrëzuar rekursin e Mediut, i cili kërkonte lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë. Gjykata e Lartë ka listuar disa argumente ligjore se pse vepra penale e shpërdorimit të detyrës, në rastin e Fatmir Mediut, edhe pse kishin kaluar 15 vite, nuk është parashkruar. 

Ky vendim është detyrues edhe për gjyqtarin paraprak, Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Gjykatën e Apelit që do të marrin në dorë vendimin. Gjykatat nuk mund të vendosin më në diskutim parashkrimin ose jo të veprës penale për të të cilën akuzohet Fatmir Mediu. Gjykata mund të shqyrtojë vetëm faktin penal nëse ekziston ose jo. 

Po cilat janë argumentet e Gjykatës së Lartë që rrëzoi parashkrimin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës në rastin e Fatmir Mediut? 

1. Nuk jemi para një gjëje të gjykuar.

2. Nuk ka pasur gjykim të çështjes me themel. 

3. Nuk ka një vendim fajësie apo pafajësie. 

4. Pas revokimit të vendimit pushimit të vitit 2009, nuk ka një vendim të prokurorit për të çuar dosjen për gjykim. 

5. Në rrethanat që Mediu është marrë i pandehur në vitin 2009 dhe nuk ka një vendim përfundimtar gjykimi me themel, nuk mund të vlerësohen afatet e parashkrimit në nenin 66 të Kodit Penal. 

6. Afati i parashkrimit ka rënë që në momentin kur Mediu është marrë i pandehur në vitin 2009. 

7. Nuk ka mosrespektim ose zbatim të gabuar të ligjit material ose procedural nga Gjykata e Apelit që ka pranuar kërkesën e SPAK-ut për revokimin e vendimit të vitit 2009 të Gjykatës së Lartë që pushoi çështjen për Fatmir Mediun. 

Si u rihap dosja e Gërdecit

-Në 26 shkurt 2021, Zamira Durdaj, e cila humbi djalin 6-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit, iu drejtuar SPAK-ut, duke kërkuar ndjekjen penale të Fatmir Mediut, me arsyetimin se tashmë nuk ekziston më pengesa ligjore që pengon vazhdimin e gjykimit. Kujtojmë që Gjykata e Lartë, në 14 shtator të vitit 2009, mbylli dosjen për Fatmir Mediun, me argumentin se Mediu ishte zgjedhur sërish deputet në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 dhe si i tillë kishte imunitet, ku për pasojë nuk mund të gjykohej.

-Në 5 maj të vitit 2021, SPAK-u iu drejtua Gjykatës së Lartë, duke i kërkuar zhbërjen e vendimit të 14 shtatorit 2009 të Gjykatës së Lartë, e cila kishte pushuar çështjen, për t’i hapur rrugë procedimit të Fatmir Mediut për rolin e tij në korrupsionin dhe shpërthimin e Gërdecit.

-Në 1 qershor 2021, Gjykata e Lartë referoi kërkesën e SPAK-ut për hapjen e procesit penal ndaj Fatmir Mediut në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykatë kompetente që ka juridiksionin fillestar tashmë për çështje penale të zyrtarëve të lartë.

-Në 27 korrik 2021 2021, gjyqtari Erjon Çela pranë Gjykatës së Posaçme rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për rihapjen e çështjes, duke konfirmuar pretendimet e Fatmir Mediut. Argumenti themelor i gjyqtarit ishte se, pse Prokuroria, nga viti 2012, kur deputetëve u është hequr imuniteti nga ndjekja penale, nuk kërkoi vijimin e procedimit të Fatmir Mediun për dosjen e Gërdecit, por u kujtua pas 9 vitesh, kur edhe vepra penale për të cilën akuzohet Mediu (shpërdorim detyre) është parashkruar. Sipas gjyqtarit, kishin kaluar 12 vite dhe vepra penale ishte parashkruar.

-Në shtator 2021, SPAK ankimoi vendimin e gjyqtarit Erjon Çela në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Kundër vendimit të gjyqtarit Çela bënë ankim edhe prindërit e viktimës 6-vjeçar, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj. SPAK dhe familja e viktimës argumentuan se Fatmir Mediu nuk është gjykuar për faktet penale për të cilat ai është akuzuar, por çështja është pushuar për shkak të imunitetit. Sipas tyre, afatet e parashkrimit veprojnë kur presoni nuk është marrë i pandehur. Në rasatin konkret, Mediu është marrë i pandehur dhe afati i parashkrimit bie në momentin e marrjes i pandehur.

-Më 13 shtator 2021, Fatmir Mediu, i asistuar nga mbrojtësi Ardian Visha, dërgoi një memo pranë Gjykatës së Apelit, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të gjyqtarit të shkallës së parë Erjon Çela, i cili kishte hedhur poshtë kërkesën e SPAK-ut për hapjen e dosjes së Gërdecit. Mediu u qëndronte argumenteve të gjyqtarit Erjon Çela, duke pretenduar se vepra penale ishte parashkruar dhe se ai ishte gjykuar një herë.

-Në 24 shtator 2021, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e gjyqtarit Erjon Çela, duke pranuar kërkesën e SPAK-ut për rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të 14 shtatorit 2009, e cila shpëtoi Fatmir Mediun, duke i mbyllur dosjen Gërdeci për procedurë. Sipas Apelit, pushimi i çështje në shtator 2009 nga Gjykata e Lartë, nuk është një vendim dënimi dhe as fajësie. Pezullimi i gjykimit, sipas Apelit, nuk përfshihet tek parashkrimi. Gjykata e vlerëson procesin ndaj Mediut, si një proces në vazhdim, që nga 2009, pa një vendim për fajësinë apo pafajësinë. Sipas Gjykatës së Apelit, afati i parashkrimit është ndërprerë që në momentin që Fatmir Mediu është marrë i pandehur në 11 shkurt 2009.

-Më 1 nëntor 2021, Fatmir Mediu paraqiti rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit që i jepte të drejtë SPAK-ut të hapte dosjen e Gërdecit, si dhe lënien ne fuqi të vendimit të gjyqtarit Erjon Çela.

-Më 12 dhjetor 2021, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda kryesues, Albana Boksi dhe Sokol Binaj anëtarë, vendosën që të mos e pranonin rekursin e Fatmir Mediut, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

-Më 10 janar 2023, pas 1 viti hetime, SPAK i komunikoi dy akuza Fatmir Mediu në lidhje me përgjegjësinë penale të tij në tragjedinë e Gërdecit. SPAK përsëriti dy akuzat e Prokurorisë së Përgjithshme në vitin 2009, shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe shpërdorim detyre sipas Kodit Penal Ushtarak.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Baki: 11/02/2023 00:35

    Mediu duhet te shkoje ne burg dhe boll me nje plehre se na merzitet. Problem nr.1 sot eshte korruptuesi Edi Rama. Me ate merruni.

    Përgjigju
  • moderni: 11/02/2023 00:01

    po per arben ahmetajn kur do flisni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Kosova shpreh rezervat, Osmani: Pse nuk dënohet agresioni dhe terrorizmi i sulmit në Banjskë?

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Kosova shpreh rezervat, Osmani: Pse nuk dënohet agresioni dhe terrorizmi i sulmit në Banjskë?