ROMË, 5 prill /ATSH-ANSA/ - Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë Ajrore (EASA) i kishte shfaqur prej kohësh Gjermanisë shqetësimin e saj për kontrollet e dobëta, madje edhe mjekësore, që kjo e fundit bënte në linjat e saj ajrore kombëtare, në ndërkohë që nëntorin e kaluar i kishte kërkuar edhe zyrtarisht Berlinit që të ndërhynte më me forcë për këto probleme, del nga një artikull i gazetës amerikane "Wall Street Journal" online i konfirmuar edhe nga EASA.
"Sipas funksionarëve të BE-së, Agjencia Gjermane e Transportit Ajror (LBA) vuan nga një mungesë kronike e personelit, çka mund të minojë kapacitetin e saj për të ndjekur kontrollin e fluturimeve dhe të ekuipazheve, përfshirë kontrollet mjekësore", shkruan "Wall Street Journal" online.
Javën e kaluar, Andreas Lubitz, bashkëpiloti 27-vjeçar i fluturimit "Germanwings 9525" me itinerar Barcelonë-Dyseldorf, i cili vuante nga depresioni, pilotoi avionin kundër Alpeve Franceze duke shkaktuar vdekjen e 150 personave në bord.
"Nuk është ende e qartë nëse mungesa e identifikimit nga sistemi gjerman i kontrollit për sigurinë ajrore të ketë mundësuar tragjedinë e 'Germanwings", thekson gazeta amerikane./ a.jor.