TIRANE - Familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit në 15 marsin e 5 viteve më parë kërkojnë rihapjen e çështjes ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, gjykimi ndaj të cilit pushoi më 10 dhjetor të vitit të kaluar.

Familjarët i janë drejtuar të hënën Drejtorisë së Policisë me një kërkesë për zhvillimin e një proteste paqësore gjatë së martës para ambienteve të Prokurorisë së Përgjithshme për t’i kërkuar kësaj të fundit të hapë çështjen ndaj Mediut, por kërkesa e tyre është refuzuar me argumentin se duhej të ishte dorëzuar 48 orë para protestës.

Në një prononcim për televizionin A1 REPORT! kryetari i Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, Feruzan Durdaj, duke e cilësuar të paprecedentë mospranimin e kërkesës, tregon se në Drejtorinë e Policisë ishte një “katrahurë e madhe” siç shprehet ai, pasi një punonjës policie e la të priste dy orë për t’i thënë se do i refuzohej kërkesa.

“Polici që pret në Drejtorinë e Policisë më thotë prit se do flas në telefon. Kam ndenjur dy orë derisa mu kthye ironik që për protestën nuk do të merrni leje pasi kërkesa duhej të ishte sjellë 48 orë para”, shprehet për A1 REPORT! zoti Durdaj. Ai thotë së të martën do t'i drejtohen sërish me një kërkesë Policisë për zhvillimin e protestës.

Më 10 dhjetor 2012 Gjykata e Lartë pushoi gjykimin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu i cili akuzohej për plagosje të rëndë nga pakujdesia në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Në atë kohë Gjykata tha se çështja u pushua me argumentin se akuzat të cilat rëndojnë mbi ish-ministrin përfshihen në veprat penale të amnistuara me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Ndërsa vetëm një javë më parë Gjykata e Apelit reduktoi dënimin për tre prej të akuzuarve kryesorë të Gërdecit, ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin dhe Dritan Minxhollin. Vendim i cili solli reagimin jo vetëm të familjarëve të viktimave por edhe të personaliteteve politike.

Redaksia Online
(Greta Malaj/Shqiptarja.com)