Lumir Abdixhiku
Përplasjet për zgjedhjen e presidentit të Kosovës janë ashpërsuar edhe më shumë. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha të enjten se procesi tashmë është “kompromentuar” dhe se nuk sheh më arsye për takime të tjera mes partive.
Sipas tij, kjo ndodhi pasi nga Presidenca u tha se kryeministri Albin Kurti i kishte ofruar Vjosa Osmanit një propozim që, nëse dështon zgjedhja e presidentit dhe vendi shkon në zgjedhje, përgjegjësia t’i mbetet opozitës.
“Procesi është kompromentuar tani. Mbrëmë kuptova nga deklarimet e Presidencës se deri sa ne kemi qenë në biseda, ata kanë shkuar kanë kërkuar fajësime për opozitën. Në një anë je në tavolinë me dikë, në anën tjetër bën skenar të fajësimit. Ky është kompromentim i rëndë i procesit, prandaj s’shoh arsye të kemi takime të tjera për këtë çështje”, tha Abdixhiku të enjten.
Ai shtoi se LDK-ja ka tentuar të japë kontribut për një zgjidhje konsensuale, por vendosja e një kandidati partiak e kthen procesin në garë politike dhe jo në përpjekje për unitet.
Abdixhiku paralajmëroi se nëse presidenti nuk zgjidhet deri në mesnatë, vendi mund të futet në një cikël të ri zgjedhjesh, një situatë që ai e quajti dështim të madh institucional dhe të paprecedentë.
Lajmi kryesor:
Kosovë/ Propozimi i Konjufcës për president thellon përplasjet mes pushtetit, opozitës dhe Osmanit








